Prishtinë, më 8 maj 2023
Nr. ref.:MK 2160/23
MENDIM KONKURRUES
i gjyqtarit
RADOMIR LABAN
në
rastin nr. KI67/22
Parashtrues
Zeqirja Prebreza
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës CA. nr. 1343/2021 të 29 dhjetorit 2021
Duke shprehur që në fillim respektin dhe pajtimin tim me mendimin e shumicës së gjyqtarëve se në këtë rast ka shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ),
Megjithatë, unë si gjyqtar individual kam mendim konkurrues lidhur me përfundimin e shumicës dhe nuk pajtohem me mendimin e shumicës. Konsideroj se ka shkelje të së drejtës për barazi të armëve, por që është e një natyre deklarative nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së siç është paraqitur në aktgjykim.
Unë si gjyqtar pajtohem me gjendjen faktike siç është deklaruar dhe paraqitur në aktgjykim dhe e pranoj të njëjtën gjendje faktike si të saktë. Gjithashtu, Unë si gjyqtar pajtohem me mënyrën se si janë parashtruar dhe paraqitur në aktgjykim pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe i pranoj të njëjtat si të sakta.
Gjithashtu, unë pajtohem me analizën juridike lidhur me pranueshmërinë e rastit dhe qëndrimin e shumicës se ka shkelje të së drejtës për shqyrtim siç është deklaruar dhe paraqitur në aktgjykim, por nuk pajtohem me dispozitivin e tij.
Nga sa u tha më lart dhe në pajtim me rregullat 62 dhe 63 të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese, unë shkrutimisht do të paraqes mendimin tim kokurrues.
Konsideroj se asnjë parashtrues i kërkesës nuk iu drejtua Gjykatës Kushtetuese vetëm për të realizuar të drejtën e barazisë së armëve apo ndonjë të drejtë tjetër rreptësisht procedurale, përkundrazi, çdo parashtrues i kërkesës iu drejtua gjykatës për të realizuar një të drejtë thelbësore, përkatësisht një të drejtë efektive që ai konsideron se i përket atij.
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës iu drejtua gjykatës për të realizuar të drejtën e tij pronësore, përkatësisht kërkesëpadinë përmes së cilës kërkoi kompensimin e pagave jubilare, me propozimin që Gjykata Themelore ta aprovojë kërkesëpadinë, t'ia njohë të drejtën e pagesës prej tri pagave jubilare në vlerë prej 2.460,98 euro, me kamatë ligjore në lartësi prej 8%, si dhe për t'ia kompensuar shpenzimet e procedurës, si dhe gjykatat e rregullta i dhanë atij mundësi për të paraqitur provat e tij, gjë që parashtruesi i kërkesës edhe e bëri.
Detyra e gjykatës është që fillimisht të konstatojë nëse ka shkelje dhe ta korrigjojë të njëjtën duke i mundësuar parashtruesit të kërkesës të ushtrojë të drejtën thelbësore të cilën e ka kërkuar parashtruesi i i kërkesës dhe jo t'i mundësojë atij një të drejtë procedurale që nuk është efektive.
Më 29 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit [CA. nr. 1343/2021] aprovoi, si të bazuar, ankesën e KEK-ut dhe ndryshoi aktgjykimin [C. nr. 645/2020] e 14 janarit 2021 të Gjykatës Themelore, duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në arsyetimin e aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit, duke iu referuar kohës kur MPKK-ja ishte në fuqi, konstatoi se padia e parashtruesit të kërkesës dhe kërkesa e tij e dorëzuar te punëdhënësi ishin parashtruar jashtë afatit. Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit vlerësoi si në vijim:
„Kolegji, konstaton se paditësi në këtë rast, padinë për shpërblim jubilar, në emër të përvojës së tij në punë, të pandërprerë te e paditura, për 10 vjet, mund ta kërkonte, nga data 01.01.2015 (kur ka hyrë në fuqi MPKK ) e deri më 31.12.2017, (kur ka skaduar afati i MPKK).
Paditësi, padinë kundër të paditurës, për shpërblim jubilar në gjykatën e shkallës së parë, e ka paraqitur me dt. 10.02.2020, kurse kërkesën te punëdhënësi për realizimin e kësaj kërkese e kishte paraqitur me dt.18.11.2019, (vendimi i të paditurës, nr. 11356 i dt.05.12.2019 në shkresat e lëndës) e që do të thotë, paditësi në këtë rast, kërkesën te punëdhënësi si dhe padinë për realizimin e kërkesës së tij, për shpërblim jubilar, si kërkesë në të holla, e ka paraqitur pas skadimit të afatit ligjor (nga dt. 01.01.2015 deri me dt.31.12.2017), brenda të cilit paditësi mund të kërkonte realizimin e kërkesës së tij kundër të paditurës përmes mbrojtjes gjyqësore, sepse paditësi në këtë rast, përvojën 30 vjeçare të punës së pandërprerë te e paditura, e ka arritur para dt.01.01.2015.”
Konkludoj se në rrethanat e rastit konkret, është konstatuar shkelja së drejtës për barazi të armëve, sepse përgjigja ndaj padisë së parashtruesit të kërkesës nuk është vlerësuar ashtu siç është arsyetuar në vetë aktgjykim, por konsideroj se anulimi i aktgjykimit të kontestuar është krejtësisht i panevojshëm sepse parashtruesi i kërkesës nuk do të arrijë të realizojë të drejtën thelbësore që e ka kërkuar as në procedurën e përsëritur sepse e njëjta është qartazi e parashkruar, përkatësisht kërkesa e parashtruesit është dorëzuar jashtë afatit kohor.
Për sa më sipër, konkludoj se ka shkelje të së drejtës për barazi të armëve nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, por duke marrë parasysh rrethanat e rastit konkret, shumica e gjyqtarëve në aktgjykim është dashur të kishin konstatuar shkeljen e natyrës deklarative si një satisfaksion moral për parashtruesin e kërkesës, në mënyrë që të mos ekspozohej në mënyrë të panevojshme ndaj procedurave të reja gjyqësore dhe shpenzimeve shtesë, të cilat janë rreptësisht formale, në kuptim të mbajtjes së shqyrtimeve të reja gjyqësore pa mundësi që parashtruesi i kërkesës të ushtrojë të drejtën e tij thelbësore.
Mendimi konkurrues është paraqitur nga gjyqtari;
Radomir Laban, gjyqtar
_________________
Më 04 prill 2023 në Prishtinë
Zeqirja Prebreza
KI - Kërkesë individuale
Urdhëra tjerë
Mendim konkurrues