KI177/21, Parashtrues: Isuf Musliu, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik
KI177/21, Vendim për Refuzim, i 20 janarit 2020, publikuar më 8 shkurt 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vendim për refuzim
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesit të kërkesës nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë i ishte shqiptuar urdhëri ndëshkimor duke e shpallur fajtor për veprën penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 188 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, dhe të cilin e dënoi me gjobë në shumë prej 200 (dyqind) euro, dhe të cilën gjobë do mund ta paguaj me 2 këste mujore.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk kishte specifikuar aktin e autoritetit publik të cilin e konteston si dhe nuk kishte cekur dhe sqaruar se cilat të drejta kushtetuese pretendon se iu kanë shkelur. Pasi që parashtruesi nuk e kishte plotësuar kërkesën me informatat e lartcekura, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të plotësojë kërkesën me dokumentet dhe informatat si në vijim: (i) të specifikoni saktë aktin konkret të autoritetit publik të cilin e kontestoni para Gjykatës Kushtetuese;(ii) të cekni dhe sqaroni cilat të drejta dhe liri pretendoni se u janë cenuar; dhe (iii) të bashkëngjitni kopjet e vendimit që e kontestoni dhe vendimeve tjera që mendoni se janë të nevojshme për ti bashkëngjitur kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë një shkresë, ku në përgjigje të pyetjeve të Gjykatës përmes shkresës së 14 tetorit 2021, ai thekson se “ më janë shkelur drejtat, themelore, individuale, dhe elementare të njeriut , e drejta për te jetuar dhe pasur një shtëpi për të jetuar”, ai më tutje thekson se “mua dhe familjes sime me janë mohuar kjo e drejt nga Autoriteti Publik Komuna e Prishtinës. Keni kërkuar ta specifikoj se cili vendim te autoritetit publik u a ka mohuar te drejtat, as një përgjigje nga komuna as e gjykata nuk kam marr qe 16 vite kjo është Kosova jone, dhe Ligjet e Kosovës”. Pra parashtruesi i kërkesës nuk u përgjigj në pyetjet specifike të Gjykatës.
Andaj, në bazë të Rregullores së saj të punës, Gjykata nëse konstaton se kërkesa është e paplotë ose e paqartë mund të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata, i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve të kërkesës.
Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 21, 22.4 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 32 (2) (e) dhe (h) të Rregullores së punës.
Prandaj, Gjykata përfundoi se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
Isuf Musliu
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile