Prishtinë, më 14 tetor 2022
Nr. Ref.:RK 2056/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI81/22
Parashtrues
Mursel Gashi
Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-21-0855 të 27 janarit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është dorëzuar nga Mursel Gashi nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës). Parashtruesi i kërkesës përfaqësohet nga Visar Vehapi, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I-21-0855], të 27 janarit 2022, (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së).
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, me të cilin, pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe me nenet 8, 14 dhe 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 7 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
- Më 8 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës me vendimin [nr. GJR. KI81/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
- Më 22 qershor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe në të njëjtën kohë kërkoi nga ai të dorëzojë në Gjykatë autorizimin për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.
- Më 12 korrik 2022, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës.
- Më 8 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Gjykata rikujton që në fillim të përmbledhjes së fakteve se parashtruesi i kërkesën dorëzon kërkesë në Gjykatë për herë të dytë. Kërkesën e parë parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar më 17 korrik 2019 dhe ajo është regjistruar nga Gjykata me numrin KI120/19. Në kërkesën KI120/19, parashtruesi i kërkesës kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit [AC-I-17-0568] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 14 marsit 2019. Në atë kërkesë, Gjykata konstatoi shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, për shkak të mungesës së një vendimi të arsyetuar gjyqësor. Më konkretisht, Gjykata shpalli të pavlefshme pikën V të dispozitivit të Aktvendimit [AC-I-17-0568] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 14 marsit 2019, përmes të cilit ktheu Aktvendimin në rishqyrtim në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, ekskluzivisht në lidhje me shqyrtimin e pikës V të dispozitivit të Aktvendimit të sipërpërmendur.
- Pikërisht, kërkesa e dytë KI81/22, të cilën parashtruesi i kërkesës e dorëzoi në Gjykatë, lindi si rezultat i procedurës së përsëritur të zhvilluar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, duke shqyrtuar instruksionet e Gjykatës nga Aktgjykimi KI120/19.
- Duke pasur parasysh këtë, dhe për një shqyrtim dhe kuptim më të qartë të kërkesës KI81/22, në vijim të këtij Aktvendimi Gjykata do t’i paraqesë edhe faktet e kërkesës së mëparshme KI120/19, lidhur me të cilën tashmë ka vendosur me Aktgjykim.
Përmbledhja e fakteve nga kërkesa KI120/19
- Më 23 korrik 1971, parashtruesi i kërkesës lidhi një kontratë shitblerjeje me shkrim me pronarin – shitësin L.N. nga Matiqani, për blerjen e katër (4) ngastrave kadastrale, të cilat kanë qenë të shënuara si:
Ngastra kadastrale nr. 2/257/28, vendi i quajtur “Gavrilova Njiva” i klasit të 5-të, në sipërfaqe prej 1.56.00 ha,
Ngastra kadastrale nr. 2/257/37, vendi i quajtur “Vasina Njiva” klasit të 5-të, në sipërfaqe prej 1.05.00 ha,
Ngastra kadastrale nr. 2/257/40, vendi i quajtur “Slanište”i klasit të 5-të, në sipërfaqe prej 0.41.00 ha,
Ngastra kadastrale nr. 2/257/43, vendi i quajtur “Slanište”i klasit të 5-të , në sipërfaqe prej 1.03.00 ha. Të gjitha ngastrat kadastrale kanë qenë të evidentuara sipas listës poseduese nr. 45, Zona Kadastrale Matiqan.
- Sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, pas vitit 1999, ka pasur një ndryshim në mënyrën e shënimit dhe evidentimit të ngastrave kadastrale në Sistemin Kadastral të Kosovës, dhe se rrjedhimisht parcelat në fjalë kanë marrë numrat nr. 588/1, nr. 598, nr. 601 dhe nr. 604.
- Në të njëjtën kohë, në Gjykatën Komunale në Prishtinë, familja S., ka inicuar procedurën kontestimore kundër Ndërmarrjes Shoqërore KBI-Kosova-Export nga Fushë Kosova. Familja S., në atë kërkesëpadi ka kërkuar që Ndërmarrja Shoqërore KBI-Kosova-Export, t’u ndajë atyre dy ngastra kadastrale si një lloj kompensimi për dy ngastrat e tyre të cilat nuk ishte e mundur t’iu kthehen për shkak se ato tanimë iu ishin ndarë personave të tretë.
- Më 20 shkurt 2007, Gjykata Komunale në Prishtinë miratoi kërkesëpadinë e familjes S., si të bazuar dhe nxori Aktvendimin C. nr. 645/04. Me atë Aktvendim, Gjykata Komunale i ndau familjes S., ngastrën kadastrale nr. 588, dhe ngastrën kadastrale nr. 598, si një lloj kompensimi për dy ngastrat e tyre. Në ndërkohë Aktvendimi C. nr. 645/04 i Gjykatës Komunale u bë i plotfuqishëm, dhe kësisoj ngastrat kadastrale nr. 588 dhe nr. 598 u regjistruan në kadastër si pronë e familjes S.
- Më 26 shkurt 2007, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Prishtinë në të cilën kërkoi vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi ngastrat në fjalë. Në kërkesëpadi parashtruesi i kërkesës ka deklaruar se “se si pronar i ri ai ka hyrë në posedim të kësaj patundshmërie në ditën e blerjes, mirëpo për shkak të rrethanave politike të asaj kohe, ai nuk ka arritur që ta regjistroj atë në emër të tij në Drejtorinë Kadastrale në Prishtinë”.
- Më 2 mars 2007, parashtruesi i kërkesës i parashtroi një propozim Gjykatës Komunale në Prishtinë në të cilin kërkoi nga gjykata që të caktojë masën e përkohshme për ngastrat kadastrale nr. 588/1, nr. 598, nr. 601 dhe nr. 604, në mënyrë që të pamundësohet tjetërsimi apo ngarkesa ligjore e ngastrave në fjalë.
- Më 16 prill 2007, Gjykata Komunale nxori Aktvendimin [E. nr. 317/07], me të cilin e caktoi masën e përkohshme për ngastrat kadastrale nr. 588/1, nr. 598, nr. 601 dhe nr. 604. Përmes këtij Aktvendimi Gjykata caktoi ndalesën e ngarkesës, të vendosjes së hipotekës si dhe të shitjes së ngastrave kadastrale në fjalë, duke theksuar se kjo masë vlen deri në përfundimin e procedurës kontestimore, pranë Gjykatës Komunale C. nr. 414/07
Procedura në Gjykatën Themelore në lidhje me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës që ka të bëjë me vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi ngastrat kadastrale në fjalë
- Sipas shkresave të lëndës, sipas një Aktvendimi të Gjykatës Komunale në Prishtinë (lënda C. nr. 414/07), në muajin korrik 2007, Eksperti i Gjeodezisë A.A., dha konstatimin dhe mendimin e tij me shkrim lidhur me vërtetimin e pronësisë të parashtruesit të kërkesës. Eksperti i Gjeodezisë A.A, theksoi në konstatimin e tij se sipas dokumentacionit të vlefshëm që disponon Drejtorati për Kadastër dhe Gjeodezi në Prishtinë, për Zonën Matiqan “për ngastrat kadastrale nr. 588/1 plani dhe skica 3/43 vendi i quajtur “Arra e Gavrillit” me kulturë arë kl(5) me S=01.56.45 ha, pastaj ngastra kadastrale nr. 598 plani dhe skica 3/17, vendi i quajtur “Vasinanjiva” me kulturë arë kl (5) me sipërfaqe prej S=01.04.98ha, ngastra Kad, nr.601 plani dhe skica 4/11, vendi i quajtur “Njelmësia” me kulturë arë kl (5) në S=01.03.70 ha, tokë rurale tipi i pronës “shoqërore” evidentohet në: K.B.I “Kosova-Export” me seli në Fushë Kosovë dhe atë në bazë të aeroinçizimit të vitit 1972 e hyrë në fuqi në vitin 1980.
Para se kjo matje të hyjë në fuqi, në Zonën Kadastrale Matiqan ishte në fuqi kadastri përshkrues, ku nuk disponohej me plane dhe skica detale, në të njëjtën kohë edhe sipërfaqet e ngastrave ishin të llogaritara në mënyrë të përafërt[…].
Eksperti A.A, duke iu referuar numrave të vjetër të ngastrave kadastrale (shih numrat në paragrafin 13 lart), theksoi se: “është e vështirë saktësisht të vërtetohej se a janë pikërisht këto ngastra që tani janë temë e kësaj lënde, por janë disa elemente karakteristike që përputhen edhe me aeroinçizimin”
- Më 17 shtator 2010, Gjykata Komunale në Prishtinë mbajti seancën sipas kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës për vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi pronën që ishte objekt i kontratës së shitblerjes së vitit 1971. Në seancën dëgjimore mori pjesë gjithashtu edhe përfaqësuesi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), i cili e kontestoi juridiksionin e Gjykatës Themelore për t’u marrë me pronën në fjalë, pasi që ajo është e regjistruar si pronë shoqërore dhe si e tillë është nën administrimin e saj.
- Më 29 dhjetor 2010, Gjykata Themelore nxori Aktvendimin C. nr. 414/07 me të cilin e shpalli veten jokompetente në procedurën në fjalë, ndërsa parashtruesin e kërkesës e udhëzoi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës si gjykatë kompetente për t’u marrë me çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Procedura në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të Kosovës në lidhje me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi ngastrat në fjalë
- Më 4 mars 2011 parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, duke kërkuar vërtetimin e pronësisë në: Ngastrën kadastrale nr. 588/1, vendi i quajtur “Gavrilova Njiva” me kulturë arrë i klasit të 5-të, në sipërfaqe prej 1.56.45 ha; II. Ngastrën kadastrale nr. 598, vendi i quajtur “Vasina Njiva” me kulturë arë e klasës së 5-të, në sipërfaqe prej 1.04.98 ha III. Ngastrën kadastrale nr. 601, vendi i quajtur “Njelmësina” me kulturë arrë i klasit të 5-të, në sipërfaqe prej 0.41.66 ha; si dhe IV. Ngastrën kadastrale nr. 604, vendi i quajtur “Njelmësina” me kulturë arrë i klasit të 5-të , në sipërfaqe prej 1.03.70 ha, të regjistruara sipas fletëposedimit nr.389, Zona Kadastrale Matiqan. Parashtruesi i kërkesës në padinë e tij, theksoi se çmimin e blerjes e ka paguar në prezencën e dy dëshmitarëve , dhe prej asaj kohe ai ka poseduar dhe shfrytëzuar paluajtshmërinë pa pengese. Thekson se nuk ka mundur të bëjë bartjen e paluajtshmërisë për shkak të tatimit të lartë të asaj kohe, dhe pretendon se kjo paluajtshmëri pa bazë ligjore është evidentuar në emër të KBI ”Kosova-Export”.
- Më 17 nëntor 2011, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS) nxori Aktvendimin SCC-11-0085, për vazhdimin e procedurës gjyqësore. Prandaj, DHPGJS-ja i përcolli AKP-së si palë e paditur kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke i dhënë asaj afat prej 30 ditësh që të përgjigjet në padi.
- Më 12 dhjetor 2011, AKP-ja e dërgoi përgjigjen e saj në padinë e parashtruesit të kërkesës, në të cilën ia mohoi të drejtat e pronësisë së parashtruesit të kërkesës mbi ngastrat kadastrale në fjalë, duke deklaruar në mes tjerash “se kontrata e tillë nuk është legalizuar në Gjykatë dhe si e tillë nuk i plotëson kushtet ligjore dhe në këtë drejtim nuk mund të pranohet si provë”.AKP në këtë shkresë gjithashtu theksoi se “pavarësisht rrethanave se si e paditura është bërë pronare, qoftë edhe pa bazë juridike, AKP e mbështetë mbrojtjen e saj duke iu referuar dispozitës juridike nga Neni 268 i Ligjit mbi Punën e Bashkuar, ku parashihet decidivisht se po që se patundshmëria ka kaluar në pronësi shoqërore pa bazë juridike, kthimin e së njëjtës mund të kërkohet në afat prej 5 vitesh, duke filluar nga dita e marrjes në dijeni, por më së voni në afat prej 10 vitesh.” AKP gjithashtu deklaroi se në pronën shoqërore pronësia nuk mund të fitohet në bazë të parashkrimit fitues.
- Më 9 janar 2013, gjyqtari i Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DHPGJS-ë) nxori Urdhrin SCC-11-0085, përmes të cilit përgjigjen e të paditurës AKP-së, të 12 dhjetorit 2011, ia dërgoi parashtruesit të kërkesës, duke i dhënë atij një afat prej 15 ditësh që t’i përgjigjet asaj.
- Më 24 janar 2013, parashtruesi i kërkesës i dërgoi përgjigje Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, ku i deklaronte argumentet e njëjta sikur ato të cekura në kërkesëpadi.
- Më 5 dhjetor 2014, parashtruesi i kërkesës i parashtroi DHPGJS-së kërkesëpadinë e re të precizuar në të cilën deklaronte se: “Në bazë të Aktgjykimit P. nr. 645/04 të datës 20.02.2007, atij i janë marrë dy ngastra kadastrale dhe u janë dhënë sërëve (familjes S.) si kompensim, edhe atë ngastra kadastrale nr. 588/1, vendi i quajtur “Gavrillova Njiva”, me kulturë Arë, klasa e 5-të, në sipërfaqe prej 1.56.45 ha, dhe ngastra kadastrale nr. 598, vendi i quajtur “Vasina Njiva”, me kulture Arë, klasa e 5-të, në sipërfaqe prej 1.04.98 ha, që do të thotë paditësi është dëmtuar në sipërfaqe të përgjithshme prej 2.61.43 ha, për shkak të neglizhencës së ish Gjykatës Komunale në Prishtinë që nxjerr me vonësë aktvendimin mbi Masën e sigurisë, dhe tash për shkak të zvarritjes së procedurës në këtë çështje nga ana e DHPGJS-së”.
- Rrjedhimisht, në kërkesëpadinë e specifikuar, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së që:
- “Të aprovohet kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës dhe të vërtetohet se i njëjti është pronar i ngastrave kadastrale nr.601, vendi i quajtur “Njelmësina”, me kulturë Arë, klasa e 5-të, në sipërfaqe prej 0.41.66 ha, dhe ngastrës kadastrale nr.604, vendi i quajtur “Njelmësina”, me kulture Arë, klasa e 5-të, në sipërfaqe prej 1.03.70 ha, të cilat evidentohen sipas fletës poseduese nr.389, ZK. Matiqan.
- Me aktgjykim të obligohet e Paditura KBI “Kosova Export” nga Fushë Kosova që parashtruesit të kërkesës në emër të kompensimit të ngastrave kadastrale nr.588/1, vendi i quajtur “Gavrillova Njiva”, me kulture Arë, klasa e 5-të, në sipërfaqe prej 1.56.45 ha dhe ngastrës kadastrale nr. 598, vendi i quajtur “Vasina Njiva”, me kulturë Arë, klasa e 5-të, në sipërfaqe prej 1.04.98 ha, në sipërfaqe të përgjithshme prej 2.61.43 ha, të cilat në mënyrë të kundërligjshme me Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë P. nr. 645/04 të datës 20.02.2007 iu kanë dhënë personave të tretë t’i jepen si kompensim ngastrat si në vijim:
Nr. 523, plani 3, skica 7, në vendin e quajtur “Utrina”, kultura kullosë, klasa e 3-të, në sipërfaqe prej 0.38.09 ha
Nr. 524, plani 3, skica 7, në vendin e quajtur “Utrina D. Potok”, kultura arë, klasa e 7-të, në sipërfaqe prej 0.62.98 ha
Nr. 525, plani 3, skica 7, u në vendin e quajtur “Utrina D. Potok”, kultura kullosë, klasa e 2-të, në sipërfaqe prej 0.10.03 ha
Nr. 526, plani 3, skica 7, në vendin e quajtur “Utrina D. Potok”, kultura arë, klasa e 6-të, në sipërfaqe prej 0.21.96 ha,
Nr. 536, plani 3, skica 7, në vendin e quajtur “Utrina Vina Lojze”, kultura kullosë, klasa e 3-të, në sipërfaqe prej 1.06.44 ha,
Nr. 552/2, plani 3, skica 9, në vendin e quajtur“Utrina Veternik”, kultura arë, klasa e 7-të, në sipërfaqe prej 0.57.60 ha, të cilat gjenden në Zonën Kadastrale në Qagllavicë e të cilat evidentohen në listën poseduese nr. 222”.
- Më 27 korrik 2017, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së mbajti seancën dëgjimore, në të cilën parashtruesi i kërkesës ndër të tjera deklaroi se: “[…] ne nuk kemi kërkuar fitimin e së drejtës së pronës përmes parashkrimit fitues, sepse këtë do duhej që dikush tjetër të ketë qenë pronari, në këtë rast KBI […]. Ne donim ta vërtetonim faktin se prona është regjistruar aksidentalisht në KBI, përderisa paditësi e ka blerë këtë pronë, e ka paguar shumën kontraktuale dhe e ka në posedim prej disa dekadash”. Ndërsa, në po këtë seancë, theksoi se e kundërshton padinë në tërësi sepse: (i) E paditura KBI ”Kosova Eksport” nuk është futur asnjëherë në raport ligjor civil me parashtruesin e kërkesës; (ii) prona e KBI “Kosova Export” nuk është transferuar aksidentalisht, dhe bazuar në konkludimet e ekspertit A.A., i arritur në rastin CNR. 414-07, në të cilat është konkluduar se pronat që nga viti 1972 janë të regjistruara në emër të KBI “Kosova Export”; dhe (iii) kontrata e parashtruesit të kërkesës nuk është e lidhur në gjykatë, rrjedhimisht nuk mund të prodhojë efekte juridike.
- Më 22 gusht 2017, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së, nxori Aktgjykimin SC-11-0085, me të cilin kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës u hodh poshtë si e pabazuar. Në arsyetimin e Aktgjykimit thuhet:
„Paditësi e bazon padinë e tij pronësore në një blerje më anë të një kontrate të shitblerjes të vitit 1971.Është e padiskutueshme që kjo kontratë nuk përputhet me kërkesat formale. Paditësi nuk ka asnjë dëshmi tjetër me të cilën do të mbështeste kërkesën e tij pronësore. Pasi qëPaditësi nuk ka arsye tjetër për të mbështetur kërkesën e tij për pronë, padia është e pabazuar.Ai në asnjë moment nuk ka qenë pronar i tokës në fjalë.Prandaj, argumenti i tij se e paditura në mënyrë arbitrare është regjistruar si pronare, është i parëndësishëm”.
- Më 15 shtator 2017, parashtruesi i kërkesës dorëzoi një ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së në të cilin deklaronte se “gjykata ka dështuar të ekzaminoj dhe të përcaktojë siç duhet gjendjen faktike, se ai e ka shfrytëzuar pronën e kontestuar pa u penguar nga viti 1971, se pas vitit 1999 ai e ka kuptuar që prona është në emër të Ndërmarrjes Shoqërore, dhe se në vitin 2007 ai ka dorëzuar padinë në Gjykatën Komunale në Prishtinë për kthimin e pronave.”
- Më 2 nëntor 2017, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nxori Aktgjykimin AC-I-17-0568, përmes të cilit:
Në pikën I, e pranoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të bazuar,
Në pikën II, e ndryshoi Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar SCC-11-0085, të datës 22 gusht 2017,
Në pikën III,e pranoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, dhe
Në pikën IV, konstatoi se paditësi është pronar në lidhje me ngastrat kadastrale nr. 2/257/28, në vendin e quajtur “Gavrilova Njiva”, me kulture arë, e klasit të V-të, në sipërfaqe prej 1.56,00 ha; nr. 2/257/37, në vendin e quajtur “Vasina Njiva”, me kulturë arë, e klasit të V-të, në sipërfaqe prej 1.05,00ha, nr. 2/257/40 në vendin e quajtur “Slanište”, me kulturë arë, e klasit të V-të, në sipërfaqe prej 0.41,00 ha, dhe nr. 0/257/43 në vendin e quajtur “Slanište”, me kulturë arë, e klasit të V-të, në sipërfaqe prej 1.03,00 ha, të cilat janë të evidentuara në fletën poseduese nr. 45, ZK Matiqan.
- Në arsyetimin e Aktgjykimit AC-I-17-0568, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, theksoi:
“Kolegji i Apelit vëren se paditësi padinë e tij pronësore e mbështet në Kontratën mbi shitblerjen e patundshmërisë të lidhur me datë 23.07.1971 në mes tij dhe personit fizik L(Q) N nga Matiqani. Kontrata e shitblerjes i referohet ngastrave të kontestuara. E paditura as nuk e kundërshton ekzistimin e kësaj kontrate me shkrim e as që e vë në pyetje pretendimin e paditësit se menjëherë pasi që kontrata është nënshkruar, prona në fjalë i është dorëzuar atij dhe se ai e posedon atë që atëherë. […]
Është e saktë se kontrata e shitblerjes në fjalë nuk është vërtetuar në Gjykatën kompetente. Por kjo nuk ka qenë një kërkesë ligjore në kohën e lidhjes të saj. Në atë kohë, kontrata e shitjes në lidhje me parcelën e kontestuar ishte nënshkruar dhe toka i ishte dorëzuar paditësit, kërkesë e domosdoshme ligjore, për të fituar pronësinë mbi pronën e paluajtshme përmes transkasionit ligjor, ishte dhënë me Ligjin mbi Transaksionet duke përfshirë tokat dhe Ndërtesat(gazeta zyrtare e RSFJ-së nr.43/65). Në lidhje me transaksionet mes qytetarëve, ligji cek vetëm një kërkesë: Kontrata duhet që të jetë më shkrim (neni 9 i Ligjit në fjalë).
Regjistrimi që mungon i transaksionit në të drejtat pronësore nuk e pengoi transferin e të drejtave të pronësisë në vitin 1971 meqë regjistrimi nuk ka qenë një element përbërës i transaksionit të të drejtave pronësore të pronës së paluajtshme gjersa Ligji mbi Marrëdhëniet Themelore Pronësore(Gazeta zyrtare e RSFJ-së nr.6/80) hyri në fuqi me datë 01 shtator 1980.
Me rastin në fjalë i takon të paditurës për të ofruar faktet të mjaftueshme të cilat tregojnë një shkëmbim të vlefshëm të drejtave të pronës […]. E paditura[…] duhet qe ta dij se në çfarë bazash ka fituar të drejtën në fjalë […] ”
Kërkesa e parashtruesit të kërkesës për korrigjim të Aktgjykimit AC-I-17-0568 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 2 nëntorit 2017 dhe nxjerrjen e aktgjykimit plotësues
- Më 4 dhjetor 2017, avokati i parashtruesit të kërkesës dorëzoi një parashtresë në DHPGJS për korrigjimin e Aktgjykimit AC-I-17-0568 të Kolegjit së Apelit të DHPGJS-së të 2 nëntorit 2017, përmes së cilës kërkoi që:
- të bëhet korrigjimi i Aktgjykimit AC-I-17-0568 i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në lidhje me numrin e ngastrave kadastrale në vijim: për ngastrën kadastrale nr. 2/257/37, vendi i quajtur “Vasina njiva”, me kulturëarë , klasa eV-të, në sipërfaqe prej 1.05.00 ha, kërkon të korrektohet si ngastra kadastrale nr. 604, vendi i quajtur “Njelmësina”, me kulturë arë, në sipërfaqe prej 1.03.70 ha, tëevidentuarasipas fletës poseduese nr. 389,ZK Matiqan, ndërsa për ngastrën kadastrale nr. 2/257/40, vendi i quajtur “Sllanishte”, me kulturë arë, klasae V-të, në sipërfaqe prej 0.41.00 ha, kërkon të korrektohet si ngastra kadastrale nr. 601, vendi i quajtur “Njelmësina”, me kulturë arë, klasa eV-të, në sipërfaqe prej 0.41.66 ha, të regjistruara sipas fletës poseduese nr. 389, ZK Matiqan.
- Kolegji i Apelit i DHPGJS-së të nxjerrë një Aktgjykim plotësues, me të cilin e paditura do të obligohej që parashtruesit të kërkesës në emër të kompensimit të ngastrave kadastrale 588/1, vendi i quajtur “Gavrilova Njiva”, me kulture arë, klasa e V-të , në sipërfaqe prej 1.56.45 ha dhe ngastrës kadastrale nr. 598, vendi i quajtur “Vasina Njiva”, me kulturë arë, klasa eV-të, në sipërfaqe prej 1.04.98 ha, në sipërfaqe të përgjithshme prej 2.61.43 ha, të cilat me Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë P.nr.645/04 të 20.02.2007 iu kanë dhënë personave të tretë (familjes S.) t’i jepen si kompensim ngastrat kadastrale në vijim:
- 523, plani 3, skica 7, në vendin e quajtur “Utrina”, kultura kullosë, e klasit të 3-të, në sipërfaqe prej 0.32.09 ha
- 524, plani 3, skica 7, në vendin e quajtur “Utrina D. Potok”, kultura arë, e klasit të7-të , në sipërfaqe prej 0.62.98 ha
- 525, plani 3, skica 7, u në vendin e quajtur “Utrina D. Potok”, kultura kullosë, e klasit të2-të, në sipërfaqe prej 0.10.03 ha
- 526, plani 3, skica 7, në vendin e quajtur “Utrina D. Potok”, kultura arë, e klasit të 6-të, në sipërfaqe prej 0.21.96 ha,
- 536, plani 3, skica 7, në vendin e quajtur “Utrina Vina Lozje”, kultura kullosë, e klasit të3-të, në sipërfaqe prej 1.06.44 ha,
- 552/2, plani 3, skica 9, në vendin e quajtur “Utrina Veternik”, kultura arë, e klasit të7-të, në sipërfaqe prej 0.57.60 ha, të cilat gjenden në Zonën Kadastrale në Çagllavicë, e të cilat evidentohen në listën poseduese nr. 222.
- Më 13 dhjetor 2017, Kolegji i Apelit lëshon një urdhër për Avokatin e parashtruesit të kërkesës me të cilin kërkon që në afat prej pesë (5) ditësh, nga data e pranimit të urdhrit, t’i dërgon gjykatës dokumente kadastrale duke përfshirë historinë kadastrale për të vërtetuar pretendimet e paraqitura në parashtresën e dorëzuar të 7 dhjetorit 2017, në lidhje me ndryshimin e numrave të ngastrave kadastrale në fjalë të cekura në pikën IV të Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568, të 2 nëntorit 2017.
- Më 21 dhjetor 2017, avokati i parashtruesit të kërkesës, parashtroi një kërkesë në Komunën e Prishtinës- Drejtorinë për Kadastër, me të cilën kërkonte që t’i lëshohet dokumenti me shënime, në pajtim me urdhrin e DHPGJS-së të 13 dhjetorit 2017.
- Më 26 dhjetor 2017, avokati i parashtruesit të kërkesës dorëzoi një parashtresë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, përmes së cilës e informoi atë se ai kishte kërkuar të dhëna nga Drejtoria për Kadastër e Komunës së Prishtinës sipas urdhrit të gjykatës, por se nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje.
- Më 16 janar 2018, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nxori Aktvendimin [AC-I-17-0568], me të cilin parashtresën e parashtruesit të kërkesës për korrigjim dhe plotësim të Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, AC-I-17-0568 , të 2 nëntorit 2017, e hodhi poshtë si të papranueshme, duke theksuar:
“Në bazë të nenit 49 të Shtojcës së LDHP, korrigjimet e gabimeve administrative me kërkesën e palës bëhën në afatin prej 2 javësh pas dorëzimit të Aktgjykimit. Ndërsa në bazë të nenit 50 të Shtojcës së LDHP-së, sipas kërkesës së palës Aktgjykimi plotësohet në afatin prej 15 ditëve pas pranimit të të Aktgjykimit. Në rastin konkret Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 i datës 02.11.2017, është pranuar nga paditësi me datë 17.11.2017, ndërsa afati për korrigjimin dhe plotësimin e tij ka qenë deri më me 04 dhjetor 2017. Kolegji i Apelit vëren se avokati i paditësit parashtresën për korrigjimin dhe plotësimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Kolegjit të Apelit e ka dorëzuar më 05 dhjetor 2017, rrjedhimisht me një ditë vonesë…”.
- Më 23 janar 2018, avokati i parashtruesit të kërkesës e dorëzoi edhe një parashtresë tjetër në DHPGJS me të cilën kërkoi shfuqizimin e Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-17-0568], të 16 janarit 2018. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që të përsëritet procedura në lidhje me kërkesën e 4 dhjetorit 2017, në lidhje me korrigjimin dhe plotësimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-17-0568] të 2 nëntorit 2017, sepse parashtresa e tij për korrigjimin dhe plotësimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit është dërguar me postë më 4 dhjetor 2017, në bazë të së cilës mund të konkludohet se ajo ishte dorëzuar brenda afatit.
- Gjykata konstaton se në periudhën prej 2 shkurtit 2018 deri më 14 mars 2019, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së ndërmori një numër veprimesh procedurale në mënyrë që të përcaktonte dhe identifikonte parcelat e kontestuara, të gjitha me qëllim që të merrte një vendim mbi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për korrigjim të Aktgjykimit AC-I-17-0568 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 2 nëntorit 2017 në lidhje me numrat e parcelave kadastrale dhe çështjen e kompensimit të mundshëm.
- Më 2 shkurt 2018, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së i lëshoi një urdhër Drejtorisë për Kadastër në Prishtinë në të cilin kërkonte nga ajo që brenda afatit prej 5 ditëve, t’i dërgojë gjykatës një histori të ngastrave kadastrale 2/25728, 2/257/37, 2/257/40 dhe 2/257/43, të evidentuara sipas fletës poseduese nr. 45, të lëshuar nga Drejtoria e Kadastrit më 21 korrik 1969.
- Nga shkresat e lëndës rrjedh se, Drejtoria për Kadastër në Prishtinë nuk është përgjigjur brenda afatit të përcaktuar.
- Me atë rast, më 22 shkurt 2018, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së lëshoi një urdhër të ri për Drejtorinë për Kadastër në Prishtinë, përmes të cilit kërkoi nga ajo që brenda afatit prej 5 ditësh, t’i sqarojë gjykatës nëse ngastra kadastrale nr. 2/257/43 është e njëjtë me ngastrën kadastrale nr. 604, dhe nëse ngastra kadastrale nr. 2/257/40 është e njëjtë me ngastrën kadastrale nr. 604, sikur që pretendon paditësi, gjithashtu të sqarojë ne emër të kujt udhëhiqen ngastrat kadastrale nr. 604 dhe nr. 601 në regjistrat kadastralë.
- Të njëjtën ditë, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së lëshoi një urdhër për AKP-në, në të cilin kërkoni nga AKP-ja që të jep komentet e veta mbi parashtresën e parashtruesit të kërkesës të 4 dhjetorit 2017, në lidhje me korrigjimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit [AC-I-17-0568] të 2 nëntorit 2017, si dhe në lidhje me parashtresën e paditësit të dorëzuar në DHPGJS më 23 janar 2018, me të cilën kërkon shfuqizimin e Aktvendimit të Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 të 16 janarit 2018.
- Më 2 mars 2018, Agjencia Kadastrale e Kosovës, iu përgjigj Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, duke pohuar, se ata kanë shënime nga vitet 1983 deri më 1988, por jo për më herët. Numrat e njësive kadastrale të kadastrit nuk janë numrat e njëjtë kadastralë që ekzistojnë sot në operatin kadastral, dhe për verifikimin dhe krahasimin e numrave duhet pasur dokumentet kadastrale para vitit 1983, të cilat Agjencia Kadastrale e Kosovës nuk i posedon. Tutje, Agjencia Kadastrale në përgjigjen e saj deklaroi se ishte e pamundur të konstatohet nëse bëhet fjalë për pronën e njëjtë me numrat e njësive të cilat janë cekur në urdhrin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, dhe se ngastrat nr. 601/0 dhe 604/0, ZK Matiqan, janë në pronësi të PSH, KBI “Kosova Export”, D.P.S. Kosovo Export.
- Të njëjtën ditë, AKP-ja dorëzoi një parashtresë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, duke pohuar se nuk ka elemente për korrigjime teknike të Aktgjykimit AC-I-17-0568 siç pretendon parashtruesi i kërkesës. AKP-ja gjithashtu pohon se ngastrat nr. 601 dhe 604, të evidentuara në fletën poseduese nr. 389, ZK Matiqan, as që janë shqyrtuar me Aktgjykimin e Kolegjit të Apelit. Tutje, AKP-ja pohoi se propozimi i paditësit për të nxjerrë Aktgjykim plotësues që e obligon AKP-në që të kompensojë ngastrat kadastrale nr. 588/1 dhe 598 me ngastrat tjera kadastrale, të cilat parashtruesi i kërkesës i ka cekur në parashtresën e tij, nuk është i lejueshëm në bazë të LDHP-së. AKP-ja në parashtresë gjithashtu pohoi se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së me Aktvendimin [AC-I-17-0568] të 16 janarit 2018 e ka hedhur poshtë parashtresën – propozimin e parashtruesit të kërkesës për korrigjim dhe plotësim të Aktgjykimit, andaj kjo çështje është vendosur me vendim përfundimtar dhe konsiderohet si çështje e gjykuar.
- Më 7 mars 2018, avokati i parashtruesit të kërkesës dorëzoi edhe një parashtresë të re në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, në të cilën, ndër të tjera, pohoi “se ka angazhuar në cilësinë e eskpertit gjeodetin e licencuar për shërbime kadastrale gjeodezike, dhe se sipas ekspertizës së tij ai pohon se ngastra sipas kadastrit përshkrues 2/257/40 është e njëjtë me ngastrën kadastrale sipas kadastrit të tokave, ngastra nr. 601, ndërsa ngastra kadastrale nr. 2/257/43 sipas kadastrit përshkrues është e njëjtë me ngastrën kadastrale sipas kadastrit të tokës nr. 604, që do të thotë se bëhet fjalëpër të njëjtën patundshmëri”.
- Më tej, sa i përket ngastrës nr. 2/257/28 sipas kadastrit përshkrues, avokati i parashtruesit të kërkesës pohon se është e njëjta me ngastrën kadastrale sipas kadastrit të tokës, ngastra nr. 588/1, ndërsa ngastra sipas kadastrit përshkrues 2/257/37 është e njëjtë me ngastrën kadastrale sipas kadastrit të tokave nr. 598. Këto janë ngastrat që i janë dhënë familjes S., dhe për të cilat ata kërkojnë ngastra të tjera dhe nxjerrjen e një aktgjykimi të ri.
- Më 29 mars 2019, gjyqtari përgjegjës i lëndës e dorëzon një kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës, dedikuar për Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Serbisë, me qëllim të ofrimit të informatave relevante kadastrale për fletën poseduese nr. 45, e cila është lëshuar më 21.07.1969, e në lidhje me ngastrat kadastrale: ngastra nr. 2/257/43, vendi i quajtur “Vasina Njiva”, me kulturë arë, në sipërfaqe prej 1.03.00 ha dhe ngastra 2/257/40, në vendin e quajtur “Slanište”, me kulturë arë, në sipërfaqe prej 00.41.00 ha, Zona Kadastrale Matiqan.
- Më 30 nëntor 2018, Enti Republikan i Gjeodezisë i Republikës së Serbisë i dërgoi një përgjigje Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së. Në parashtresë, Enti Republikan i Gjeodezisë i Republikës së Serbisë pohon se pas kërkimeve tërësore të shënimeve të Komunës Kadastrale Matiqan, ngastrat nr. 2/257/43 dhe nr. 2/257/40, të cilat janë të evidentuara në emër të mbajtësit N.Q.L., ndërsa sipas matjes së re ngastrat mbajnë numrat 601 dhe 604 dhe janë të regjistruara në listën regjistruese 389. Për më tepër, Enti Republikan i Gjeodezisë i Republikës së Serbisë pohon se Dega e Arkivit e Republikës së Serbisë në Beograd – Dega e Prishtinës, me kërkim fizik me dorë, as gjatë skanimit dhe digjitalizimit të dokumenteve për Kosovë , nuk ka gjetur asgjë nga dokumentacioni i kërkuar.
- Më 20 dhjetor 2018, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nxori Aktvendimin [AC-I-17-0568], përmes së cilit e caktoi ekspertin e gjeodezisë, Sh.P., nga Prishtina që të kryej ekspertizën e kërkuar.
- Më 21 dhjetor 2018, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së lëshoi një urdhër për AKP-në dhe parashtruesin e kërkesës, në të cilin kërkonte që ata të japin komentet e tyre, nëse kanë, në lidhje me parashtresën e Entit Republikan të Gjeodezisë të Republikës së Serbisë.
- Më 28 dhjetor 2018, AKP-ja dorëzoi përgjigjen e saj ku deklaronte, “se nuk e ka të qartë për çfarë arsye i është dorëzuar një një parashtresë e tillë, për një çështje e cila tashmë është mbyllur”.
- Parashtruesi i kërkesës nuk u përgjigj në urdhrin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 21 dhjetorit 2018.
- Më 23 janar 2019, AKP-ja e dorëzoi edhe një parashtresë tjetër në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, me të cilën kërkonte që ai të mos ndërmarrë asnjë veprim procedural në këtë rast pasi që Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 i 2 nëntorit 2017, është bërë i plotfuqishëm, dhe se i njëjti e ka fituar fuqinë e çështjes së gjykuar (res judicata).
- Më 24 janar 2019, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së i dërgoi parashtresën e AKP-së, së 23 janarit 2019, parashtruesit të kërkesës, duke i dhënë atij 7 ditë afat për t’u përgjigjur në te.
- Avokati i parashtruesit të kërkesës, brenda afatit ligjor, iu përgjigj komenteve të AKP-së, duke deklaruar se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit [AC-I-17-0568] i 16 janarit 2018 nuk mund të ishte res judicata, pasi që ka qenë një lëshim i gjykatës, i cili si i tillë është prishur. Sa i përket pronës lëndore, parashtruesi i kërkesës deklaron se ajo ishte precizuar me parashtresën e paditësit të 5 dhjetorit 2014.
- Më 4 mars 2019, eksperti i gjeodezisë i caktuar me urdhrin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së e dorëzoi raportin e ekspertizës gjeodezike lidhur me ngastrat lëndore. Në këtë raport eksperti i gjeodezisë konstaton se më 26 janar 2019 ka qenë në terren… dhe se sipas dokumentacionit të vlefshëm me të cilin disponon dhe punon Drejtoria për Kadastër, ngastra kontestuese nr. 601-0 dhe nr. 604-0 evidentohen si pronë Shoqërore e K.B.I. “Kosova Eksport” me seli në Fushë Kosovë dhe atë në bazë të ajro-incizimit të vitit 1972, i cili ka hyrë në fuqi më 31.12.1980. […] në këtë raport, thuhet se ngastra nr. 601-0 është e njëjtë me numrin e ngastrës sipas kadastrit përshkrues nr. 2/257/40, ndërsa ngastra nr. 604-0 është e njëjtë me ngastrën kadastrale sipas kadastrit përshkrues nr. 2/257/43.
- Më 5 mars 2019, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së lëshoi një urdhër për parashtruesin e kërkesës dhe AKP-në, me të cilin u dha atyre mundësinë të paraqesin komentet e tyre në lidhje me raportin e ekspertizës brenda afatit prej 7 ditë
- Më 12 mars 2019, avokati i paditësit i dorëzoi një parashtresë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në të cilën deklaronte se nuk kishte vërejtje në lidhje me ekspertizën e ekspertit të gjeodezisë në pjesën në të cilën objekti i ekspertizës ishte në lidhje me ngastrat nr. 601 dhe nr. 604, por ka vërejtje për faktin se Kolegji i Apelit e ka aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit, ashtu që kërkesa për korrigjimin e Aktgjykimit ka të bëjë edhe me ngastrat e tjera kadastrale nr. 523, nr. 524, nr. 526 dhe nr. 552/2.
- Më 13 mars 2019, AKP-ja i dorëzoi një parashtresë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, në të cilën deklaronte: […] për të identifikuar një parcelë të kadastrit përshkrues dhe për ta krahasuar me numrin e parcelës në kadastrin e matjeve, eksperti do të duhej të kishte dy elaboratet, atë përshkrues dhe atë të matjeve (ajro-incizimin stero fotogrametrik). AKP-ja në këtë parashtresë i propozon gjykatës që të mos e merr për bazë konstatimin e tillë të ekspertit dhe propozon një super-ekspertizë ku do të merreshin parasysh vërejtjet e AKP-së dhe sqarimi i lëndës në tërësi.
- Më 14 mars 2019, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nxori Aktvendimin AC-I-17-0568 me të cilin vendosi:
- Kërkesa e paditësit e 23 janarit 2018, për shfuqizimin e Aktvendimit të Kolegjit të Apelit, AC-I-17-0568 të 16 janarit 2018 është e bazuar.
- Shfuqizohet Aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-sëAC-I-17-0568 i 16 janarit 2018.
- Aprovohet kërkesa e paditësit për korrigjimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 të 2.11.2017, lidhur me numrat e ngastrave të cekura në pikën IV të dispozitivit të këtij Aktgjykimi.
- Korrigjohen në pikën IV të dispozitivit të Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 të 02.11.2017, numri i ngastrave si në vijim: për ngastrën kadastrale nr. 27257/43, numri i saktë i ngastrës duhet të jetë nr. 604 në vendin e quajtur “Njelmësina”, me kulturë Arë, e klasit tëV, në sipërfaqe prej 1.03,00 ha, e evidentuar sipas fletës poseduese nr.389, ZK Matiqan; ndërsa për ngastrën nr.2/257/40, numri i saktë i ngastrës duhet të jetë nr.601, në vendin e quajtur “Njelmësina”, me kulturë Arë, e klasit tëV, në sipërfaqe prej 0.41,00 ha, e evidentuar sipas fletës poseduese nr.389, ZK Matiqan. Pjesa tjetër e pikës IV të dispozitivit mbetet e pandryshuar.
- Kërkesa e paditësit e parashtruar në parashtresën e dorëzuar më 4 dhjetor 2017 lidhur me nxjerrjen e Aktgjykimit plotësues dhe njohjen e të drejtës së pronësisë për ngastrat vijuese: nr. 523, në vendin e quajtur“Utrina”në sipërfaqe prej 0.32.09 ha, nr. 524, në vendin e quajtur“Utrina D. Potok”në sipërfaqe prej 0.62.98 ha, nr. 525, në vendin e quajtur“Utrina D. Potok”në sipërfaqe prej 0.10.03 ha, nr. 526, në vendin e quajtur “Utrina D. Potok”në sipërfaqe prej 0.21.96 ha, nr. 536, në vendin e quajtur “Utrina Vina Lozje”në sipërfaqe prej 1.06.44 ha, nr. 552/2 në vendin e quajtur“Utrina Veternik”në sipërfaqe prej 0.57.60 ha, të cilat gjenden në Zonën Kadastrale në Çagllavicë, të evidentuara në listën poseduese 222, dhe të cilat paditësi i kërkon t’i jepen si kompensim në vend të ngastrave nr. 2/257/28 që ai pohon se sipas kadastrit në fuqi mban nr. 588/1, vendi i quajtur “Gavrilova Njiva” në sipërfaqe prej 1.56.45 ha, dhe ngastrës kadastrale nr. 2/257/37 që ai pohon se sipas kadastrit në fuqi mban nr. 598, vendi i quajtur “Vasina Njiva” në sipërfaqe prej 1.04.98 ha, hedhet poshtë si e papranueshme.
- Për sa i përket pikës I, dhe pikës II të dispozitivit të Aktvendimit [AC-I-17-0568], për shfuqizimin e Vendimit të Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 të 16 janarit 2018, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së deklaroi:
“Kolegji i Apelit ka konstatuar se pohimi i paditësit se kërkesa e tij për korrigjimin dhe plotësimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit është dorëzuar me datë 04.12.2017, është i bazuar, pasi që këtë pohim ai e vërteton edhe me vërtetimin për pranimin e dërgesës në postë, që mban vulën me datë të njëjtë. Për më tepër Kolegji i Apelit vëren poashtu se paditësi parashtresën e tij për korrigjimin dhe plotësimin e Aktgjykimit e ka dërguar përmes postës, pasi që në dosje është plikoja e kësaj dërgese, në të cilën pliko është vula e postës që mban datën 04.12.2017, dhe këtë fakt Kolegji i Apelit nuk e ka vërejtur kur e ka marrë Aktvendimin AC-I-17-0568 të datës 16.01.2018 “.
- Për sa i përket pikave III dhe IV të dispozitivit të Aktvendimit AC-I-17-0568, për korrigjimin dhe plotësimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 të 2 nëntorit 2017, në lidhje me numrat e ngastrave të përmendura, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së konkludoi:
“Kolegji i Apelit i DHPGJS-së ka shqyrtuar edhe pretendimet e paditësit të dhëna në parashtresën e këtij të fundit e cila është dorëzuar në DHPGJS më datë 12 mars 2019 dhe ato pretendime nuk i ka pranuar si të bazuara.Kolegji i Apelit ka bërë korigjimin e numrit të ngastrave 2/257/43 dhe 2/257/40 që ishin objekt i kontratës së shitblerjes të vitit 1971, në bazë së cilës bazohet Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 të datës 02.11.2017. Kurse për dy ngastrat tjera 2/257/28 dhe 2/257/33 të cilat ishin objekt i kontratës së shitblerjes të vitit 1971, edhe vetë paditësi në parashtresën e tij për korrigjim dhe plotësim të Aktgjykimit qëështë dorezuar në DHPGJS më datë 04 dhjetor 2017, ka pohuar se në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Komunale të Prishtinës C.nr.645/04 të datës 20.02.2007, këto dy ngastra janë në emër të personave privat, dhe në vend të këtyre dy ngastrave ai ka kërkuar kompensim me ngastra tjera, e cila kërkesë për plotësim të Aktgjykimit të datës 02.11.2017, në bazë të arsyeve në vijim hedhet poshtë si e papranueshme.”
- Për sa i përket pikës V të dispozitivit të Aktvendimit [AC-I-17-0568], për kërkesën për nxjerrjen e aktgjykimit plotësues, me të cilin parashtruesit të kërkesës do t’i jepeshin ngastrat nr. 552/2, nr. 523, nr. 524 nr. 525, nr. 526, nr. 536, si një lloj kompensimi për dy ngastrat kadastrale nr. 588/1 dhe nr. 598, të cilat ngastra, sipas tij, në mënyrë të kundërligjshme i janë marrë atij me Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë P. nr. 645/04 të 20 shkurtit 2007, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së konkludoi:
“Kolegji i Apelit vëren se i ka adresuar pretendimet ankimore të parashtruesit të parashtruara në ankesën e datës 18 shtator 2017 ndaj Aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar SCC-11-0085 të datës 22.08.2017, andaj lidhur me ankesën e tij tashmë i ka dhënë zgjidhjet e përcaktuara në dispozitivin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 të datës 02.11.2017.
Rrjedhimisht, Kolegji i Apelit vlerëson që nuk ka mbetur ndonjë çështje e pazgjidhur, andaj nuk vlerëson se ka arsye ligjore për nxjerrjen e Aktgjykimit plotësues për të zgjidhur në këtë fazë të procedurës, kërkesat e paditësit për kompensim me ngastra tjera të cekura në parashtresën e datës 04 dhjetor 2017.
Për më tepër në bazë të nenit 10.14, të LDHP-së Aktgjykimet e Kolegjit të Apelit janë përfundimtare ndaj të cilëve nuk ka mundësi të paraqiten mjetet e jashtëzakonshme juridike.
Parashtresa e paditësit e datës 04 dhjetor 2017 lidhur me kërkesën per nxjerrjen e Aktgjykimit plotësues, në këtë fazë të procedurës, nuk mund të trajtohet as si kërkesë për rihapje të procedurës në kuptim të nenit 232 të LPK-së.
Andaj në bazë të këtyre arsyeve, kërkesa e paditësit për nxjerrjen e Aktgjykimit plotësues dhe detyrimin e të paditurës që paditësit për ngastrat e humbura, t’ia kompensoj me ngastrat e cekura më lartë, duhet të hedhet poshtë si e papranueshme.”
Procedura në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me kërkesën KI120/19
- Më 17 korrik 2019, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatë, të cilën Gjykata e regjistroi me numrin KI120/19.
- Në kërkesën KI120/19, parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktvendimi [AC-I-17-0568] i Kolegjit të Apelit të DHPGJ-së i 14 marsit 2019, i ka shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së, si dhe nenet 8, 14 dhe 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
- Në thelb, pretendimi kryesor i ankuesit në lidhje me shkeljen e të drejtave të garantuara me kushtetutë i referohej shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ. Kërkuesi i shpjegoi këto pretendime si më poshtë”[…] Aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, AC-I-17-0568, i 14 marsit 2019, përmban mangësi në lidhje me arsyetimin i cili nuk është shprehur dhe elaboruar mjaftueshëm, sepse Kolegji i Apelit të DHPGJS-së në pikën III të dispozitivit të Aktvendimit, ka vendosur të aprovojë kërkesën e paditësit për korrigjimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit AC-I-17-0568 të 2 nëntorit 2017 në lidhje me numrat e ngastrave kadastrale. Megjithatë, në pikën e njëjtë është vendosur vetëm për korrigjimin e dy ngastrave, dhe atë ngastrës me numër 604 dhe ngastrës me numër 601, ndërsa pjesa tjetër e pikës IV të dispozitivit të Aktgjykimit mbetet e pandryshuar. Për më tepër, në pikën V të dispozitivit të Aktvendimit të 14 marsit 2019, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së e refuzon në tërësi kërkesën alternative për nxjerrjen e një aktgjykimi plotësues duke mos e shpjeguar arsyen”.
- Më 25 nëntor 2021, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe me shumicë votash i rekomandoi Gjykatës që kërkesën KI120/19 ta deklarojë të pranueshme dhe të vlerësojë përmbajtjen e kërkesës.
- Të njëjtën ditë, Gjykata nxori Aktgjykimin në lidhje për kërkesën KI120/19, në të cilin konstatoi se: “Duke marrë parasysh shqyrtimet e mësipërme dhe procedurën në tërësi, Gjykata konsideron që një pjesë e arsyetimit në piken V të dispozitivit të Aktvendimit AC-I-17-0s68 të Kolegjit të Apelit te DHPGJS, të 14 marsit 2019, në lidhje me kompensimin, si dhe një pjesë të Aktgjykimit AC-I-17-0S68 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 2 nëntorit 2017, gjithashtu në pjesën që lidhet me çështjen e kompensimit, janë nxjerrë në shkelje të të drejtave të parashtruesit të kërkesës për një vendim gjyqësor të arsyetuar, si pjesë integrale e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së” (paragrafi 139 të Aktgjykimit KI120/19).
- Në pajtim me këtë, Gjykata konstatoi që “[…] me nxjerrjen e Aktgjykimit AC-I-17- 0568 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 2 nëntorit 2017, si dhe Aktvendimin AC-I-17-0568 të 14 marsit 2019, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nuk arriti të arsyetojë në detaje pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës në lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen dhe rezultatin e procedurës lidhur me çështjen e i) kërkesëpadisë për pronën në fjalë jo në tërësi, por vetëm pjesërisht, ii) çështjen e kompensimit të mundshëm, si një kërkesë alternative” (paragrafi 142 të Aktgjykimit KI120/19).
- Në lidhje me këtë. Gjykata konstatoi: I. TA DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme; II. TË KONSTATOJË, me shumicë votash, se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të nenit 6 [E drejta për një proces te rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut; III. TË SHP ALLË, me shumicë votash, të pavlefshme pikën V të dispozitivit të Aktvendimit AC-I-17-0568 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 14 marsit 2019, në pajtim me aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Procedura e përsëritur në Kolegjin e Apelit të DHPGJ-së, në të cilën shqyrtoi gjetjet dhe udhëzimet e Gjykatës nga aktgjykimi KI120/19
- Më 27 janar 2022, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, duke marrë parasysh gjetjet nga aktgjykimi i Gjykatës nga kërkesa KI120/19, mbajti seancën, në të cilën nxori Aktvendimin [AC-I-21-0855], me të cilin „[…] refuzohet si e pa bazuar kërkesa e paditësit (parashtruesit të kërkesës) e parashtruar ne parashtresën e dorëzuar DHPGJSK-së me datë 04 Dhjetor 2017, lidhur me nxjerrjen e Aktgjykimit Plotësues dhe njohjen e të drejtës së pronësisë për ngastrat vijuese: nr. 523, vendi i quajtur “Utrina” në sipërfaqe prej 0.32.09 ha, nr. 524, në vendin e quajtur “Utrina D.Potok” në sipërfaqe prej 0.62.98 ha, nr. 525, në vendin e quajtur “Utrina D.Potok” në sipërfaqe prej 0.10.03 ha, nr. 526, në vendin e quajtur “Utrina D.Potok” në sipërfaqe prej 0.21.96 ha, nr. 536, në vendin e quajtur “Utrina Vina Lozje” në sipërfaqe prej 1.06.44 ha, nr. 552/2 në vendin e quajtur “Utrina Veterrnik” në sipërfaqe prej 0.57.60 ha, të cilat gjenden në Zonën Kadastrale në Çagllavicë, të evidentuara në listën poseduese 222, dhe të cilat Paditësi i kërkon ti jepen si kompensim në vend të ngastrave nr. 2/257/28, që ai pohon se sipas kadastrit në fuqi mban nr. 588/l, vendi i quajtur “Gavrillova Njiva” në sipërfaqe prej 1.56.45 ha, dhe ngastrën kadastrale nr. 21257/37 që ai pohon se sipas kadastrit në fuqi mban numrin nr. 598, vendi i quajtur “Vasina Njiva” në sipërfaqe prej 1.04.98 ha”.
- Duke pasur parasysh rëndësinë e procedurës që ka zhvilluar Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në procedurën e përsëritur, Gjykata është e mendimit se është me rëndësi të madhe të paraqesë në tërësi në këtë pjesë të Aktvendimit arsyetimin ligjor të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së nga Aktvendimi [AC-I-21-0855] i 27 janarit 2022.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me kërkesën KI81/22
- Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston se me Aktvendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së, si dhe me nenet 8 dhe 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
- Megjithatë, duke parë thelbin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstaton në kërkesën e parashtruar një pretendim në të cilin ai thekson se “mbetemi në tërësi pranë pretendimeve si në Kërkesën për Vlerësimin e Kushtetutshmërisë (për të cilën Gjykata Kushtetuese ka vendosur me Aktgjykimin e saj KI120/19) të cilën do të ia bashkangjesim kësaj Kërkese. Dhe edhe një herë potencojmë se Kolegji i Apelit i DHPGJSK-së i ka përsëritur të gjitha shkeljet te cilat i ka gjetur Gjykata Kushtetuese e Kosovës me Aktgjykimin e saj KI120/19, pa dashur ti përsërisim të njëjtat (i cili Aktgjykim do ti bashkëngjitet kësaj Kërkese).
- Më tej, Gjykata konstaton gjithashtu se një pjesë e pretendimit i referohet drejtpërdrejt procedurës së zhvilluar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në procedurën e përsëritur, ku mori Aktvendimin të cilin parashtruesi i kërkesës e konteston në këtë kërkesë.
- Pretendimet në mbështetje të shkeljeve të pretenduara të neneve të sipërpërmendura të Kushtetutës, të cilat parashtruesi i kërkesës i sjell në lidhje me Aktvendimin e kontestuar [AC-I-21-0855] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, janë pretendime në mbështetje të moszbatimit të udhëzimeve nga aktgjykimi KI120/19 i Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, si dhe mosmbajtjes së seancës publike në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së në procedurën e përsëritur. Këto pretendime janë si në vijim:
- “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosoves me Aktgjykimin e saj KI120/19, kishte dhënë instruksione të sakta për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë dhe atë në pikat 41 deri te pika 72 e Aktgjykimit e kishte elaboruar kërkesën e Parashtruesit të Kërkesës për korrigjimin e Aktgjykimit AC-I-17-0568 të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë të datës 02.11.2017. Pra, Gjykata Kushtetuese kishte dhënë arsyetime të thukëta lidhur me Kërkesën per korrektimin e Aktgjykimit të cilat nuk i kishte përfillur Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë me Aktvendimin e saj të cilin e kemi atakuar me këtë Kërkesë.
- Gjykata Kushtetuese po ashtu iu kishte referuar Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore ku i kishte përshkruar dispozitat e nenit 162, 163 dhe 164 të atij Ligji, krejt këto në formë të instruksioneve për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për rastet kur duhet të nxjerret Aktgjykim plotësues. Keto elaborime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë dhe DHPGJSK-ja nuk i kishte marrur parasysh.
- Kolegji i Apelit përveç që kishte përsëritur të gjitha shkeljet e gjetura nga Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e lartcekur, i njëjti kishte bërë shkelje edhe më të mëdha dhe atë e kishte shkelur Dispozitën e nenit 31, pika 2, të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, ku ishte sanksionuar, citoj: “Çdo kush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
- Në rastin konkret, Aktvendimi AC-I-2I-0855 i datës 27.01.2022, është marrë pa shqyrtim publik, dhe në mungesë të palëve ndërgjyqëse, bile Palëve ndërgjyqëse nuk iu ka dhënë mundësia as në formë të shkruar që të deklarohen, e as në formë verbale në një shqyrtim publik.
- Sipas udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese, në asnjë rast nuk ka mundur të merret vendimi pa plotësimin e parakushteve sipas Dispozitës së nenit 31 pika 2 të Kushtetutës të Republikës Kosovës, pasi që në këtë rast DHPGJSK-ja ka vendosur meritorisht duke refuzuar si të pa bazë Kërkesën e Paditësit për nxjerrjen e Aktgjykimit plotësues, gjë që paraqet vendim meritor (për dallim ku në rastin e Aktvendimit të shpallur të pa vlefshëm nga Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e lartcekur duke e kthyer çështjen në rishqyrtim ku DHPGJSK-ja e kishte hedhur Kërkesën e njëjtë të parashtruesit të kësaj Kërkese.
- Të metat në arsyetim lidhet me faktin se Kolegji i Ankesave të Dhomës së Posaçme fare nuk e ka trajtuar padinë e parashtruesit të kërkesës, ne veçanti precizimin e padisë që është bërë me 05.12.2014. e po ashtu nuk e ka trajtuar edhe Propozimin e vazhdueshëm për korrektimin e Aktgjykimit dhe propozimin për nxjerrjen e aktgjykimit plotësues.”
- Parashtruesi i kërkesës i drejtohet Gjykatës me kërkesën që të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, shkelje të nenit 8 të Deklaratës Universale për të Drejta të Njeriut, shkelje të nenit 46 të Kushtetutës. të Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut si dhe me nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së, ta shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [AC – I – 21 – 0855] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 27 janarit 2022 dhe ta kthejë për rishqyrtim.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
- Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[…]
Neni 46 [Mbrojtja e Pronës]
- E drejta e pronës është e garantuar.
- Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
- Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
- Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
- Prona intelektuale mbrohet me ligj”.
Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
- Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[…]
Neni 1 i Protokollit 1 (Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera”.
Dispozitat ligjore
Ligji nr. 06/l-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Ligji për privatizim)
“Neni 69 Procedurat e ankesës me gojë
- Me nismë të tij apo në bazë të kërkesës me shkrim nga një palë, Kolegji i Apelit vendos nëse do të mbajë një apo më shumë seanca dëgjimore lidhur me ankesën gjegjëse. Kolegji i Apelit merr parasysh çfarëdo kërkese për procedurë gojore që parashtrohet nga ndonjëra palë, e cila paraqet arsyet e saja për parashtrimin e kërkesës për procedurë gojore. Kërkesa e tillë parashtrohet para përfundimit të procedurave të ankesës me shkrim.
[…]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka plotësuar kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të specifikuara më tej në Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
„1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
- Gjykata gjithashtu i referohet edhe kritereve të pranueshmërisë, siç përcaktohet në Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
- Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj“.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
„ Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor… .”
- Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-21-0855] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 27 janarit 2002, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
- Përveç kësaj, Gjykata i referohet edhe rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) së Rregullores së punës. Rregulli 39 (1) (d) dhe (2) përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
- Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.
- Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si „qartazi e pabazuar“ në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.
- Në mënyrë që të vlerësojë pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtoj thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
- Në këtë Aktvendim, Gjykata do të fokusohet drejtpërdrejt në pretendimet e parashtruesit të kërkesës, të cilat i referohen pretendimit se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KI120/19 nuk është zbatuar plotësisht nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në procedurën e përsëritur. Më konkretisht, Kolegji i Apelit mori Aktvendimin [AC–I–21–0855] dhe me atë rast nuk ka vepruar sipas konstatimeve dhe udhëzimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin KI120/19.
- Megjithatë, me qëllim që Gjykata t’i përgjigjet në mënyrë të drejtë pretendimeve të parashtruesit të kërkesës nga kërkesa KI81/22, të cilat janë në mbështetje të mosekzekutimit të Aktgjykimit në rastin KI120/19 nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në procedurë të përsëritur, në vazhdim të Aktvendimit do të rikujtojë Aktgjykimin e saj, do t’i deklarojë vërejtjet dhe konstatimet nga Aktgjykimi KI120/19 dhe në fund do t’i theksojë të gjitha udhëzimet dhe instruksionet që i ka dhëne Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të cilat ai është dashur t’i kishte marrë parasysh në procedurën e përsëritur dhe të vepronte sipas tyre.
- Në pjesën e dytë të këtij Aktvendimi, Gjykata do të shqyrtojë pjesët thelbësore të Aktvendimit [AC – I – 21 – 0855] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të cilin e nxori në procedurë të përsëritur si rezultat i Aktgjykimit KI120/19.
- Në fund, Gjykata do të paraqesë mendimin dhe konkluzionet e saj në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës që mbështesin pretendimet e tij se: “Aktgjykimi KI120/19 i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbatuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së”.
Vërejtjet, konstatimet dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese nga Aktgjykimi KI120/19, për Kolegjin e Apelit të DHPGJ-së
- Vërejtjet e Gjykatës
- Duke analizuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kërkesën KI120/19, Gjykata vërejti një palogjikshmëri juridike, e cila lidhej me situatën në të cilën parashtruesi të kërkesës, pas përfundimit të procedurës gjyqësore në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, ku ishin vërtetuar të drejtat e tij pronësore mbi 4 parcela, është përballur me situatën që me Aktgjykim të formës së prerë [AC-I-17-0568] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 2 nëntorit 2017, atij i është njohur e drejta pronësore mbi katër ngastra kadastrale, por se ai nuk ka mundur t’i realizojë ato të drejta nga aktgjykimi sepse ngastrat kadastrale janë shënuar me shenja të vjetra kadastrale që nuk kanë qenë në përdorim në sistemin e ri kadastral të Kosovës.
- Për ta bërë këtë palogjikshmëri edhe më të madhe, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, në vendimet e tyre, i kanë njohur parashtruesit të kërkesës të drejtat pronësore mbi 4 parcela pavarësisht nga fakti se dy parcela qysh në vitin 2007 me Aktvendimin [C. nr. 645/04] të Gjykatës Themelore, i ishin dhënë familjes S. Pikërisht për realizimin e të drejtave të tij të pranuara, parashtruesi i kërkesës parashtroi dy kërkesa më 4 dhjetor 2017, në njërën ka kërkuar korrigjimin (korrigjimin teknik) të aktgjykimit, pra korrigjimin e pikës IV të dispozitivit të Aktgjykimit [AC-I-17-0S68], në lidhje me dy parcela kadastrale në mënyrë që ato të regjistrohen si pronë e tij, ndërsa në kërkesën e dytë kërkoi që Kolegji i Apelit i DHPGJS-së të marrë një aktgjykim plotësues në lidhje me kompensimin (tokë për tokë), siç ka specifikuar në kërkesëpadinë e vitit 2014.
- Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në vitin 2019 ka nxjerrë Aktvendimin [AC-I-17-0568] ku në pikën IV të dispozitivit korrigjoi numrat për dy parcela, në mënyrë që ai të ishte në gjendje t’i ushtrojë të drejtat e tij pronësore mbi to, ndërsa për pjesën tjetër të kërkesës lidhur me çështjen e kompensimit të mundshëm, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së ka dhënë një shpjegim në pikën V, i cili si i tillë nuk ishte i kuptueshëm për këtë Gjykatë dhe as ligjërisht i qëndrueshëm në situatën e dhënë, sepse thelbi i kërkesës së parashtruesit të kërkesës në lidhje me kompensimin e mundshëm mbeti edhe më tej i paarsyetuar.
(ii) Konstatimi i Gjykatës
- Pikërisht me qëllim të formësimit ligjor të kuptimit të vendimeve të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, kjo Gjykatë konstatoi se një pjesë e Aktvendimit [AC-I-17-0568] në pikën IV të dispozitivit nuk është problematike për arsye se me korrigjimin e numrave kadastralë për dy ngastra, parashtruesit të kërkesës iu mundësuar realizimi i të drejtave të tij. Megjithatë, duke mos shpjeguar pjesën e dytë të kërkesës së parashtruesit të kërkesës, që kishte të bënte me çështjen e kompensimit të mundshëm për dy parcelat që i ishin ndarë familjes S., por duke dhënë shpjegimin se pjesa e dytë e kërkesës u zgjidh me zgjidhjen e propozuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në aktgjykimin e 2 dhjetorit 2017, kjo Gjykatë e konstatoi si një shpjegim ligjërisht të paqëndrueshëm dhe arsyetim të padrejtë, me të cilin parashtruesi i kërkesës kthehet në fillim pa një përgjigje adekuate lidhur me të drejtën për kompensim të mundshëm..
- Kjo ndikoi që Gjykata të konstatojë se një pjesë e arsyetimit në pikën V të Aktvendimit [AC-I-17-0568] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 14 marsit 2019, në lidhje me kompensimin, si dhe një pjesë e Aktgjykimit [AC-I -17-0568] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së i 2 nëntorit 2017, gjithashtu në pjesën që ka të bëjë me çështjen e kompensimit të mundshëm, kanë mbetur plotësisht të pashpjeguara pavarësisht se këto pretendime kanë qenë të një rëndësie thelbësore. Kjo ndikoi në përfundimin se ato janë nxjerrë në kundërshtim me të drejtën e parashtruesit të kërkesës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, si pjesë përbërëse e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
iii) Udhëzimet e dhëna nga Gjykata në aktgjykimin KI120/19 për Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së
- Duke pasur parasysh se Gjykata konstatoi se dështimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së për të trajtuar pretendimin thelbësor të parashtruesit të kërkesës rezultoi në shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, si pjesë përbërëse e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata, në mbështetje të kësaj në aktgjykimin e saj KI120/19, ka theksuar në detaje se në cilën pjesë është shkelur kjo e drejtë e parashtruesit të kërkesës, në çfarë mënyre dhe me qëllim të eliminimit të të njëjtave, i dha Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së udhëzime sipas të cilave ai duhet të veprojë në procedurën e përsëritur.
- Pikërisht që të mos ketë paqartësi lidhur me udhëzimet e Gjykatës nga aktgjykimi KI120/19, interpretim të gabuar, si dhe fushëveprimin e tyre në lidhje me mënyrën në të cilën është dashur të zbatohen nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, Gjykata do t’i rikujtojë ato.
“[…] Gjykata është e mendimit se aktvendimi i 14 marsit 2019 për korrigjimin e aktgjykimit t[ 2 nëntorit 2017 nuk përmban shpjegimin e nevojshëm për të sqaruar çështjen e të drejtave pronësore të parashtruesit të kërkesës në lidhje me dy parcelat kadastrale ose një kompensimi të mundshëm. Më konkretisht, me arsyetime të tilla në aktgjykim dhe aktvendim, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së ngre dyshime të arsyeshme tek parashtruesi i kërkesës për të bërë pyetje, cili është statusi i dy parcelave gjithashtu të ndara atij me Aktgjykimin e 2 nëntorit 2017, përkatësisht nëse ai i ka të drejtat që i janë dhënë atij përmes aktgjykimit, dhe nëse i ka si do t’i realizoje ato, nëse nuk i ka pse nuk i ka ato, ose nëse ai ka të drejtë të kompensimit në mënyrën qe ai kërkoi përmes kërkesëpadisë së specifikuar të 5 dhjetorit 2014 (Paragrafi 132 i Aktgjykimit KI120/19).
Gjykata duke mos paragjykuar rezultatin e procedurës në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së në lidhje me pronën në fjalë mbi dy parcelat nr. 2/257/28, dhe nr. 2/257/37, dhe pa hyrë në pretendimet e tjera ankimore të parashtruesit të kërkesës, konsideron që aktvendimi për korrigjim i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, i 14 marsit 2019, duhet të anulohet vetëm në pjesën e pikës V të pjesës operative të aktvendimit përmes të cilit refuzohet kërkesa për nxjerrje të aktgjykimit plotësues. Ta kthejë atë pjesë të pikës V të aktvendimit në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, i cili do të shpjegojë dhe arsyetojë në mënyrë logjike dhe të vlefshme kërkesën e parashtruesit, si në lidhje me dy parcelat në fjalë, po ashtu edhe për çështjen e të drejtës së kompensimit në pajtim me petitumin e kërkesës, në mënyrën dhe në masën që do të plotësojë kërkesat e një vendimi të arsyetuar gjyqësor në pajtim me standardin dhe parimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të GJEDNJ-së (Paragrafi 133 i Aktgjykimit KI120/19).
- Rrjedhimisht, Gjykata i dha dy udhëzime të rëndësishme Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në aktgjykimin KI120/19, të cilat duhej t’i zbatonte në procedurën e re, dhe ato ishin: i) të shpjegonte dhe arsyetonte kërkesën e parashtruesit lidhur me statusin e dy parcelave në fjalë, dhe ii) të arsyetojë çështjen e së drejtës për kompensim të mundshëm.
- Gjykata konstaton se udhëzimet e dhëna nga aktgjykimi KI120/19 janë plotësisht të qarta, të cilat përcaktojnë drejtimin dhe shtrirjen e veprimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në procedurën e përsëritur me qëllim të eliminimit të shkeljes së identifikuar, me ç’rast udhëzimet e Gjykatës. vetë nuk lënë vend për interpretime të panevojshme dhe kualifikime të tyre.
Analiza e Aktvendimit [AC – I – 21 – 0855] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në kontekst të ekzekutimit të Aktgjykimit të Gjykatës KI120/19
- Gjykata thekson se nga Aktvendimi [AC – I – 21 – 0855] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, do të prekë vetëm ato pjesë të Aktvendimit që pasqyrojnë drejtpërdrejt udhëzimet e dhëna nga Gjykata në Aktgjykimin KI120/19. në mënyrë që të mund të shqyrtojë se a janë zbatuar to në mënyrën se si janë përcaktuar.
“Kolegji i Apelit vëren se thelbi i konstatimeve dhe i të gjeturave të Gjykatës Kushtetuese të dhëna në Aktgjykimin e saj në rastin nr. KI120/19, është shpjegimi jo i mjaftuar si dhe mos arsyetimi i mjaftuar, nëse paditësi mund ti ushtron të drejtat pronësore lidhur me dy ngastrat nr. 2/257/28 dhe nr. 2/257/37 të evidentuara sipas kadastrit përshkrues, të cilat atij i janë dhënë me Aktgjykimin e datës 02 nëntor 2017, si dhe mos dhënia e shpjegimit të nevojshëm dhe mos dhënien e arsyetimit të qartë, nëse paditësi ka të drejtë të kompensimit të këtyre ngastrave në mënyrën si ai i ka kërkuar përmes parashtresës të datës 05 dhjetor 2014.
Kolegji i Apelit e pranon konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se Aktgjykimi AC-I17-0568 i datës 02 nëntor 2017, ne fakt ishte Aktgjykim i pa zbatueshëm […]
Tutje Kolegji i Apelit konstaton se për këto dy ngastra të cekura më lartë, paditësi nuk ka më mundësi ti ushtroj të drejtat e tij pronësore të njohura me Aktgjykimin e datë 02 nëntor 2017, kjo për faktin se këto ngastra tashmë janë dhe në personave të tretë, shumë kohë para se të merret Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit. Kolegji i Apelit është i mendimit se paditësi për këto dy ngastra, e ka një titull pronësore që më nuk është i zbatueshëm, dhe që më nuk mund të prodhon as efekte ligjore në kuptim e mundësisë së ushtrimit të së drejtës pronësore.
Në fakt paditësi me këtë titull pronësor të pazbatueshëm atij i mbetet vetëm mundësia e një kompensimi monetar, që tashmë nuk është e kërkuar, por që me një padi tjetër te veçantë dhe pranë gjykatës kompetente, ai mund ta paraqesë edhe këtë kërkesë si mundësi alternative. Në rastin e tille nëse kjo mundësi shfrytëzohet, i mbetet paditësit që të përcaktoj se cili mund të jetë i padituri i duhur, dhe përgjegjës për kompensim monetar. Ngastrat lëndore, 523, 524, 525, 526, 536, dhe 552, të cilat i kërkon paditësi me parashtresat e datës 05 dhjetor 2014 dhe me parashtresën e datës 04 dhjetor 2017, si kompensim nuk janë objekt i kontratës së shitblerjes të vitit 1971. Andaj Gjykata nuk ka mundësi ti jap paditësit ngastrat e tjera qe i kërkon jashtë kontratës së shitblerjes.
Kolegji i Apelit vlerëson se në rastin konkret, nuk ka ndonjë dispozitë ligjore të ligjit në fuqi që lejon kompensimin tokë për tokë. Nga dosja e lëndës shihet se paditësi ka kërkuar vetëm kompensim me ngastrat e tjera, e jo edhe ndonjë kompensimi monetar”.
Konkluzionet e Gjykatës në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se Aktgjykimi i Gjykatës KI120/19 nuk është zbatuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS në Aktvendimin [AC-I-21-0855]
- Gjykata, duke marrë parasysh konstatimet e saj nga Aktgjykimi KI120/19, si dhe arsyetimin e Aktvendimit [AC–I–21–0855] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në kontekstin e trajtimit të tyre në procedurën e përsëritur, nuk mund të mos theksojë qëndrimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS -së në të cilin i konsideron të justifikuara konstatimet e Gjykatës Kushtetuese nga aktgjykimi KI120/19, lidhur me pamundësinë e zbatimit të aktgjykimit [AC-I-17-0568], të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, që është një tjetër argument i vlefshëm që pasqyron drejtësinë e procedurës që Gjykata Kushtetuese ka aplikuar në kërkesën KI120/19.
- Tani, duke iu rikthyer vetë thelbit të pretendimit të parashtruesit të kërkesës “se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në procedurën e përsëritur nuk ka zbatuar aktgjykimin e Gjykatës në rastin KI120/19, Gjykata rikujton se udhëzimi i parë dhënë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së ishte “që të shpjegojë dhe arsyetojë kërkesën e parashtruesit në lidhje me statusin e dy parcelave në fjalë”.
- Në mbështetje të kësaj, Gjykata konstaton se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në përgjigje të atij udhëzimi të Gjykatës ka dhënë një shpjegim, të cilin Gjykata mund ta përmbledhë si më poshtë: se parashtruesi i kërkesës ka një aktgjykim përmes të cilit i njihet e drejta e tij mbi pronën dhe mbi dy parcela të tokës që i përkisnin familjes S., me vendim të Gjykatës Themelore në vitin 2007, por që ai nuk mund të zbatohet si i tillë dhe në atë formë.
- Megjithatë, duke vazhduar me përgjigjen ndaj këtij udhëzimi të Gjykatës, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së shkoi një hap më tej, duke ofruar një zgjidhje alternative që është në favor të çështjes së kompensimit, që ishte udhëzimi i dytë nga Aktgjykimi KI120/19, të cilin Kolegji i Apelit i DHPGJS-së duhet ta ketë marrë parasysh dhe t’i japë përgjigje konkrete parashtruesit të kërkesës.
- Këtu, Gjykata dëshiron të theksojë se, në aktgjykimin e saj KI120/19, ajo nuk përcaktoi natyrën e kompensimit, si dhe çështjen nëse ai duhet apo nuk duhet të realizohet, por vetëmçështjen e dhënies së përgjigjes nga ana e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së , lidhur me të drejtën e kompensimit të cilin parashtruesi i kërkesës e ka kërkuar në kërkesat e dorëzuara në vitin 2014 dhe 2017.
- Prandaj, Gjykata konstaton se në përgjigjen ndaj këtyre udhëzimeve të Gjykatës, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, ndër të tjera, deklaroi:
“Në fakt paditësi me këtë titull pronësor të pazbatueshëm atij i mbetet vetëm mundësia e një kompensimi monetar, që tashmë nuk është e kërkuar, por që me një padi tjetër te veçantë dhe pranë gjykatës kompetente, ai mund ta paraqesë edhe këtë kërkesë si mundësi alternative”.
- Nga arsyetimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, është më se e qartë se edhe ky udhëzim i Gjykatës nga aktgjykimi KI120/19 është trajtuar në atë mënyrë që parashtruesit të kërkesës i është dhënë shpjegim edhe lidhur me çështjen e së drejtës në kompensim dhe atij iu dhanë udhëzime procedurale se si mund të ushtrohet e drejta e kompensimit.
- Për më tepër, Gjykata konstaton se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së i dha përgjigje parashtruesit të kërkesës për çështjen e kompensimit tokë për tokë, duke konstatuar se “Ngastrat lëndore, 523, 524, 525, 526, 536, dhe 552, të cilat i kërkon paditësi me parashtresat e datës 05 dhjetor 2014 dhe me parashtresën e datës 04 dhjetor 2017, si kompensim nuk janë objekt i kontratës së shitblerjes të vitit 1971. Andaj Gjykata nuk ka mundësi ti jap paditësit ngastrat e tjera qe i kërkon jashtë kontratës së shitblerjes”.
- Me këtë, sipas mendimit të Gjykatës, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në Aktvendimin e tij [AC-I-21-0855], ka zbatuar plotësisht udhëzimet e Gjykatës nga Aktgjykimi KI120/19, duke dhënë një shpjegim ligjor për secilën prej tyre individualisht, që Gjykata në rrethanat e dhëna vlerëson se janë në pajtim me kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, në kontekst të vendimit të arsyetuar të Gjykatës.
- Rrjedhimisht, Gjykata i cilëson pretendimet e parashtruesit të kërkesës se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në procedurën e përsëritur nuk e zbatoi aktgjykimin e Gjykatës në rastin KI120/19 si pretendime që bien në kategorinë (ii) me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktvendimin e paarsyetuar [AC-I-21-0855] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së
- Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në procedurën e përsëritur nuk ishte arsyetuar, duke pretenduar se “Të metat në arsyetim lidhet me faktin se Kolegji i Ankesave të Dhomës së Posaçme fare nuk e ka trajtuar padinë e parashtruesit të kërkesës, ne veçanti precizimin e padisë që është bërë me 05.12.2014. e po ashtu nuk e ka trajtuar edhe Propozimin e vazhdueshëm për korrektimin e Aktgjykimit dhe propozimin për nxjerrjen e aktgjykimit plotësues”.
- Prandaj, duke shqyrtuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës në kontekst të një vendimi të paarsyetuar gjyqësor, Gjykata rikujton se nuk është fakt kontestues se sipas praktikës së themeluar të GJEDNJ-së dhe Gjykatës Kushtetuese, neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së i detyron gjykatat, ndër të tjera, të arsyetojnë vendimet e tyre. Ky obligim, megjithatë, nuk mund të kuptohet si detyrim që në aktgjykim të paraqiten të gjitha detajet dhe të jepen përgjigje në të gjitha pyetjet dhe argumentet e paraqitura. Masa në të cilën ekziston ky obligim varet nga natyra e vendimit (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Ruiz Torija kundër Spanjës, kërkesa nr. 18390/91 e 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29). GJEDNJ dhe Gjykata Kushtetuese në vendimet e shumta kanë treguar se gjykatat vendore kanë një vlerësim të caktuar diskrecional në lidhje me atë se cilat argumente dhe prova do t’i pranojë në rastin e caktuar, por njëkohësisht kanë edhe obligim ta arsyetojnë vendimin e tyre, duke ofruar arsye të qarta dhe të kuptueshme mbi të cilat e kanë bazuar atë vendim (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Suominen kundër Finlandës, i 1 korrikut
- Megjithatë, edhe pse GJEDNJ pohon se neni 6 i KEDNJ-së obligon gjykatat të japin arsyet për vendimet e tyre, ajo gjithashtu ka konstatuar se kjo nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument (Shih: rastet e GJEDNJ-së Van de Hurk kundër Holandës, kërkesa nr. 16034/90 e 19 prillit 1994, paragrafi 61; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, kërkesa nr. 134/1996/753/952, i 19 shkurtit 1998, paragrafi 42).
- Gjykata, duke e shqyrtuar këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës në kontekst të Aktvendimit [AC-I-21-0855] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, konsideron se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë të pabazuara, për arsye se në arsyetimin e Aktvendimit të kontestuar në procedurën e përsëritur duhet të pasqyrohen të gjitha udhëzimet që ai është dashur t’i shqyrtojë dhe zbatojë nga Aktgjykimi KI120/19, si dhe të japë shpjegime adekuate për to që i plotësojnë të gjitha standardet e vendimeve të arsyetuara gjyqësore. Gjykata sapo ka konstatuar se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, në procedurën e përsëritur, ka përmbushur të gjitha detyrimet nga aktgjykimi KI120/19, me çka janë eliminuar të gjitha mangësitë e Aktgjykimit KI120/19, të cilat kanë ndikuar që Gjykata të konstatojë shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, në kontekst të një vendimi të paarsyetuar gjyqësor.
- Prandaj, Gjykata e cilëson këtë pretendim të parashtruesit të këreksës si një pretendim që i përket kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të të paarsyetuara”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mosmbajtjen e seancës publike pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në procedurën e përsëritur
- Parashtruesi i kërkesës, si argument tjetër për shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, theksoi gjithashtu faktin se “Sipas udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese, në asnjë rast nuk ka mundur të merret vendimi pa plotësimin e parakushteve sipas Dispozitës së nenit 31 pika 2 të Kushtetutës të Republikës Kosovës, pasi që në këtë rast DHPGJSK-ja ka vendosur meritorisht duke refuzuar si të pa bazë Kërkesën e Paditësit për nxjerrjen e Aktgjykimit plotësues […] Në rastin konkret, Aktvendimi AC-I-2I-0855 i datës 27.01.2022, është marrë pa shqyrtim publik…”.
- Në mbështetje të këtij pretendimi, Gjykata duhet së pari të rikujtojë se në Aktgjykimin KI120/19, ajo nuk konstatoi shkelje të të drejtave të parashtruesit të kërkesës në kontekstin e mosmbajtjes së seancës publike në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, dhe për këtë arsye Gjykata nuk i ka dhënë udhëzime Kolegjit të Apelit të DHPGJS -së për t’i eliminuar në mënyrë që në procedurë të përsëritur ta mbajë atë.
- Megjithatë, përkundër kësaj, Gjykata, duke marrë parasysh këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës, konstaton se çështja e mbajtjes së seancës dëgjimore është e rregulluar me nenin 69 (Procedurat e ankesës me gojë) të Ligjit për Dhomën e Posaçme, në të cilin paragrafi 1 qartë përcakton procedurën e thirrjes dhe mbajtjes së saj, më saktë kur parashtrohet kërkesa për mbajtjen e seancës publike, si dhe kush është kompetent për të vendosur për mbajtjen e saj. Gjykata rikujton se neni 69 paragrafi 1 i ligjit të lartpërmendur në pjesën përkatëse thekson:
“1. Me nismë të tij apo në bazë të kërkesës me shkrim nga një palë, Kolegji i Apelit vendos nëse do të mbajë një apo më shumë seanca dëgjimore lidhur me ankesën gjegjëse […]”.
- Në mbështetje të kësaj, Gjykata konstatoi se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, në Aktvendimin e kontestuar [AC-I-21-0855], iu referua dispozitës ligjore të lartpërmendur, duke konstatuar:
“Në bazë të nenit 69.1 të Ligjit të Republikës së Kosovës nr. 06/L-086 mbi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Kolegji i Apelit vendos që të heq dore nga pjesa gojore e procedurës”.
- Gjykata nuk e gjen si problematike heqjen dorë të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së nga seanca gojore në procedurën e përsëritur, duke pasur parasysh se gjatë zhvillimit të procedurës, të gjitha palët morën pjesë në mënyrë aktive si në seancat dëgjimore para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, ashtu edhe para të dy kolegjeve të Dhomës së Posaçme, ku palët u dëgjuan, patën mundësinë të paraqesin propozimet dhe argumentet e tyre gojore dhe me shkrim, me qëllim të ushtrimit të të drejtave të tyre pronësore, gjë që mund të shihet edhe nga shkresat e lëndës.
- Duke marrë parasysh këtë, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës që shkojnë në favor të mosmbajtjes së një seance publike në procedurën e përsëritur janë të pabazuara, dhe kjo për shkak se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së iu referua dispozitës ligjore përkatëse në bazë të së cilës nxirret juridiksioni i tij për të vendosur për këtë çështje.
- Rrjedhimisht, Gjykata e cilëson këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës si pretendim që i përket kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Shpjegimi i Gjykatës lidhur me referimin e neneve 162, 163 dhe 164 të Ligjit nr. 03/L–006, për procedurën kontestimore në Aktgjykimin KI120/19
- Gjykata e sheh të nevojshme të japë një shpjegim në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës në të cilën ai pretendon se “Gjykata Kushtetuese po ashtu iu kishte referuar Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore ku i kishte përshkruar dispozitat e nenit 162, 163 dhe 164 të atij Ligji, krejt këto në formë të instruksioneve për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për rastet kur duhet të nxjerret Aktgjykim plotësues. Këto elaborime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë dhe DHPGJSK-ja nuk i kishte marrur parasysh.
- Në mbështetje të këtij pretendimi, Gjykata rikujton se në pjesën “Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore” të Aktgjykimit KI120/19, ajo iu referua dhe citoi nenet e lartpërmendura të Ligjit për Procedurën Kontestimore, por jo në kontekstin e udhëzimeve për Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, në bazë të të cilave duhet të nxjerrë një aktgjykim plotësues.
- Qëllimi i referimit të Gjykatës në dispozitat e përmendura ligjore në Aktgjykimin KI120/19 ishte ekskluzivisht i natyrës procedurale, të cilin ajo duhet ta shqyrtojë në konteskt të përmbushjes së të gjitha kritereve të kërkesës, ndër të cilat është edhe çështja e parashtrimit të kërkesës brenda afatit të parashikuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, në të cilin thuhet „Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor”.
- Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës kontestoi Aktvendimin [AC-I-21-0855] për korrigjimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, mjeti juridik që parashikon këtë mundësi i përket kategorisë së mjeteve të jashtëzakonshme juridike, dhe aktvendimi për korrigjim nuk vendos drejtpërdrejt për të drejtat dhe detyrimet e parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit si dhe specifikën e tij, Gjykata konsideroi se Aktvendimi i kontestuar [AC-I-21-0855] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, i dorëzuar në Gjykatë brenda afatit të parashikuar në nenin 49 të Ligjit edhe nëse Aktgjykimi [AC-I-21-0855] i 2 nëntorit 2017 i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së vendosi në merita. Me këtë është evituar mundësia që kërkesa KI120/19 të trajtohej ndryshe nga Gjykata në kuptimin procedural.
Përfundim
- Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nuk e ka zbatuar Aktgjykimin KI120/19, hyjnë në kategorinë (ii) e pretendimeve të kategorizuara me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”. Pretendimet e parashtruesit të kërkesës: a) se Aktvendimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së është i paarsyetuar, dhe b) se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nuk ka mbajtur një seancë dëgjimore publike, kualifikohen si (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme në tërësi si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 27.1 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 8 shtator 2022, njëzëri:
VENDOS
- TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
- T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
- TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani