KI 12/21 Parashtrues: Violeta Hamidi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ-UVZP. nr. 31/2020 të 16 marsit 2020
KI 12/21, aktvendim për papranueshmëri i 20 majit 2021, publikuar më 2 qershor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 22 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese.
Në vitin 2015, Komisioni Disiplinor për Shërbyes Civil në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: MFSK) vërtetoi përgjegjësinë disiplinore të parashtrueses së kërkesës për shkak të shkeljes së detyrave të punës dhe tejkalimit të autorizimeve dhe përgjegjësive zyrtare të përcaktuara me përshkrimin e detyrave të punës dhe rrjedhimisht i shqiptoi masën disiplinore – largim nga zyra dhe transferim në një lokacion tjetër me detyra të ngjashme dhe ndalim të gradimit deri në pesë (5) vite, vendim ky që ishte vërtetuar nga Komisioni i Ankesave i MFSK-së.
Parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë kundër vendimit të Komisionit të Ankesave të MFSK-së pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK), i cili aprovoi ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe ktheu çështjen në MFSK për rivendosje.
Pas rekomandimeve të KPMSHCK, MFSK-ja korrigjoi parregullsitë dhe përsëri refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës, parashtruesja përsëri parashtroi ankesë në KPMSHCK, por ankesa e saj u refuzua dhe vendimi i MKSF-së u vërtetua në tërësi.
Parashtruesja e kërkesës më pas parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të ligjit, duke kërkuar që vendimi i kontestuar i MFSK-së të anulohej.
Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi padinë e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi në tërësi vendimin e MFSK-së dhe IOBCSK-së. Kjo çështje kaloi nëpër të gjitha fazat e procedurave të rregullta që përfunduan me Gjykatën Supreme, dhe të gjitha mbështetën dhe vërtetuan vendimin e MFSK-së.
Parashtruesja e kërkesës në thelb pretendon shkelje të (i) të drejtave të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së dhe nenin 7 të DUDNJ-së, (ii) të drejtave të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, (iii) të drejtave të garantuara me nenin 49 të Kushtetutës dhe (iv) të drejtave të garantuara me nenin 21 dhe nenin 22 të Kushtetutës, si dhe me nenin 23 të DUDNJ-së.
Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 21, 22, 24, 46, 49 të Kushtetutës, me nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, si dhe me nenet 7 dhe 23 të DUDNJ-së, duhet të deklarohen të papranueshme në tërësi si qartazi të pabazuara sepse këto pretendime të parashtrueses së kërkesës kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara“. Rrjedhimisht, të njëjtat, në tërësinë e tyre, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Violeta Hamidi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri