KI155/17, Parashtrues i kërkesës: Ferit Ademi, kundër Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykatës së Apelit të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës
KI155/17, Vendim për hedhje poshtë të kërkesës, i 20 prillit 2018, i publikuar më 1 qershor 2018
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, refuzim me procedurë të shkurtër, interpoli, urdhër kërkim
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: autoritetet publike) nuk i ndërmorën veprimet të cilat ishin të obliguara t’i ndërmarrin sipas rregulloreve pozitive juridike. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës nuk i konteston vendimet ose veprimet e autoriteteve publike, por konsideron se shkelja e të drejtave të tij është pasojë e mosveprimit të autoriteteve publike.
Parashtruesi pretendoi se këto autoritete publike të Kosovës nuk i njoftuan autoritetet publike të Republikës së Serbisë se ai është gjykuar dhe se ai kishte vuajtur dënimin për të njëjtën vepër penale për të cilën përmes urdhër kërkimit të Interpolit kërkohet nga R. e Serbisë.
Parashtruesi i kërkesës nuk arriti të ofrojë ndonjë dëshmi me shkrim se kundër tij është ngritur urdhër kërkimi i Interpolit, ose “ndonjë dëshmi me shkrim me të cilën dëshmoni pretendimet se parashtruesi i kërkesës është njoftuar nga Policia e Kosovës se ndaj parashtruesit të kërkesës është riaktivizuar urdhër kërkimi i Interpolit për ekstradim në R. e Serbisë”.
Gjykata konkludoi se parashtruesi i kërkesës në bazë të njohurive gojore është përpjekur të iniciojë procedura edhe para autoriteteve të tjera publike (Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykatës së Apelit të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës).
Gjykata konkludoi se parashtruesi për këtë çështje është njoftuar edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila në përgjigjen e saj theksoi se “Gjykata Themelore nuk ka njohuri se ekziston ndonjë procedurë për ekstradimin e të gjykuarit Ferit Ademi në Serbi”.
Prandaj, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës përveç kërkesës së tij të përgjithshme dhe abstrakte i) nuk ka dorëzuar asnjë vendim të autoritetit publik të Kosovës i cili ia kufizon atij ndonjë të drejtë të garantuar me Kushtetutë; ii) nuk ka dëshmuar se urdhër kërkimi i Interpolit është riaktivizuar nga Republika e Serbisë; iii) nuk ka dëshmuar se urdhër kërkimi i Interpolit është aktivizuar nga Republika e Kosovës; iv) nuk ka dorëzuar një aktakuzë ose ndonjë akt tjetër akuzues të lëshuar nga autoriteti publik i Republikës së Serbisë, dhe v) nuk ka dorëzuar dokumente mbështetëse të kërkuara nga Gjykata, me të cilat do t’i dëshmonte pretendimet e tij.
Si përmbledhje, Gjykata konkludoi se kërkesa nuk i plotëson kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejshëm, të parashikuara me rregullin 29 të Rregullores së punës. Pasi që parashtruesi nuk e bëri plotësimin dhe qartësimin e nevojshëm të kërkesës, kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër, në pajtim me rregullin 32 (5) të Rregullores së punës.
Ferit Ademi
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 35 - Liria e Lëvizjes, Neni 102 – Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale