Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, z. Nexhmi Rexhepi, priti në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot.
Gjatë takimit, kryetari Rexhepi vuri theksin në bashkëpunimin e shkëlqyer të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me institucionet gjyqësore të Francës, e në veçanti me Këshillin Kushtetues të këtij vendi, me ç’rast edhe konfirmoi gatishmërinë e tij për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve të ndërsjella.
Ai shprehu njëherësh falënderimin dhe mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme që Qeveria franceze i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese në përpjekjet e saj për anëtarësim në forumet ndërkombëtare profesionale të gjykatave kushtetuese.
Ambasadori Guérot, pasi që i dëshiroi suksese kryetarit Rexhepi në detyrën e tij të re, konfirmoi mbështetjen e Francës ndaj punës së pavarur të Gjykatës Kushtetuese dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.