Vendimet e publikuara gjatë muajit dhjetor 2024

14.01.2025

Gjatë muajit dhjetor 2024, në Gjykatën Kushtetuese:

• janë shqyrtuar tri (3) raste;
• janë marrë vendimet për dy (2) raste:
• janë publikuar tetëmbëdhjetë (18) vendime;

Gjatë kësaj periudhe, në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese janë publikuar (i) gjashtë (6) Aktgjykime dhe (ii) dymbëdhjetë (12) Aktvendime për papranueshmëri.

Aktgjykimet
___________________
I.

1. KI11/24
Parashtrues: Zekë Jasiqi
Publikuar më: 27 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [PN. nr. 1420/23], të 15 nëntorit 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit [PN. nr. 1420/23] të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, të 15 nëntorit 2023. Aktgjykimi fillimisht sqaron rrethanat e rastit konkret që ndërlidhen me kallëzimin penal [2018-KE-262] të parashtruar nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prishtinë kundër parashtruesit të kërkesës si dhe personave I.O., I.B, A.T., M.M., R.H.,E. L., dhe S.N., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale (i) “fajdeja” nga neni 343 (Fajdeja) në lidhje me nenin 31 (Bashkërkyerja) të Kodit Penal nr. 04/082 të Republikës së Kosovës; (ii) “detyrimi” nga neni 340 (Detyrimi) i Kodit Penal; dhe (iii) “mashtrimi” nga neni 335 (Mashtrimi) i Kodit Penal ë ndaj të dëmtuarit F.D. Parashtruesi i kërkesës caktoi avokatin A.Q si mbrojtës të tij në procedurën penale, i cili ishte edhe mbrojtësi i autorizuar i personit A.T. Sipas sqarimeve të dhëna, gjatë mbajtjes së seancës së parë shqyrtuese të lëndës penale në Gjykatën Themelore lidhur me aktakuzën kundër parashtruesit të kërkesës, Prokurori i Shtetit përveç leximit të aktakuzës, kërkoi nga Gjykata Themelore që të përcaktojë nëse avokati A.Q, mund të jetë mbrojtës i parashtruesit të kërkesës, duke pasur parasysh se i njëjti avokat paraqitet edhe si mbrojtës i personit A.T., në procedurën përkatëse penale. Gjykata Themelore shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë, duke nxjerrë Aktvendim përmes të cilit refuzoi mundësinë që avokati A.Q të ishte mbrojtës i parashtruesit të kërkesës, duke theksuar që paragrafi 1 të nenit 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës përcakton se: “në një procedurë penale mbrojtësi nuk mund të mbrojë dy ose më tepër të pandehur në të njëjtën çështje”. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër vendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, e cila e refuzoi ankesën me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë ishte i bazuar në paragrafin 1 të nenit 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit të Procedurës Penale. Parashtruesi i kërkesë para Gjykatës kontestoi Aktvendimet e lartpërmendura të Gjykatës Themelore dhe të Apelit, duke pretenduar, në esencë, se ato kanë shkelur të drejtën e tij për përzgjedhje të lirë të mbrojtësit, e drejtë e garantuar me paragrafin 5 nenin 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës, si dhe se i është shkelur e drejta e tij për një vendim të arsyetuar gjyqësor, e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.Duke vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të së drejtës për të zgjedhur lirisht mbrojtësin sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke përfshirë parimet dhe kriteret e zhvilluara prej saj, në mënyrë që të vazhdojë të (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Aktgjykimi, duke zbatuar parimet dhe kriteret e përcaktuara nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, përkatësisht ato që (i) e drejta për avokat mbrojtës nuk është e drejtë absolute; (ii) kufizimi i kësaj të drejte, përkatësisht kufizimi i përzgjedhjes së mbrojtësit i nënshtrohet dispozitave të zbatuara në sistemin ligjor përkatës, lidhur me atë se kush mund të jetë avokat në procedurë; dhe (iii) duhet të ketë arsye relevante dhe të mjaftueshme, të cilat përcaktojnë se një kufizim i tillë i kësaj të drejte është në të vërtetë në interes të drejtësisë, ndër tjerash, thekson që (i) kufizimi i përzgjedhjes së mbrojtësit për përfaqësim, në rrethanat e rastit konkret, është paraparë në paragrafin 1 të nenit 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit të Procedurës Penale, kufizim që i referohet faktit se një mbrojtës nuk mund të përfaqësojë dy të pandehur në procedurë penale; dhe (ii) që kufizimi i kësaj të drejte është në interes të drejtësisë. Për më tepër dhe sipas sqarimeve të dhëna, Aktgjykimi sqaron që (i) parashtruesi i kërkesës ishte përfaqësuar nga avokati T.R në një fazë të hershme të procedurës penale; (ii) parashtruesi i kërkesës nuk i hoqi autorizimin avokatit T.R., në seancën fillestare, por që zgjodhi edhe një tjetër avokat si mbrojtës në vazhdim të procedurës penale; dhe (iii) parashtruesi i kërkesës kishte përfaqësues/avokat gjatë zhvillimit të procedurës. Për më tepër,gjykatat e rregullta ia pamundësuan parashtruesit të kërkesës përzgjedhjen e avokatit A.Q., si mbrojtës të dytë, duke iu referuar kufizimeve nga neni 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) i Kodit të Procedurës Penale dhe se kufizimi në fjalë i referohet ekskluzivisht vetëm avokatit të lartcekur, ndërsa parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të zgjedhë një avokat tjetër në vazhdim të procedurës penale, për sa kohë që ky nuk përbën veprim që është në kundërshtim me nenin 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit të Procedurës Penale. Rrjedhimisht, dhe sipas sqarimeve të dhëna, Aktvendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta për refuzimin e përfaqësimit të parashtruesit të kërkesës nga avokati A.Q., si mbrojtës i dytë në procedurën penale, në rrethanat konkrete të këtij rasti, nuk përbën shkelje të paragrafit 5 të nenit 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 3 të nenit 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventëës Evropiane pëër tëë Drejtat e Njeriut.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

2. KI105/24
Parashtrues: Imrije Kadriu
Publikuar më: 27 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [Ac. nr. 2125/22], të 23 shkurtit 2024

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ac. nr. 2125/22] të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, të 23 shkurtit 2024. Fillimisht, Aktgjykimi sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e parashtrueses së kërkesës, të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj kundër Komunës së Shtimes, përmes së cilës e njëjta kërkoi pagesën e diferencës së pagës shtesë për gradim dhe pagesën e pagës shtesë për karrierë. Gjykata Themelore në Ferizaj aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, ashtu që aprovoi kërkesën e saj për kompensim në emër të diferencës së papaguar në pagë për licencim – gradim ndërkaq refuzoi pjesën tjetër të kërkesëpadisë për kompensim në emër të avancimit në karrierë, me arsyetimin se nuk kishte arritur që me asnjë provë materiale të gjejë se parashtruesja e kërkesës ishte avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike dhe juridike, ndaj të cilës, më pas, Komuna e Shtimes dorëzoi përgjigje në ankesë. Gjykata e Apelit e Kosovës, përmes aktgjykimit, e refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, duke vlerësuar se nuk ishte dëshmuar me asnjë provë materiale plotësimi i kushtit ligjor për kompensim në emër të përparimit në karrierë sipas pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, respektivisht që parashtruesja e kërkesës nuk kishte dëshmuar se është avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019. Në vijim, Aktgjykimi sqaron se, parashtruesja e kërkesës, në kërkesën e saj dorëzuar në Gjykatë, pretendoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit të Kosovës, i janë cenuar të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i (i) shkeljes së parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës nuk ia ka dorëzuar asaj përgjigjen në ankesë të cilën e kishte parashtruar Komuna e Shtimes; (ii) mosarsyetimit të vendimit gjyqësor; dhe (iii) cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i moskonsistencës së vendimmarrjes gjyqësore. Parashtruesja e kërkesës, po ashtu, pretendoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit i janë cenuar të drejtat e garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me parimin e barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Përkitazi me pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të shkeljes së parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, Gjykata konstatoi se mosnjoftimi i parashtrueses së kërkesës me përgjigjen në ankesë të ushtruar nga Komuna e Shtimes në Gjykatën e Apelit të Kosovës, është në kundërshtim me parimin e kontradiktoritetit procedural, meqenëse parashtruesja e kërkesës është vënë në disavantazh me palën kundërshtare. Megjithatë, Gjykata sqaroi se shkelja mbetet e natyrës deklarative pasi që, bazuar në paragrafin 4 të nenit 187 (Pa titull) të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, parashtresat që mbërrijnë në gjykatë pas arritjes së përgjigjes në ankesë nuk merren në shqyrtim përveç nëse gjykata kërkon deklaratë plotësuese. Së dyti, lidhur me pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe cenim të parimit të sigurisë juridike për shkak të jokonsistencës në vendimmarrjen gjyqësore të gjykatave të rregullta, Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi që (i) gjykatat e rregullta kishin ofruar arsyetim të mjaftueshëm për refuzimin e kërkesës së parashtrueses së kërkesës për kompensim në emër të avancimit në karrierë për shkak të mungesës së dëshmive që vërtetonin se e njëjta ishte avancuar apo graduar; dhe (ii) Gjykata nuk mund të konstatojë ekzistimin e “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme që cenojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në 2 (dy) aktgjykime të Gjykatës Themelore. Në fund, lidhur me pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e të drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata theksoi se në mënyrë që “pritja” të jetë legjitime, ajo duhet të jetë më konkrete se një “shpresë e thjeshtë” dhe duhet të bazohet në një dispozitë ligjore ose një akt ligjor, siç është vendimi gjyqësor dhe se, në rastin e parashtrueses së kërkesës, gjykatat e rregullta kishin konstatuar që parashtruesja e kërkesës nuk e kishte plotësuar kushtin ligjor sipas pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, për kompensim në emër të avancimit në karrierë. Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi që përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit të Kosovës, si rezultat i shkeljes së parimit të kontradiktoritetit procedural, parashtrueses së kërkesës i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërkaq, lidhur me pretendimet për (i) shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe jokonsistencës në vendimmarrje gjyqësore; dhe (ii) shkelje të së drejtës në pronë, Gjykata konstatoi që të njëjtat janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Në fund, bazuar në përcaktimin e ligjit të aplikueshëm që parashtresat që mbërrijnë në gjykatë pas arritjes së përgjigjes në ankesë nuk merren në shqyrtim nga gjykata, përveç nëse kërkohet shprehimisht, dhe konstatimin që pretendimet e tjera të parashtrueses së kërkesës janë të pambështetura dhe të paarsyetuara, Gjykata konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar nuk duhet të shfuqizohet dhe që shkelja është e natyrës deklarative.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

3. KI117/23
Parashtrues: “Exclusive” sh.p.k.
Publikuar më: 27 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [E. Rev. nr. 1/2023], të 17 janarit 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit [E. Rev. nr. 1/2023] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 17 janarit 2023. Aktgjykimi fillimisht sqaron rrethanat e rastit konkret të cilat ndërlidhen me një kontest të iniciuar nga parashtruesi i kërkesës për kompensim dëmi nga ana e kompanisë përkatëse me të cilën kishte marrëdhënie kontraktuale. Më saktësisht dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë me Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale, për furnizim me barna dhe materiale shpenzuese medicinale nga kompania Zdravlje Actavis dhe i njëjti kishte pranuar kontingjentin me mallra nga kompania e lartpërmendur sipas marrëveshjes për importimin e mallrave nga kjo kompani. Megjithatë, në janar të vitit 2012, Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës kishte pezulluar përkohësisht certifikatën për autorizimim e marketingut për produktet medicinale të Serbisë, me arsyetimin se duhet të konfirmohet Certifikata e Produktit Farmaceutik. Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna, parashtruesi i kërkesës filloi procedurën ligjore, duke kërkuar kompensimin përkatës të dëmit dhe fitimit të humbur, duke specifikuar gjithashtu vlerën e objektit të kontestit gjatë precizimit të kërkesëpadisë. Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Dhoma e shkallë së dytë të Gjykatës Komerciale, e refuzuan padinë e parashtruesit të kërkesës në tërësi, përfshirë edhe shumën e specifikuar të kontestit, ndërsa kërkesa për revizion e parashtruar në Gjykatën Supreme, u refuzua për arsye procedurale, përkatësisht me arsyetimin se vlera e objektit të kontekstit, nuk e ka tejkaluar pragun prej 3,000 euro sipas përcaktimeve të paragrafit 2 të nenit 211 (pa titull) të Ligjit nr.03/L-006 për Procedurën Kontestimore, përkundër faktit se nga shkresat e rastit rezultoi se parashtruesi i kërkesës kishte precizuar vlerën e kontestit përgjatë procedurës kontestimore në shkallën e parë. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i Gjykatës Supreme kishte cenuar të drejtën e tij për “qasje në gjykatë” të garantuar me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjera, sepse (i) përkundër faktit që vlera e kontestit ishte përcaktuar në procedurë gjyqësore; ndërsa (ii) Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion pikërisht mbi bazën e vlerës së kontestit, përkundër asaj që vlera ishte cekur gjatë precizimit të kërkesëpadisë. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe nëse është cenuar e drejta e tij për qasje në Gjykatën Supreme, Aktgjykimi (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu dhe parimet dhe kriteret që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të lartë; dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat parime dhe kritere në rrethanat e rastit konkret. Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike i referohet parimeve dhe kritereve të vendosura në rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Zubac kundër Kroacisë, përmes të cilit kjo e fundit kishte zhvilluar një test specifik në kuptim të kriterit të proporcionalitetit të kufizimit të qasjes në gjykata të shkallës më të lartë si rezultat i pragut ratione valoris. Në aplikimin e kritereve që ndërlidhen me pragun ratione valoris, Gjykata, në rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësoi nëse: (i) qasja në Gjykatën Supreme si rezultat i pragut ratione valoris përbënte një kufizim; (ii) nëse ky kufizim ndiqte një qëllim legjitim; dhe (iii) nëse kufizimi ishte proporcional, dhe në kuptim të kësaj të fundit, në pajtim me kriteret e përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi çështjet që ndërlidheshin me (a) parashikueshmërinë e kufizimit në qasje në gjykatë si rezultat i pragut të vlerës së objektit të kontestit; (b) nëse parashtruesi apo Gjykata Supreme, duhet të bartë pasojat e lëshimeve të bëra gjatë procedurës në gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (c) nëse në zbatimin e këtij kufizimi, Gjykata Supreme ka përdorur “formalizëm të tepruar”, për të përfunduar me konkluzionin e saj në lidhje me proporcionalitetin e kufizimit të qasjes së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Supreme. Aktgjykimi fillimisht thekson që nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme, e përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore. Më tutje, në aplikimin e kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi gjithashtu thekson që marrë për bazë vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së Gjykatës Supreme për të gjykuar për çështje të ligjshmërisë së vendimeve të nxjerra nga gjykatat e shkallës më të ulët si autoriteti më i lartë gjyqësor, pragu ratione valoris është i (i) përcaktuar me ligj; dhe (ii) ndjek një qëllim legjitim, i cili i shërben respektimit të sundimit të ligjit dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë. Megjithatë, në vlerësimin e asaj nëse pragu ratione valoris (iii) ishte proporcional me qëllimin legjitim, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, konsideroi se përfundimi i Gjykatës Supreme, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të praktikës së saj gjyqësore, cilësohet si “formalizëm i tepruar” në interpretimin dhe zbatimin e ligjit në kontekstin e qasjes në gjykatë, ndër të tjera, për shkak se (a) Gjykata Supreme me rastin e refuzimit si të palejuar të revizionit të parashtruar nga parashtruesi, i ishte referuar vlerës së objektit të kontestit prej 1,000 (një mijë) euro duke u bazuar në vlerën e taksës gjyqësore prej 20 (njëzet) eurove, që parashtruesi e kishte paguar me rastin e parashtrimit të padisë, pavarësisht se nenit 36 (pa titull) i Ligjit për Procedurën Kontestimore, i cili në thelb, i detyron gjykatat më të ulëta që të veprojnë sipas detyrës zyrtare në përcaktimin e vlerës së objektit të kontekstit në rrethanat e specifikuara në nenin e lartcekur; si dhe për më tepër (b) Gjykata Supreme nuk mori parasysh precizimin e vlerës së kontestit, të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte saktësuar përgjatë procedurës kontestimore në shkallën e parë. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky veprim i Gjykatës Supreme nuk ishte proporcional me qëllimin legjitim të pragut ligjor ratione valoris përkitazi me garantimin e së drejtës për qasje në gjykatat më të larta.

Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlen vetëm për rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësimi i të cilave duhet të bëhet rast pas rasti, si dhe ndërlidhet vetëm me të drejtën e qasjes në gjykatë, përkatësisht në Gjykatën Supreme, ashtu që në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

4. KI118/23
Parashtrues: Shehide Muhadri
Publikuar më: 27 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [Ac.nr.530/2016], të 30 marsit 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ac.nr.530/2016] të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, të 30 marsit 2023. Aktgjykimi fillimisht sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me pretendimet e parashtrueses së kërkesës përkitazi me të drejtën e fitimit të pronësisë me parashkrim fitues. Gjykata për të njëjtën çështje kishte pranuar më parë edhe dy (2) kërkesa nga parashtruesja e kërkesës, respektivisht kërkesat KI145/18 dhe KI49/20. Në kërkesën e parë, përkatësisht KI145/18, Gjykata konstatoi shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor nga Gjykata e Apelit. Pas vendimmarrjes së Gjykatës, Gjykata e Apelit, në procedurë rivendosje, kishte nxjerrë Aktgjykim të ri, dhe i cili, sërish u kontestua në Gjykatën Kushtetuese, përmes kërkesës KI49/20. Gjykata konstatoi përsëri shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor nga Gjykata e Apelit. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, më 30 mars 2023, bazuar në rekomandimet e Gjykatës, Gjykata e Apelit nxori aktgjykim të ri, duke konfirmuar vendimet e mëparshme të Gjykatës Themelore, ndër tjerash, me arsyetimin se “pronësia në prona shoqërore nuk mund të fitohej me parashkrim fitues” dhe arsyetimin e saj, kësaj radhe, e kishte bazuar edhe në mendim juridik të lëshuar nga Gjykata Supreme, e cila kishte sqaruar se si duhej vendosur gjykatat e instancës më të ulët për raste me rrethana të ngjashme faktike dhe juridike. Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Ac.nr.530/2016] e 30 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Me saktësisht parashtruesja e kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, sërish kishte shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenet e sipërcekura, ndër tjerash, sepse Gjykata e Apelit përsëri nuk kishte marrë parasysh gjetjet e Gjykatës në Aktgjykimin e saj, në rastin KI49/20. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor, të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe më pas (ii) i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata konsideroi se Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit [Ac. nr. 530/2016] të 30 marsit 2023, (i) kishte adresuar pretendimet thelbësore të parashtrueses së kërkesës, duke iu përgjigjur konkretisht çështjes që ndërlidhej me konsistencën në vendimmarrje për çështjet e fitimit të pronësisë me mirëbesim nëpërmjet parashkrimit fitues; dhe (ii) kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm, gjithëpërfshirës dhe konkret përkitazi me pretendimet e ngritura. Për pasojë, Gjykata konkludoi se Gjykata e Apelit në Aktgjykimin [Ac. nr. 530/2016] të 30 marsit 2023, (i) ka dhënë bazën juridike dhe ka shpjeguar me qartësi se përse në rastin e parashtrueses së kërkesës nuk mund të pritej një rezultat ndryshe në lidhje me të drejtën e fitimit të pronësisë me parashkrim fitues; dhe (ii) se përse rastet të cilave iu ishte referuar parashtruesja e kërkesës në procedurë të rregullt para Gjykatës së Apelit, nuk përbënin praktikë gjyqësore dhe burim të së drejtës në lidhje me mënyrën e fitimit të pronësisë me parashkrim fitues. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se Aktgjykimi [Ac. nr. 530/2016] i 30 marsit 2023 i Gjykatës së Apelit, nuk është në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

5. KO15/24
Parashtrues: Institucioni i Avokatit të Popullit
Publikuar më: 27 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 28 të Ligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e nenit 28 të Ligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Aktgjykimi, fillimisht sqaron që, thelbi i çështjes së ngritur para Gjykatës, ndërlidhet me nenin 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe i cili përcakton që (i) në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) përqind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) përqind janë femra, me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku një herë në secilin grup prej tre (3) kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë; (ii) kjo dispozitë nuk aplikohet te listat e përbëra nga një apo dy kandidatë; dhe (iii) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndanë fonde publike shtesë, në vlerën një përqind (1%) të shumës së përgjithshme të alokuar për subjektin politik, për secilin mandat të fituar nga gratë mbi kuotën tridhjetë përqind (30%) në momentin e certifikimit dhe që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon pas çdo palë zgjedhje buxhet shtesë për këtë qëllim. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Avokati i Popullit konteston kushtetutshmërinë e nenit të lartcekur të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, me pretendimin që i njëjti është në kundërshtim me parimet dhe vlerat e përcaktuara në nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 45 [Të drejtat zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, duke ngritur, ndër tjerash, pretendimet specifike si në vijim (i) vendosja me ligj e kuotës prej tridhjetë përqind (30%) për secilën gjini, përbën paragjykim të pajustifikuar dhe përligj trajtimin e pabarabartë, duke marrë parasysh se përqindja gjinore është pothuajse pesëdhjetë përqind (50%) me pesëdhjetë përqind (50%) mes “meshkujve dhe femrave”; (ii) në praktikën zgjedhore “nuk ka ngjarë që subjektet politike të kenë dërguar për certifikim listat e kandidatëve me nga pesëdhjetë përqind (50%) meshkuj dhe femra”; dhe (iii) ky përcaktim, po ashtu është në kundërshtim me frymën e barazisë gjinore të parashikuar me nenin 5 (Masat e përgjithshme për parandalimin e diskriminimit gjinor dhe sigurimin e barazisë gjinore) të Ligjit nr.05/L-020 për Barazi Gjinore. Pretendimet e Avokatit të Popullit, kundër-argumentohen nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili, ndër tjerash, dhe duke u referuar në praktikën paraprake gjyqësore të Gjykatës, thekson që neni 28 (Kuotat gjinore) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, është në përputhje me Kushtetutën, në esencë, sepse (i) kuota prej tridhjetë përqind (30%) në listat zgjedhore është kuotë ligjore, ndërsa përcaktimet e Ligjit për Barazinë Gjinore janë ideale ligjore dhe kushtetuese; dhe (ii) neni i lartcekur nuk përbën diskriminim të tërthortë, marrë parasysh se ky prag minimal është masë afirmative me qëllim të ruajtjes së ekuilibrit gjinor në politikë. Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi thekson që thelbi i çështjes së ngritur para Gjykatës, është përputhshmëria me Kushtetutën e nenit 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, përkatësisht vlerësimi nëse përcaktimi i kuotës ligjore prej së paku tridhjetë përqind (30%) të përfaqësimit të secilës gjini në listën e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, cenon të drejtat zgjedhore të përcaktuara me Kushtetutë. Në këtë aspekt, Aktgjykimi, fillimisht vë theks në faktin që barazia gjinore është një ndër vlerat më thelbësore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe që autoritetet publike të Republikës e në veçanti, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka detyrimin pozitiv që, në ushtrimin e kompetencës ligjbërëse, të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme drejt realizimit të domosdoshëm të barazisë gjinore në Republikën e Kosovës. Ndërlidhur me të drejtat zgjedhore dhe të cilat ngërthejnë thelbin e këtij Aktgjykimi, ky i fundit, rikujton që neni 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] i Kushtetutës, ndër tjerash, përcakton që çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. Kjo e drejtë kushtetuese, duhet gjithashtu të vlerësohet në dritën e vlerave e parimeve kushtetuese, sipas të cilave Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore. Për më tepër, Aktgjykimi thekson që bazuar në përcaktimet kushtetuese, përkundër që të gjithë janë të barabartë para ligjit, parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë dhe masat e tilla zbatohen, vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, përderisa Kushtetuta përcakton që parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë, duke mundësuar, ndër tjerash, vendosjen e kuotave ligjore për pjesëmarrje dhe përfaqësim të barabartë të gjinive në jetën politike deri atëherë kur të jetë arritur barazia e domosdoshme, Kushtetuta nuk përcakton lartësinë, përkatësisht përqindjen e kësaj kuote ligjore, duke e deleguar këtë çështje në kompetencën e Kuvendit të Republikës, gjithnjë nën detyrimin për respektimin e detyrimeve pozitive të shtetit dhe të standardeve që burojnë nga instrumentet e aplikueshme ndërkombëtare. Në kontekst të kësaj të fundit, Aktgjykimi, ndër tjerash, shtjellon (i) parimet e përgjithshme të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për t’u zgjedhur dhe pjesëmarrjen; (ii) instrumentet dhe dokumentet e miratuara në nivel të Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës që ndërlidhen me ndërmarrjen e masave afirmative për përfaqësim të barabartë në politikë; (iii) përmbledhjet e rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe opinioneve e raporteve të Komisionit të Venecias ndërlidhur me kuotat gjinore në lista zgjedhore si masa të veçanta për të adresuar pabarazinë faktike në mes të gjinive në përfaqësim politik; dhe (iv) praktikën gjyqësore të Gjykatës, të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatave Kushtetuese të shteteve tjera në lidhje me të drejtat zgjedhore dhe kuotat gjinore. Bazuar në dokumentet dhe parimet e shtjelluara në Aktgjykim, ky i fundit vë theks edhe në Rezolutën 1706(2010) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe e cila rekomandon që në vendet me sistem të listave me përfaqësim proporcional, duhet të merret parasysh futja e një kuote ligjore e cila parashikon jo vetëm një pjesë të lartë të kandidateve gra dhe idealisht të paktën dyzet përqind (40%), por edhe një rregull të rreptë të renditjes së pozitave. Nga analiza e shtjelluar në Aktgjykim, rezulton që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë bazuar në Rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, inkurajohen që të rrisin përfaqësimin e grave duke vendosur kuota gjinore, dhe të cilat, në parim, kanë dy karakteristika, përkatësisht (i) përcaktimin e një kuote minimale të përfaqësimit në lista zgjedhore të subjekteve politike; dhe (ii) një përcaktim të renditjes zinxhir të kandidatëve nga secila gjini ose nga një kandidat të secilës gjini, përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre (3) kandidatëve në rast të kuotës prej tridhjetë përqind (30%), me synimin që kandidatët e gjinisë më pak të përfaqësuar, të mos rrezikojnë që të vendosen shumë poshtë në listë dhe të kenë një mundësi reale për t’u zgjedhur. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, rezulton që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe të cilat kanë vendosur mekanizma të tillë në ligjet përkatëse që rregullojnë përcaktimin e listave zgjedhore të subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, në parim, kanë përcaktuar lartësinë dhe/ose përqindjen e kuotës gjinore prej njëzet përqind (20%) deri në dyzet përqind (40%). Më tej dhe në kontekst të vlerësimit të kushtetutshmërisë së dispozitës së kontestuar, Aktgjykimi së pari dhe ndërlidhur me përqindjen e kuotës gjinore në listat zgjedhore të subjekteve politike, vë theks në faktin që përderisa Kushtetuta mundëson vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë, ajo nuk përcakton përqindjen e kësaj kuote, duke i lënë hapësirën e nevojshme pushtetit legjislativ, përkatësisht Kuvendit të Republikës së Kosovës për të përcaktuar këtë përqindje, në përputhje me detyrimet pozitive të shtetit për të siguruar barazinë gjinore dhe e cila, pasi të jetë caktuar duhet të zbatohet me përpikëri. Aktgjykimi gjithashtu sqaron, që bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përcaktimi i kësaj kuote si masë e përkohshme dhe e nevojshme derisa të jetë arritur barazia gjinore, është çështje e politikës publike dhe e cila, i takon pushtetit legjislativ. Sipas sqarimeve të dhëna, nuk është në kompetencën e Gjykatës të përcaktojë lartësinë dhe/ose përqindjen e kësaj kuote ligjore, por Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka autorizimet e plota që të avancojë përqindjen e kuotës së lartcekur që ndërlidhet me përfaqësimin gjinor në listat e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, gjithnjë në kontekst të një mase të nevojshme derisa të jetë arritur qëllimi i barazisë gjinore në Republikën e Kosovës dhe gjithnjë në pajtim me standardet e përcaktuara përmes mekanizmave të Këshillit të Evropës e të shtjelluara në këtë Aktgjykim. Së dyti, dhe ndërlidhur me qëllimin e synuar të përfaqësimit prej pesëdhjetë përqind (50%) të vendosur në Ligjin për Barazi Gjinore, Aktgjykimi i referohet praktikës së saj paraprake gjyqësore përmes të cilës është shtjelluar ky përcaktim, përfshirë Aktgjykimit të saj në rastin KI45/20 dhe KI46/20, me parashtruese Tinka Kurti dhe Drita Millaku dhe i cili, ndër tjerash, thekson që Kuvendi si ligjvënës nuk e ka formuluar përqindjen për pesëdhjetë përqind (50%) si një kuotë obligative ligjore por, e ka formuluar në formën e një aspirate drejt arritjes së qëllimit dhe përcaktimit kushtetues për barazi gjinore në Republikën e Kosovës. Më saktësisht dhe sipas sqarimeve të dhëna, pesëdhjetë përqindëshi (50%) i synuar në Ligjin për Barazi Gjinore nuk është një kuotë ligjore për përfaqësim të detyrueshëm siç është tridhjetë përqindëshi (30%) i normuar në nenin 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Thënë këtë, që të dyja janë ligje të miratuara nga Kuvendi i Republikës dhe i takon këtij të fundit, që gradualisht të arrijë qëllimet që vet ka përcaktuar përmes procesit ligjbërës. Së treti, dhe ndërlidhur me standardin e nevojshëm të renditjes zinxhir të kandidatëve nga gjinitë përkatëse, Aktgjykimi thekson që neni 28 (Kuotat gjinore) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, saktëson që lista e kandidatëve të secilit subjekt politik, duhet të përfshijë nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku një herë në secilin grup prej tre (3) kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë dhe që një rregullim i tillë, është i bazuar edhe në standardet e aplikueshme ndërkombëtare. Në fund, Aktgjykimi vë theks në faktin që Republika e Kosovës ka detyrimin kushtetues që të sigurojë barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore. Ashtu siç përcaktojnë dokumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe të shtjelluara në Aktgjykim, mungesa e përfaqësimit të barabartë të grave dhe burrave në vendimmarrjen politike dhe publike, është një kërcënim për legjitimitetin e demokracive respektive.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

6. KO283/23
Parashtrues: Abelard Tahiri dhe 9 deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Publikuar më: 27 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-668] të 15 dhjetorit 2023, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Vendimit [nr. 08-V-668] të 15 dhjetorit 2023, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Aktgjykimi fillimisht sqaron që, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit. Siç sqarohet në Aktgjykim, shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial, i kishte paraprirë Rekomandimi [nr.08/4446/Do-1994] i 28 shtatorit 2023 i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, përmes të cilit ky i fundit i kishte rekomanduar Kuvendit, shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror, duke u bazuar në gjetjet e këtij komisioni parlamentar. Siç është reflektuar dhe sqaruar gjerësisht në Aktgjykimin e publikuar, në Rekomandimin e lartcekur të Komisionit për Legjislacion, janë listuar arsyet në të cilat ky i fundit e bazon rekomandimin e tij drejtuar Kuvendit për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, duke vlerësuar se veprimet përkatëse përbëjnë shkelje të ligjit, përkatësisht nënparagrafit 2.2 të paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në mënyrë specifike thekson se anëtari i Këshillit Prokurorial shkarkohet në rast se “2.2 ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”. Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit [nr. 08-V-668] të 15 dhjetorit 2023 të Kuvendit, duke pretenduar, ndër të tjera, që i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], si dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës. Sipas parashtruesve të kërkesës, në esencë, Kuvendi ka tejkaluar autorizimet e tij kushtetuese sepse nuk ka kompetencë që të ndërpresë mandatin kushtetues të një anëtari të Këshillit Prokurorial. Pretendimet e parashtruesve u mbështeten nga Këshilli Prokurorial dhe Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa u kundërshtuan nga Komisioni për Legjislacion dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në kontekst të çështjeve të mësipërme, Aktgjykimi fillimisht vë theks në faktin që, rrethanat dhe pretendimet e lartcekura, ndër tjerash, kanë ngritur çështje si në vijim: (i) nëse Kuvendi, ka autorizimin që të ndërpresë mandatin kushtetues të një anëtari jo-prokuror të Këshillit Prokurorial; dhe (ii) nëse ndërprerja e mandatit në rrethanat e rastit konkret, ka rezultuar në cenimin e pavarësisë së Këshillit Prokurorial.
Në kontekstin e parimeve që burojnë nga analiza e dispozitave kushtetuese, Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron që në kontekst të ushtrimit të funksioneve të Kuvendit lidhur me institucionet e pavarura kushtetuese në kuadër të kapitullit VII [Sistemi i Drejtësisë] të Kushtetutës, rëndësi të veçantë ka ndërveprimi i Këshillit Prokurorial me Kuvendin, sipas përcaktimeve të neneve 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, të cilat, në esencë, përcaktojnë ushtrimin e kompetencës së Kuvendit për të përcaktuar përbërjen e Këshillit Prokurorial dhe për të zgjedhur anëtarët e Këshillit Prokurorial, gjithnjë në funksion të ruajtjes së pavarësisë së plotë të këtij Këshilli në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës dhe njëkohësisht, të respektimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] të Kushtetutës. Aktgjykimi, tutje rikujton se parimet lidhur me pavarësinë e Këshillit Prokurorial, nërveprimin e këtij të fundit me Kuvendin në funksion të ruajtjes së pavarësisë së plotë të Këshillit Prokurorial në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese, si dhe sigurinë e mandateve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, janë përcaktuar nga Gjykata përmes Aktgjykimit të 24 marsit 2023, në rastet KO100/22 dhe KO101/22 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.Në kontekst të rrethanave specifike të këtij rasti, Aktgjykimi sqaron që, përkundër faktit që Kushtetuta, përmes paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të saj, ka përcaktuar që përbërja e Këshillit Prokurorial, si dhe dispozitat, ndër tjerash, ndërlidhur me shkarkimin përcaktohen me ligj, kjo kompetencë e Kuvendit, duhet të ushtrohet gjithnjë në përputhje me paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, përmes të cilit garantohet pavarësia e plotë e Këshillit Prokurorial dhe e cila kompetencë nuk mund të pakësohet përmes dispozitave ligjore. Megjithatë dhe sipas sqarimeve të dhëna, në kontekst të shkarkimit të anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, nga përmbajtja e paragrafit 10 të nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi) të Ligjit për Këshillin Prokurorial, rezultojnë dy forma të ndryshme të propozimit në Kuvend për shkarkim të anëtarit jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, respektivisht: (i) përmes propozimit nga Komisioni përkatës i Kuvendit, i cili ka për detyrë të shqyrtojë dhe vlerësojë performancën ose sjelljen e anëtarit jo-prokuror dhe, në rast të propozimit për shkarkim, i njëjti i dorëzohet Kuvendit për votim; si dhe (ii) përmes propozimit të vet Këshillit Prokurorial, kur i njëjti vlerëson se një anëtar jo-prokuror nuk e përmbush detyrën e tij në përputhje me përgjegjësitë ose nëse ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme, të cilin propozim e dorëzon në Kuvend ku i nënshtrohet votimit, si në rastin e parë. Në rastin konkret, propozimi për shkarkim i anëtarit përkatës jo-prokuror të Këshillit, vjen nga Komisioni përkatës i Kuvendit, respektivisht nga Komisioni për Legjislacion si rezultat i gjetjeve të specifikuara në rekomandimin e lartcekur. Aktgjykimi sqaron, që mundësia e shkarkimit të një anëtari jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, nga Kuvendi, pas propozimit të Komisionit përkatës, është paraparë shprehimisht në Ligjin e aplikueshëm për Këshillin Prokurorial. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës, janë trajtuar rastet kur para saj, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni i Gjykatës dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, janë kontestuar vendimet e Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura, si atyre të përcaktuar me Kushtetutë, dhe atyre të themeluara me ligj. Përmes praktikës së saj gjyqësore Gjykata ka sqaruar kufizimet e autorizimeve të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura dhe të cilët gjithashtu i ka zgjedhur vet, duke theksuar që, në ushtrimin e këtij funksioni, Kuvendi është i detyruar të respektojë dhe zbatojë dispozitat specifike të ligjeve përkatëse të cilat vet i ka miratuar. Këto parime, janë vendosur, ndër tjerash, përmes (i) rastit KO127/21, lidhur me shkarkimin kolektiv të (5) pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil; (ii) rastit KO134/21, lidhur me shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës; (iii) rastit KO157/23, lidhur me shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit; dhe (iv) rastit KO139/21, lidhur me shkarkimin e 5 (pesë) anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimet e lartcekura dhe këtë Aktgjykim, Gjykata, ka konstatuar shkelje të dispozitave kushtetuese në tri rastet e para, duke u bazuar në formulimet e dispozitave të ligjeve të aplikueshme, përfshirë faktin që shkarkimet përkatëse ishin kolektive, vendimet përkatëse për shkarkimin e tyre nuk ngërthenin arsyetimin e duhur dhe për më tepër, ishte vendimmarrja e anëtarëve të shkarkuar që kishte rezultuar në shkarkimin e tyre. Ndërsa në rastin e katërt, përkatësisht shkarkimet që ndërlidhen me anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Gjykata nuk kishte konstatuar shkelje kushtetuese, sepse formulimet e dispozitave të ligjit të aplikueshëm, i mundësonin Kuvendit diskrecion më të gjerë në shkarkimin e anëtarëve përkatës. Në kontekst të rrethanave të rastit konkret, Aktgjykimi sqaron që z. Beka ishte shkarkuar nga Kuvendi bazuar në rekomandimin e Komisionit për Legjislacion, në të cilin ishin listuar arsyet për ushtrimin e funksionit të tij “[…] në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”, bazuar në një procedurë për shkarkimin e anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial që shprehimisht e përcakton Ligji për Këshillin Prokurorial, dhe mbi një bazë ligjore që është gjithashtu shprehimisht e përcaktuar në ligjin e lartcekur. Në rrethana të tilla, në të cilat, Kuvendi ka ushtruar rolin e tij ndërlidhur me anëtarët jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, dhe ka shkarkuar një anëtarë jo-prokuror bazuar në procedurën dhe bazat e shkarkimit sipas përcaktimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial, përfshirë mbi bazën e një arsyetimi që nuk rezulton të jetë dukshëm arbitrar, Aktgjykimi konstaton se Kuvendi përmes Vendimit të kontestuar, nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në kontekst të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Aktvendimet për papranueshmëri
__________________________________
II.
Në tetë (8) Aktvendime për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesat e parashtruesve janë të papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës sepse (i) pretendimet e parashtruesve të kërkesave përkatëse hyjnë në kategorinë e shkallës së katërt; (ii) reflektojnë pretendime me “mungesë të dukshme të shkeljes”, dhe/ose (iii) të njëjtat janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

7. KI82/24
Parashtrues: Shpejtim Ahmeti
Publikuar më: 6 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [PN. nr. 250/2024], të 14 shkurtit 2024

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

8. KI175/24
Parashtrues: Shaban Neziri
Publikuar më: 6 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-22-0640-A0001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

9. KI190/23
Parashtrues: “Jaffa Champion” sh.p.k.
Publikuar më: 10 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë [K. DH. SH. II. nr. 131/23], të 18 majit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

10. KI177/24
Parashtrues: “Lakeside AG” sh. p. k.
Publikuar më: 18 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë [K. DH. Sh. II. nr. 1603/23], të 25 janarit 2024

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

11. KI294/23
Parashtrues: Sadri Mazreku
Publikuar më: 18 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [PML. nr. 336/2023], të 25 shtatorit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

12. KI258/23
Parashtrues: Shaban Hoti, Bedrije Hoti, Mirlindë Kelmendi, Mendim Hoti dhe Endrit Hoti
Publikuar më: 23 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 167/2023], të 7 qershorit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

13. KI51/24
Parashtrues: Isa Salihi
Publikuar më: 27 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [P.M.L. nr. 63/2024], të 6 shkurtit 2024

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

III.
Në tre (3) Aktvendime për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesa e parashtruesve është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 49 (Afatet) të Ligjit, pikën (c) paragrafin (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, sepse e njëjta është parashtruar jashtë afatit katër (4) mujor.

14. KI193/24
Parashtrues: Remzi Vila
Publikuar më: 18 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 85/2024], të 7 marsit 2024 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [Ac. nr. 5909/22], të 5 tetorit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

15. KI03/24
Parashtrues: Agim Reçica
Publikuar më: 20 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.nr. 245/2023], të 24 korrikut 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

16. KI12/24
Parashtrues: Mehmet Gashi
Publikuar më: 20 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [AC-I-22-0032], të 9 shkurtit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

IV.
Në një (1) Aktvendim për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 47 (Kërkesat Individuale) të Ligjit, pikën (b) paragrafin (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, sepse parashtruesi nuk i ka shterruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

17. KI139/24
Parashtrues: Avdylvehab Bytyqi
Publikuar më: 16 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [PAKR.nr.43/2024], të 12 marsit 2024

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

V.
Në një (1) Aktvendim për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 47 (Kërkesat Individuale) të Ligjit, pikën (a) paragrafin (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, sepse e njëjta nuk është parashtruar nga një palë e autorizuar.

18. KI126/23
Parashtrues: Sh.P.
Publikuar më: 27 dhjetor 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Pml.nr.57/2023], të 6 prillit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vërejtje:

Ky njoftim është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Tekstet e plota të vendimeve u janë dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në raste dhe do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.