Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës shkëmbyen përvojat me gjyqtarët çekë

06.12.2024

Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në krye me kryetaren e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare në Bërno të Republikës së Çekisë, më 3 dhe 4 dhjetor 2024.

Në ditën e parë të vizitës dyditore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës qëndruan për vizitë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës Çeke, ku në takim u pritën nga kryetari, z. Josef Baxa dhe gjyqtarët e tjerë të kësaj gjykate.

Në kuadër të vizitës në Gjykatën Kushtetuese të Çekisë, u mbajt edhe një punëtori e përbashkët ndërmjet gjyqtarëve të dy gjykatave kushtetuese. Pas fjalëve hyrëse të kryetares Caka – Nimani dhe kryetarit Baxa, sesioni i parë i punëtorisë i vazhdoi punimet me prezantimin e gjyqtarit kushtetues çek, z. Tomáš Langášek, mbi aspektet kushtetuese të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve.
Sesioni i dytë ndërkaq vazhdoi me prezantimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Nexhmi Rexhepi, mbi çështjen e rishikimit kushtetues të reformave gjyqësore në vend.

Në ditën e dytë të vizitës, delegacioni i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës qëndroi për vizitë në Gjykatën Supreme të Republikës së Çekisë, ku në takim u pritën nga kryetari, z. Petr Angyalossy dhe gjyqtarët e tjerë. Numri i përgjithshëm i lëndëve të trajtuara, efikasiteti në vendimmarrje, si dhe raporti me gjykatën kushtetuese ishin vetëm disa ndër temat e trajtuara në takimin e përbashkët.

Vizita e delegacionit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në Bërno u përmbyll me takimin e përbashkët me gjyqtarët dhe kryetarin e Gjykatës Supreme Administrative të Republikës së Çekisë, z. Karel Šimka.

Vizita e delegacionit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në Republikën Çeke u mundësua me përkrahjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, në kuadër të projektit “Mbështetje për Gjykatën Kushtetuese në Zbatimin dhe Përhapjen e Standardeve Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.