Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI272/23

28.08.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI272/23, të parashtruar nga Ali Tahiri, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AKPA. II. nr. 163/23] të 1 nëntorit 2023, të Prokurorisë së Apelit. Gjykata, njëzëri vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktvendimi [AKPA. II. nr. 163/23] i 1 nëntorit 2023 i Prokurorisë së Apelit, nuk është në përputhje me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [AKPA. II. nr. 163/23] e 1 nëntorit 2023 të Prokurorisë së Apelit; dhe (iv) ta kthejë të njëjtin për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.

Rrethanat e rastit ndërlidhen me afatet kohore të saktësuara në ligjet e aplikueshme për paraqitjen e ankesës ndaj vendimit të Prokurorisë Themelore për hedhjen poshtë të kallëzimit penal. Më saktësisht, në rrethanat e rastit, (i) parashtruesi i kërkesës paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë kundër A.T-së dhe T.K.-së, dhe të cilin, Prokuroria Themelore e hodhi poshtë, me arsyetimin që vepra penale për të cilën akuzoheshin A.T dhe T.K., kishte arritur parashkrimin absolut; dhe (ii) ankesë kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur në Prokurorinë e Apelit, të cilën kjo e fundit e hodhi poshtë, me arsyetimin se ishte dorëzuar jashtë afatit të paraparë ligjor prej tetë (8) ditësh. Prokuroria e Apelit theksoi se, parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktvendimin më 16 tetor 2023, ndërsa ankesën e dorëzoi më 25 tetor 2023.

Vendimin e lartcekur të Prokurorisë së Apelit, parashtruesi i kërkesës e konteston para Gjykatës, duke pretenduar që i njëjti është në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, sepse i është cenuar e drejta për qasje në drejtësi dhe mjet juridik efektiv, duke qartësuar që Prokuroria e Apelit gabimisht kishte aplikuar dispozitat ligjore ndërlidhur me afatet procedurale, sepse ankesa e tij në Prokurorinë e Apelit ishte dorëzuar përmes postës më 23 tetor 2023 dhe jo më 25 tetor 2023, prandaj dita e dorëzimit në postë llogaritet si dita e dorëzimit në Prokurorinë e Apelit.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Aktgjykimi shtjelloi parimet që burojnë nga praktika e saj gjyqësore por edhe ajo e Gjykatës Evropiane për Drejtat e Njeriut në kontekst të qasjes në drejtësi dhe mjetit efektiv juridik dhe, ndër tjerash, sqaroi që parashtruesi i kërkesës e kishte përdorur një mjet juridik i cili ishte i parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale, që përcakton të drejtën e paraqitjes së ankesës kundër vendimeve të Prokurorisë Themelore në rastet kur kjo e fundit vendos të hedhë poshtë kallëzimin penal, ndërsa bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar ankesën në Prokurorinë e Apelit përmes postës më 23 tetor 2023 dhe rrjedhimisht brenda afateve kohore të përcaktuara përmes paragrafit 3 të nenit 444 (Afatet) të Kodit të Procedurës Penale. Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Prokuroria e Apelit e kishte llogaritur në mënyrë të qartazi të gabuar afatin e dorëzimit të ankesës, duke cenuar të drejtat e parashtruesit të kërkesës për qasje në drejtësi dhe mjet juridik.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org