Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI04/23, të parashtruar nga Avdyl Bajgora, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 43/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 10 tetorit 2022. Gjykata, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktvendimi [Rev. nr. 43/2022] i 10 tetorit 2022 i Gjykatës Supreme nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme; dhe (iv) të kthejë Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] e 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme për rivendosje të revizionit në merita, në pajtim me konstatimin e dhënë në Aktgjykim.
Aktgjykimi fillimisht sqaron që parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesën e tij të parë në Gjykatë, të regjistruar me numrin KI143/21, përmes së cilës kishte kontestuar Aktvendimin [Rev.nr.558/2020] e Gjykatës Supreme të 22 shkurtit 2021, që ndërlidhej me kërkesëpadinë e tij për kompensim të tri (3) pagave jubilare nga Korporata Energjetike e Kosovës, pasi kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e tij për njohjen e të drejtës në kompensimin e lartcekur. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së Korporatës Energjetike të Kosovës, kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke refuzuar në tërësi kërkesë padinë e parashtruesit të kërkesës, ndërsa Gjykata Supreme, kishte konstatuar se revizioni në këtë rast nuk është i lejuar, sepse vlera e kontestit nuk e kalonte shumën prej 3,000.00 euro, ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 211 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Parashtruesi i kërkesës, më 7 gusht 2021, parashtroi kërkesë në Gjykatë, duke kontestuar kushtetutshmërinë e Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar që, ndër tjerash, i ishin shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në rastin KI143/21, Gjykata, përmes Aktgjykimit të saj të 25 nëntorit 2021, konstatoi se Aktvendimi [Rev. nr. 558/2020] i Gjykatës Supreme, i 22 shkurtit 2021, ishte nxjerrë në shkelje të së drejtës së parashtruesit të kërkesës për qasje në gjykatë, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Aktgjykimi tutje sqaron se, si rezultat i Aktgjykimit KI143/21 të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Supreme, më 10 tetor 2022 nxori Aktvendimin [Rev. nr.43/2022] përmes të cilit sërish hodhi poshtë revizionin e parashtruesit të kërkesës si të palejuar. Në thelb, Gjykata Supreme sërisht konstatoi se vlera e kontestit nuk kalonte shumën prej 3,000euro ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 211 të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Këtë Aktvendim të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës sërisht e kontestoi para Gjykatës, duke pretenduar, ndër tjerash, që si pasojë e vendimmarrjes së Gjykatës Supreme, atij i është cenuar (i) e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i refuzimit të shqyrtimit të kërkesës së tij për revizion, përfshirë në kundërshtim me kontatimet e Gjykatës Kushtetuese përmes Aktgjykimit në rastin KI143/21.
Gjykata, duke marrë për bazë arsyetimin dhe konstatimin e Gjykatës Supreme, përmes Aktvendimit të saj të dytë, e që sërish ndërlidhet me lejueshmërinë e revizionit, vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës hyn në kuadër të së drejtës së tij për qasje në gjykatë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo për arsye se, pretendimet thelbësore të ngritura në kërkesën e tij ndërlidheshin me atë nëse Gjykata Supreme, duke e hedhur revizionin e tij sërish si të palejuar për shkak të vlerës së kontestit, ka ndikuar në mënyrë disproporcionale në të drejtën e tij të nxjerrjes së një vendimi meritor në lidhje me kërkesëpadinë e tij.
Bazuar në të lartcekurat dhe në vlerësimin nëse e drejta e parashtruesit të kërkesës për qasje në Gjykatën Supreme është cenuar, Gjykata (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu edhe parimet dhe kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të lartë, për (ii) të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret.
Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike i referohet parimeve dhe kritereve të vendosura në rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Zubac kundër Kroacisë, përmes të cilit kjo e fundit kishte zhvilluar një test specifik në kuptim të kriterit të proporcionalitetit të kufizimit të qasjes në gjykata të shkallës më të lartë si rezultat i pragut ratione valoris. Në aplikimin e kritereve që ndërlidhen me pragun ratione valoris, Gjykata, në rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësoi nëse (i) qasja në Gjykatën Supreme si rezultat i pragut ratione valoris përbënte një kufizim; (ii) nëse ky kufizim ndiqte një qëllim legjitim; dhe (iii) nëse kufizimi ishte proporcional, dhe në kuptim të kësaj të fundit në pajtim me testin e zhvilluar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi çështjet që ndërlidheshin me (a) parashikueshmërinë e kufizimit në qasje në gjykatë si rezultat i pragut të vlerës së objektit në shumë prej 3.000 euro të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 211 të Ligjit për Procedurën Kontestimore; (b) atë nëse parashtruesi apo Gjykata Supreme duhet të bart pasojat e lëshimeve të kryera gjatë procedurës në gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (c) nëse në zbatimin e këtij kufizimi Gjykata Supreme ka përdorur “formalizëm të tepruar”, për të përfunduar me konkluzionin e saj në lidhje me proporcionalitetin e kufizimit të qasjes në Gjykatën Supreme.
Aktgjykimi fillimisht thekson që nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme e përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në paragrafin 2 të nenit 211 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Më tutje, në aplikimin e kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi gjithashtu thekson që marrë për bazë vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së Gjykatës Supreme për të gjykuar për çështje të ligjshmërisë së vendimeve të nxjerra nga gjykatat e shkallës më të ulët si autoriteti më i lartë gjyqësor, pragu ratione valoris është i (i) përcaktuar me ligj; dhe (ii) ndjek një qëllim legjitim, i cili i shërben respektimit të sundimit të ligjit dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë.
Megjithatë, marrë parasysh që në rrethanat e rastit konkret, ashtu siç kishte theksuar edhe në Aktgjykimin e saj të parë, përkatësisht Aktgjykimin në rastin KI143/21, vlera e refuzuar e kërkesëpadisë sipas përcaktimeve të vet dispozitivit të Gjykatës së Apelit, tejkalonte vlerën e përgjithshme prej 3,000 euro, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata, duke aplikuar parimet që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ritheksoi që interpretimi tejet formalist i Gjykatës Supreme ndërlidhur me rregullat e pragut të vlerës së objektit të kontestit në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës, e që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërlidhen me Aktgjykimin e goditur të Gjykatës së Apelit, nuk përkojnë me kriterin e garantimit të së drejtës praktike dhe efektive të qasjes në gjykatë në kuptim të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si rezultat i këtij vlerësimi, Gjykata konsideroi se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, i cili për herë të dytë hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, në mënyrë të pajustifikuar dhe/ose joproporcionale ka cenuar qasjen e parashtruesit të kërkesës në juridiksionin e saj, duke krijuar një pengesë që çështja e tij të zgjidhej në merita.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org