Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI199/22, të parashtruar nga P.T.P. “Arta XH”, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [E. Rev. nr. 25/20] të 1 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktvendimi [E. Rev. nr. 25/20] i 1 gushtit 2022 i Gjykatës Supreme, nuk është në përputhje me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [E. Rev. nr. 25/20] e 1 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme; dhe (iv) ta kthejë të njëjtin për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Aktgjykimi fillimisht sqaron rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest për kompensim dëmi dhe kompanisë përkatëse me të cilën kishte marrëdhënie kontraktuale.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, (i) parashtruesi i kërkesës dhe kompania përkatëse kishin lidhur një kontratë në vitin 2002, lidhur me shitjen e mbetjeve metalike; (ii) në dhjetor të vitit 2010, kompania iu nënshtrua procesit të privatizimit dhe u regjistrua si person i ri juridik, dhe vijoj përmbushjen e detyrimeve kontraktuale deri më 19 gusht 2011, kur e ndërpreu në mënyrë të njëanshme kontratën me parashtruesin e kërkesës; (iii) parashtruesi i kërkesës filloi procedurën ligjore, duke kërkuar kompensimin përkatës të dëmit, duke specifikuar gjithashtu që vlera e objektit të kontestit duhet të përcaktohet përmes provave dhe ekspertizës financiare të ofruar nga një ekspert financiar. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, e refuzuan padinë e parashtruesit të kërkesës në tërësi, përfshirë kërkesën specifike për të përcaktuar vlerën e objektit të kontestit sipas përcaktimeve të nenit 36 (pa titull) të LPK-së, ndërsa kërkesa për revizion e parashtruar në Gjykatën Supreme, u refuzua për arsye procedurale, përkatësisht arsyetimit që vlera e objektit të kontekstit nuk e ka tejkaluar pragun prej 10,000 euro sipas përcaktimeve të nenit 508 (pa titull) të LPK-së.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i Gjykatës Supreme kishte cenuar të drejtën e tij për “qasje në gjykatë” të garantuar me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash sepse (i) përkundër kërkesës së vazhdueshme, vlera e kontestit nuk ishte përcaktuar në procedurë gjyqësore; (ii) gjykatat kishin dështuar të përcaktojnë vlerën e objektit të kontestit sipas detyrës zyrtare përkundër detyrimit specifik që buron nga Ligji për Procedurën Kontestimore; ndërsa (iii) Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion pikërisht mbi bazën e vlerës së kontestit, përkundër dështimit të gjykatave më të ulëta që të përcaktojnë këtë vlerë.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe nëse e drejta e tij për qasje në Gjykatën Supreme është cenuar, Gjykata (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu dhe parimet dhe kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të lartë, për (ii) të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret.
Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike i referohet parimeve dhe kritereve të vendosura në rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Zubac kundër Kroacisë, përmes të cilit kjo e fundit kishte zhvilluar një test specifik në kuptim të kriterit të proporcionalitetit të kufizimit të qasjes në gjykata të shkallës më të lartë si rezultat i pragut ratione valoris. Në aplikimin e kritereve që ndërlidhen me pragun ratione valoris, Gjykata në rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësoi nëse: (i) qasja në Gjykatën Supreme si rezultat i pragut ratione valoris përbënte një kufizim; (ii) nëse ky kufizim ndiqte një qëllim legjitim; dhe (iii) nëse kufizimi ishte proporcional, dhe në kuptim të kësaj të fundit në pajtim me testin e zhvilluar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi çështjet që ndërlidheshin me (a) parashikueshmërinë e kufizimit në qasje në gjykatë si rezultat i pragut të vlerës së objektit në shumë prej 10,000 € (dhjetë mijë euro) të përcaktuar me nenin 508 të Ligjit për Procedurën Kontestimore; (b) atë nëse parashtruesi apo Gjykata Supreme duhet të bartë pasojat e lëshimeve të kryera gjatë procedurës në gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (c) nëse në zbatimin e këtij kufizimi Gjykata Supreme ka përdorur “formalizëm të tepruar”, për të përfunduar me konkluzionin e saj në lidhje me proporcionalitetin e kufizimit të qasjes në Gjykatën Supreme.
Aktgjykimi fillimisht thekson që nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme, e përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në nenin 508 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Më tutje, në aplikimin e kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi gjithashtu thekson që marrë për bazë vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së Gjykatës Supreme për të gjykuar për çështje të ligjshmërisë së vendimeve të nxjerra nga gjykatat e shkallës më të ulët si autoriteti më i lartë gjyqësor, pragu ratione valoris është i (i) përcaktuar me ligj; dhe (ii) ndjek një qëllim legjitim, i cili i shërben respektimit të sundimit të ligjit dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë.
Megjithatë, në vlerësimin e asaj nëse pragu ratione valoris (iii) ishte proporcional me qëllimin legjitim, Gjykata konsideroi se konstatimi i Gjykatës Supreme në rrethanat e rastit konkret, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kualifikohet si “formalizëm të tepruar” në interpretimin dhe zbatimin e ligjit në kontekst të qasjes në drejtësi, ndër tjerash, sepse është detyrim i Gjykatës Supreme që dispozitat e Ligjit për Procedurën Konstimore të i interpretojë dhe zbatojë në tërësinë e tyre, dhe që referenca në nenin 508 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, dhe i cili përcakton që revizioni në kontestet tregtare nuk lejohet në qoftë se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit të formës së prerë nuk i kalon 10,000 € (dhjetë mijë euro), nuk mund të aplikohet në izolim prej dispozitave tjera të aplikueshme, përfshirë nenin 36 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe i cili, i detyron gjykatat më të ulëta që të veprojnë sipas detyrës zyrtare në përcaktimin e vlerës së objektit të kontekstit në rrethanat e specifikuara në nenin e lartcekur. Sipas sqarimeve të dhëna, dështimi i gjykatave më të ulëta, përfshirë përkundër kërkesave të vazhdueshme të parashtruesit të kërkesës, për të përcaktuar vlerën e objektit të kontestit sipas detyrimeve ligjore, nuk mund të rezultojë në cenimin e të drejtave të parashtruesit të kërkesës për qasje në drejtësi, përkatësisht të drejtën për përdorimin e mjetit juridik të kërkesës për revizion sipas përcaktimeve të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky veprim i Gjykatës Supreme nuk ishte proporcional me qëllimin legjitim të pragut ligjor ratione valoris përkitazi me garantimin e të drejtës për qasje në gjykatat më të larta.
Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlen vetëm për rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësimi i të cilave duhet të bëhet rast pas rasti, si dhe ndërlidhet vetëm me të drejtën e qasjes në gjykatë, përkatësisht në Gjykatën Supreme, ashtu që në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org