Njoftim për vendim në rastin KO232/23 dhe KO233/23

27.06.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastet (i) KO232/23, me parashtrues: Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë; dhe (ii) KO233/23, me parashtrues: Besian Mustafa dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dorëzuara në Gjykatë bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe të konstatojë (ii) njëzëri, që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; (iii) me shtatë (7) vota për dhe dy (2) vota kundër, që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtin të pavlefshëm; (iv) njëzëri, që nenet 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; dhe (v) njëzëri, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të shpallë që Ligji nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për dekretim sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar ndryshon dhe plotëson Ligjin nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në katër aspekte kryesore. Së pari, ndryshon përbërjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga shtatë (7) në pesëmbëdhjetë (15) anëtarë, duke ndryshuar dhe/ose plotësuar edhe aspekte që ndërlidhen me kriteret dhe procedurën për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së dyti, eliminon dispozitën aktuale ligjore që garanton imunitetin në vendimmarrje të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së treti, zhvesh Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës nga kompetenca për të vendosur lidhur me ankesat e nëpunësve civilë dhe/ose kandidatëve për pranim në shërbimin civil në pozita të larta drejtuese kundër vendimeve të Qeverisë, përkatësisht pamundëson ankesat e të njëjtëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ndaj vendimeve të Qeverisë, por duke u garantuar të drejtën e ankesës në gjykatën kompetente në konflikt administrativ. Ndërsa, së katërti, për dallim nga ligji në fuqi për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, statusin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës si të ekzekutueshme, e kushtëzon ose në mungesën e ankesës në gjykatën kompetente ose në rast të ankesës, në nxjerrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë nga gjykata kompetente.

Deputetët parashtrues të Kuvendit e kontestojnë Ligjin e lartcekur si për nga procedura e ndjekur për miratimin e tij, ashtu edhe për nga përmbajtja e tij. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, (i) në kontekst të së parës, parashtruesit e kërkesës, në thelb, pretendojnë se procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar është në kundërshtim me nenin 77 (Shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit) të Rregullores së Punës së Kuvendit; ndërsa (ii) në kontekst të së dytës, në thelb, pretendojnë që Ligji i kontestuar është në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore], 101 [Shërbimi Civil] dhe 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, ndër tjerash dhe në esencë, sepse (i) cenon të drejtat dhe liritë themelore të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues për shkak se u pamundëson ankesën në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për dallim nga nëpunësit tjerë civilë, duke ua mohuar për pasojë, të drejtën në mjet juridik dhe për më tepër, në të njëjtën kohë, zhvesh Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës nga kompetenca kushtetuese për të siguruar respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil sipas përcaktimeve të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (ii) cenon pavarësinë vendimmarrëse të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, duke eliminuar garancitë për imunitetin në vendimmarrje, në kundërshtim me nenin 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; si dhe (iii) cenon kompetencat kushtetuese të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës, përfshirë të drejtat e palëve për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, marrë parasysh që eliminohet efekti i “ekzekutueshmërisë” së vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës deri në vendimin e formës së prerë të gjykatave të rregullta.

Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në parim, mbështeten edhe nga Avokati i Popullit dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, ndërsa kundër-argumentohen nga Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Këta të fundit kundër-argumentojnë se Ligji i kontestuar është në përputhje me Kushtetutën, në esencë, sepse (i) Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës nuk është Agjenci e Pavarur e Kuvendit dhe që burimi i kompetencave të Këshillit është Kuvendi; (ii) Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës nuk mund të kufizojë kompetencat e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe që vendimmarrja e saj nuk mund të kufizohet në asnjë rrethanë nga “një trupë kuazi gjyqësore”; (iii) duhet të bëhet dallimi në mes të kategorive të shërbimit civil bazuar në peshën e tyre të përgjegjësisë, kompetencave dhe rolit të përgjithshëm në sigurimin e funksionimit të administratës, ndërsa Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës nuk mund të mbivendosë vendimmarrjen e Qeverisë lidhur me nëpunësit civilë dhe/ose kandidatët për pranim në shërbimin civil në pozita të larta drejtuese, ndërsa të cilëve nuk u cenohet e drejta në mjet juridik, sepse u garantohet ankesa në gjykatat e rregullta përmes konfliktit administrativ; (iv) është në kompetencën e Kuvendit të vlerësojë nevojën e garantimit të imunitetit lidhur me vendimmarrjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur ose jo; dhe (v) vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës mund të bëhen “të ekzekutueshme” vetëm pas vendimmarrjes së gjykatave të rregullta sepse vendimet e Këshillit nuk mund t’i mbivendosen atyre të Qeverisë.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Gjykata fillimisht dhe ndër tjerash, ka shtjelluar (i) parimet themelore kushtetuese lidhur me Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës dhe raportin e tij me pushtetin ekzekutiv, siç është saktësuar në kapitullin VI [Qeveria e Republikës së Kosovës] të Kushtetutës; (ii) parimet themelore kushtetuese lidhur me barazinë para ligjit dhe të drejtën në mjet efektiv juridik; dhe (iii) parimet e vendosura nga Gjykata përmes praktikës së saj tashmë të konsoliduar gjyqësore ndërlidhur me funksionin dhe kompetencat e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës që burojnë nga neni 101 [Shërbimi Civil] i Kushtetutës, përfshirë pavarësinë vendimmarrëse të anëtarëve të tij, me theks por duke mos u kufizuar në Aktgjykimet e Gjykatës në rastet (a) KO171/18 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; (b) KO127/21 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-29] të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 30 qershorit 2021 për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës; dhe (c) KO216/22 dhe KO220/22 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë.

Në aplikimin e parimeve të lartcekura në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Aktgjykimi fillimisht thekson që (i) neni 101 [Shërbimi Civil] i Kushtetutës themelon një Këshill të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil me kompetencën kushtetuese për të siguruar respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil në Republikën e Kosovës; (ii) praktika gjyqësore e Gjykatës, ndër vite, ka sqaruar dallimin në mes të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe Agjencive të Pavarura të themeluara bazuar në nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, duke theksuar, në parim, që përderisa themelimi, përfshirë përcaktimi i funksionit dhe kompetencave të Agjencive të Pavarura, janë në kompetencën e Kuvendit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, është organ i themeluar me Kushtetutë dhe kompetencat kushtetuese të të njëjtit, nuk mund të cenohen përmes ligjeve të Kuvendit; dhe (iii) përderisa Kuvendi ka kompetencën e plotë për të saktësuar përmes ligjeve rolin e Këshillit në ushtrimin e funksionit për të siguruar respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil, Kuvendi duhet të respektojë pavarësinë dhe kompetencën e Këshillit sipas përcaktimeve të Kushtetutës.

Në Aktgjykimin e Gjykatës, parimet e sqaruara si më sipër, janë aplikuar në shqyrtimin e secilit nen të vlerësuar të Ligjit të kontestuar veç e veç. Thënë këtë dhe për qëllime të kësaj përmbledhjeje, në vijim do të sqarohen të gjeturat dhe konstatimet kryesore përkitazi me çështjet më kontestuese të Ligjit të kontestuar, përkatësisht (i) përjashtimin nga kompetenca e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të vendimmarrjes lidhur me vendimet e Qeverisë për sa i përket kandidatëve për pranim dhe nëpunësve civilë në pozita të larta të drejtuese si dhe pamundësinë e këtyre të fundit që t’i drejtojnë ankesat e tyre në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës; (ii) heqjen e imunitetit për vendimmarrje të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës; dhe (iii) zhveshjen e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga “ekzekutueshmëria” e tyre, deri në nxjerrjen e një vendimi të formës së prerë të gjykatave të rregullta.

(i) përjashtimi i kompetencës vendimmarrëse të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës lidhur me vendimet e Qeverisë për sa i përket kandidatëve për pranim dhe nëpunësve civilë në pozita të larta drejtuese

Aktgjykimi fillimisht sqaron që përmes neneve 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar ndryshohen dhe plotësohen nenet 6 (Funksionet e Këshillit), 16 (Shqyrtimi i ankesave) dhe 19 (Procedura e mbikëqyrjes së përzgjedhjes së nëpunësve civil të nivelit të lartë drejtues dhe të nivelit drejtues) të Ligjit bazik, duke shfuqizuar kompetencën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për (i) shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Qeverisë për përzgjedhjen e nëpunësve civilë në pozitat e larta drejtuese; si dhe (ii) mbikëqyrjen e procedurës së përzgjedhjes së nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, nenet e lartcekura ngritin dy (2) çështje kushtetuese, përkatësisht (i) kompetencën kushtetuese të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për të siguruar respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil në Republikën e Kosovës; dhe (ii) barazinë para ligjit në lidhje me të drejtën në mjet juridik, në kontekst të kandidatëve për pranim dhe nëpunësve civilë në pozitat e larta drejtuese në raport me kategoritë tjera të shërbimit civil.

Në kontekst të çështjes së parë, Aktgjykimi vë theks në praktikën e konsoliduar gjyqësore të Gjykatës, përfshirë (i) Aktgjykimin e saj në rastin KO171/18, përmes të cilit është shtjelluar kompetenca e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për sigurimin e respektimit të rregullave të shërbimit civil lidhur me të gjitha kategoritë e shërbyesve civil, pa përjashtim; dhe (ii) Aktgjykimin e saj në rastin KO216/22 dhe KO220/22, përmes të cilit është bërë vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publik, dhe i cili, në kualifikimin e shërbimit civil përfshin edhe zyrtarët, përkatësisht nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues dhe për më tepër, i njëjti në shtjellimin e të drejtës në ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, nuk bën dallimin në mes të kategorive të nëpunësve civilë, duke u mundësuar të gjithëve të drejtën për të paraqitur ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për çdo veprim apo mosveprim të autoriteteve që i cenon të drejtat apo interesat e ligjshme që burojnë nga marrëdhënia e punës në shërbimin civil. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Kushtetuta i përcakton Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës kompetencën për të siguruar respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil, dhe një kompetencë e tillë vlen për të gjitha kategoritë, të cilat, bazuar në ligjet e aplikueshme, hyjnë në fushëveprimin e shërbimit civil. Për më tepër, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është institucion i themeluar në kapitullin kushtetues mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa Ligji i kontestuar e përjashton kompetencën vendimmarrëse të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës pikërisht vetëm lidhur me vendimet e Qeverisë.

Më tej dhe në kontekst të çështjes së dytë, Aktgjykimi, duke aplikuar parimet që burojnë nga praktika gjyqësore e kësaj Gjykate, përfshirë ajo e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me barazinë para ligjit dhe të drejtën në mjet juridik, ndër tjerash, sqaron që bazuar në ligjet e aplikueshme, kandidatët për pranim dhe nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese, hyjnë në përkufizimin e shërbimit civil dhe si të tillë, janë në pozita “relativisht të ngjashme dhe/ose analoge” me kategoritë tjera të shërbimit civil. Për pasojë, dallimet e përcaktuara në Ligjin e kontestuar në kontekst të barazisë së qasjes në mjet juridik, përkatësisht qasjes në vlerësimin dhe vendimmarrjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, rezultojnë në “dallim në trajtim”, dhe i cili, përderisa është “i përcaktuar me ligj” dhe mund të ndjekë një “qëllim legjitim”, nuk është “proporcional” me qëllimin e ndjekur, ndër tjerash, sepse përkundër kompetencës kushtetuese të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për të siguruar respektimin e rregullave të shërbimit civil, dhe për dallim nga të gjitha ligjet tjera të aplikueshme, përfshirë Ligjin për Zyrtarët Publik, përjashton nga mbikëqyrja e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës vetëm kategorinë e lartcekur dhe atë vetëm në raport me vendimmarrjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për pasojë dhe sipas shtjellimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës.

(ii) heqja e imunitetit për vendimmarrje të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës

Aktgjykimi fillimisht sqaron që neni 6 i Ligjit të kontestuar eliminon në tërësinë e tij paragrafin 3 të nenit 11 (Mandati i anëtarëve të Këshillit) të Ligjit bazik, i cili përcakton që Kryetari dhe anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, lidhur me vendimmarrjen në kuadër të funksioneve kushtetuese dhe ligjore të Këshillit, gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi.

Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi vë theks në faktin që pavarësia vendimmarrëse e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës është shqyrtuar specifikisht përmes dy Aktgjykimeve të Gjykatës, në rastet KO171/18 dhe KO127/21, respektivisht. Përmes (i) Aktgjykimit të parë, Gjykata ka vlerësuar pikërisht kushtetutshmërinë e paragrafit 3 të nenit 11 (Mandati i anëtarëve të Këshillit) të Ligjit bazik, i cili shfuqizohet përmes Ligjit të kontestuar, duke e cilësuar të njëjtin si në përputhshmëri me nenin 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; ndërsa përmes (ii) Aktgjykimit të dytë, Gjykata ka shpallur në kundërshtim me Kushtetutën shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për shkak të vendimmarrjes së tyre në raste konkrete. Përmes të dy Aktgjykimeve, Gjykata, ndër tjerash, ka theksuar që (i) pavarësia kushtetuese e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës është e kushtëzuar nga pavarësia në vendimmarrje e anëtarëve të tij; (ii) pavarësia kushtetuese e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në ushtrimin e funksioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj u atribuon imunitet anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës lidhur me vendimmarrjen në kuadër të funksioneve kushtetuese dhe ligjore të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi, duke ua mundësuar kështu që të jenë të lirë të ushtrojnë funksionet e tyre me pavarësi dhe pa frikën e pasojave për kryerjen e funksioneve të tyre në lidhje me “pikëpamjet e shprehura, mënyrën e votimit apo vendimet e marra gjatë punës së tyre”; (iii) pavarësisht se Kuvendi ka kompetencë kushtetuese të mbikëqyr Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës sipas përcaktimeve të saktësuara në ligjin e miratuar nga vet Kuvendi, duke përfshirë mundësinë e shkarkimit të anëtarëve të tij në rrethanat e saktësuara në ligjin e aplikueshëm për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, anëtarët e tij nuk mund të shkarkohen për vendimmarrje. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, një mundësi e tillë, bazuar në të cilën anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës do të mund të shkarkoheshin për vendimmarrjen e tyre, do të cenonte thellë pavarësinë funksionale të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe vet qëllimin e ekzistencës së tij, sipas përcaktimeve të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të ligjeve të aplikueshme. Për më tepër, Aktgjykimi rithekson faktin që ligjshmëria e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ dhe/ose ekzekutiv.

Për pasojë dhe sipas shtjellimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës.

(iii) zhveshja e vendimeve të Këshillit të Pavarur nga “ekzekutueshmëria” e tyre deri në vendimin e formës së prerë të gjykatave të rregullta

Aktgjykimi fillimisht sqaron që përmes neneve 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar ndryshohen dhe plotësohen nenet 21 (Vendimi i Këshillit), 22 (Inicimi i Konfliktit Administrativ) dhe 23 (Procedura në rast të moszbatimit të vendimit të Këshillit) të Ligjit bazik, duke përcaktuar që vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nuk kanë statusin si të “ekzekutueshme”, përkatësisht duke përcaktuar që të njëjtat bëhen të “ekzekutueshme” (i) vetëm pas kalimit të afateve për ankesë në gjykatat e rregullta; ose (ii) në rast ankese, vetëm pasi vendimi i gjykatave të rregullta të ketë marrë formën e prerë.

Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi shtjellon praktikën gjyqësore të konsoliduar të Gjykatës, përfshirë në kontekst të kërkesave individuale dhe të cilat kanë ngritur, në esencë, rëndësinë e “ekzekutueshmërisë” të vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, përfshirë në kontekst të garancive kushtetuese për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe efektivitetit të mjetit juridik. Bazuar në këtë praktikë gjyqësore, Gjykata në mënyrë të vazhdueshme dhe konsistente, ka saktësuar që vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, i cili ka cilësitë e një “kuazi-tribunali” në kontekst të detyrimeve që burojnë nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të drejtë) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë vendime “përfundimtare, të detyrueshme dhe të ekzekutueshme” në procedurë administrative. Aktgjykimi më tej rithekson që, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka juridiksion të plotë për të vendosur për çështjet që ndërlidhen me sigurimin e respektimit të rregullave të shërbimit civil, ndërsa vlerësimi i ligjshmërisë së këtyre vendimeve i takon gjykatave të rregullta, të cilat, bazuar në ligjin e aplikueshëm për konfliktet administrative, kanë kompetencën e plotë për të pezulluar ekzekutimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës përmes vendosjes së masave të përkohshme, atëherë kur bazuar në vlerësimin e gjykatave kompetente janë plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj. Sipas sqarimeve të dhëna, zhveshja e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga statusi i vendimeve të “ekzekutueshme”, për aq sa vet gjykatat nuk e kanë ndaluar ekzekutimin e tyre sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme, cenon efektivitetin e kompetencës kushtetuese të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për të siguruar respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil të Republikës së Kosovës sipas përcaktimeve të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës.

Për pasojë dhe sipas shtjellimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që nenet 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Në fund, Aktgjykimi sqaron që bazuar në pretendimet e parashtruesve të kërkesës rezulton që (i) procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar, nuk është argumentuar të jetë në kundërshtim me Kushtetutën; dhe se (ii) nenet 3, 4 dhe 5 të Ligjit të kontestuar, të cilat ndryshojnë dhe plotësojnë nenet 8 (Përbërja e Këshillit), 9 (Kriteret për emërimin e anëtarit të Këshillit) dhe 10 (Procedura për emërimin e anëtarëve të Këshillit) të Ligjit bazik, nuk janë argumentuar të jenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës. Në kontekst të praktikës së saj gjyqësore, siç është shtjelluar edhe në Aktgjykim, duke marrë parasysh që pjesa e mbetur e Ligjit të kontestuar mund të zbatohet pa dispozitat e shpallura si në kundërshtim me Kushtetutën, Gjykata vendosi që Ligji nr.08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, t’i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të tij, të cilat janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe si të tilla, janë shpallur të pavlefshme.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org