Gjyqtarja Remzije Istrefi – Peci dhe Juriskonsultja Suzana Krasniqi qëndruan për vizitë studimore në Gjykatën e Kasacionit të Francës

03.05.2024

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Remzije Istrefi – Peci dhe Juriskonsultja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Suzana Krasniqi, qëndruan për vizitë studimore në Gjykatën e Kasacionit të Republikës së Francës, me seli në Paris, më 22-26 prill 2024.

Gjatë qëndrimit në Gjykatën e Kasacionit, gjyqtarja Istrefi – Peci dhe juriskonsultja Krasniqi, u njohën më për së afërmi me proceset e brendshme të punës dhe me procedurat standarde të shqyrtimit të rasteve dhe kërkesave të parashtruara në këtë gjykatë.

Krahas gjyqtarëve dhe juristëve të angazhuar në Gjykatën e Kasacionit, gjyqtarja Istrefi – Peci dhe juriskonsultja Krasniqi u takuan edhe me z. Thomas Lyon – Caen, kryetar i Dhomës së Avokatëve pranë Këshillit të Shtetit dhe Gjykatës së Kasacionit, si dhe me gjyqtarë dhe avokatë të përgjithshëm të Dhomës Civile dhe Dhomës Penale të kësaj gjykate përkitazi me prezantimin e juridiksionit dhe kompetencave të Gjykatës së Kasacionit, përfshirë këtu pjesëmarrjen në seanca dëgjimore në këto dy Dhoma.

Një takim të veçantë ato e zhvilluan edhe me ish-gjyqtarin francez në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe anëtarin e nderit të Gjykatës së Kasacionit, z. André Potocki. Përgjatë qëndrimit në Paris, me ftesë të Universitetit të Sorbonne, gjyqtarja Remzie – Istrefi Peci gjithashtu mbajti një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Juridik të këtij universiteti prestigjioz, në temën: “Metodat e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimi i mundshëm i së drejtës krahasuese”.

Vizita e lartcekur studimore është realizuar në vazhdimësi të bashkëpunimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me Këshillin Kushtetues, Këshillin Shtetëror dhe Gjykatën e Kasacionit të Francës.