Gjykatën Kushtetuese e vizituan prokurorët e sapoemëruar

12.04.2024

Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës e vizituan prokurorët e sapoemëruar, të gjeneratës së dhjetë, në kuadër të programit të trajnimit fillestar të organizuar nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës.

Prokurorët e rinj u pritën në takim nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi, të cilët fillimisht i informoi me historikun e themelimit të Gjykatës dhe kompetencat e këtij institucioni, për përbërjen e gjyqtarëve kushtetues ndër vite, si dhe për procesin e përzgjedhjes së tyre.

Marrëdhëniet me gjyqësorin e rregullt, procesi i parashtrimit të kërkesave dhe procedurat e trajtimit të lëndëve, si dhe zbatimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrjen e gjyqtarëve kushtetues, ishin ndër temat tjera mbi të cilat gjyqtari Rexhepi u fokusua gjatë prezantimit të tij.

Prokurorët e rinj shprehën interesimin e tyre që të informohen më hollësisht përkitazi me pavarësinë funksionale të gjyqtarëve dhe dallimet me pavarësinë funksionale të prokurorëve, për mënyrën se si rregullohet në aspektin kushtetues dhe ligjor imuniteti i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, si dhe për raportin e epërsisë ndërmjet Kushtetutës së vendit dhe konventave ndërkombëtare.