Gjykatën Kushtetuese e vizituan studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nxënësit e shkollës fillore “Besim Rexhepi” nga fshati Komogllavë i Komunës së Ferizajt dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, në aktivitetin e radhës “Dita e Gjykatës së Hapur”, të organizuar në shënim të Ditës së Kushtetutës, miratuar më 9 prill 2008.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim studentët e Klinikës Ligjore të Qendrës për Ndihmë Juridike Falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila, ndër të tjera, i njoftoi për rëndësinë e hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për historikun e së drejtës kushtetuese në vend dhe për rolin me rëndësi që luan Gjykata Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke iu referuar në çdo vendim të saj praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e shkollës fillore “Besim Rexhepi” nga fshati Komogllavë i Komunës së Ferizajt, në takim i priti gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Jeton Bytyqi. Gjatë prezantimit të tij, gjyqtari Bytyqi bëri një prezantim të shkurtër rreth historikut të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, përbërjes aktuale dhe mandatit të gjyqtarëve kushtetues, si dhe për raportin e kësaj gjykate me gjykatat e niveleve të tjera në kuadër të sistemit gjyqësor në vend.