Gjyqtarët, juriskonsultja dhe këshilltarët kushtetues-juridik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës morën pjesë në punëtori profesionale me Juriskonsulten e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), znj. Anna Austin, organizuar me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Kompetencat, detyrat dhe funksioni i departamentit të Juriskonsultit brenda GJEDNJ-së, procedura për mbikëqyrjen e praktikës gjyqësore të kësaj gjykate, përgatitja e hulumtimeve rreth rasteve të parashtruara dhe raportet hulumtuese krahasimore, ishin vetëm disa ndër temat mbi të cilat znj. Austin diskutoi në sesionin e parë të punëtorisë.
Ndërsa, temë kryesore e diskutimit në sesionin e dytë ishin zhvillimi dhe përditësimi i platformave të brendshme dhe të jashtme të GJEDNJ-së për ndarjen e njohurive, udhëzuesit rreth neneve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), udhëzuesit tematik (key-themes), baza e të dhënave mbi vendimet “Hudoc” dhe publikimi i raporteve periodike.
Sesioni i fundit i punëtorisë, që për qëllim kryesor pati përvetësimin e praktikave më të mira të GJEDNJ-së përkitazi me organizimin dhe funksionimin e departamentit të Juriskonsultit, u përmbyll me shkëmbim pyetjesh dhe përgjigjesh rreth praktikës më të fundit gjyqësore të GJEDNJ-së dhe rasteve me rëndësi të publikuara gjatë vitit të kaluar.