Kryetarja Caka – Nimani mori pjesë në konferencën e Javës së Gruas 2024

19.03.2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, mori pjesë në konferencën e Javës së Gruas 2024, me temë: “Udhëhiq me Gjithëpërfshirje: Ndërthurja e Politikës me Ekonominë”, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në “Hotel Emerald” në Prishtinë.

Pjesëmarrësve në edicionin e 11-të të Java e Gruas, kryetarja Caka – Nimani iu drejtua me një prezantim në temën: “Fuqia e Veprimit: Si luftohet pabarazia gjinore përmes udhëheqësisë gjithëpërfshirëse?”, ku temë diskutimi, ndër të tjera, ishte roli i Gjykatës Kushtetuese në promovimin e sundimit të ligjit, barazisë sociale, barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit.

Java e Gruas bashkon çdo vit përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore dhe vendimmarrësit politikë, si dhe ekspertët vendor e ndërkombëtarë, për të identifikuar bashkërisht rekomandimet për përfshirje më të madhe të grave në proceset e politikëbërjes në Kosovë dhe për të promovuar një shoqëri të barabartë.