Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në 60-vjetorin e themelimit Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë Veriore

15.03.2024

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, i udhëhequr nga gjyqtari i Gjykatës, z. Enver Peci, qëndroi për vizitë zyrtare njëditore në Shkup, me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u ftua për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 60-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut dhe në konferencën ndërkombëtare të organizuar me këtë rast: “Mbrojtja kushtetuese-gjyqësore e lirisë së mendimit dhe lirisë së shprehjes publike të mendimeve”.

Gjyqtari Peci ishte njëri ndër prezantuesit kryesor në konferencën ndërkombëtare, i cili gjatë qëndrimit në Shkup u takua me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, znj. Dobrila Kacarska dhe me homologë të tjerë nga gjykatat kushtetuese të rajonit.