Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI168/22

14.03.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI168/22, të parashtruar nga Nusret Kabashi, Bajram Kabashi dhe Driton Kabashi, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I.-22-0418-A0001], të 22 shtatorit 2022, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [AC-I.-22-0418-A0001] e 22 shtatorit 2022, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme; si dhe (iv) të kthejë çështjen në rivendosje në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurën për blerjen nga A.K., në emër të ndërmarrjes “Petrol Kabashi” sh.p.k., të disa pronave të ish-Ndërmarrjes Shoqërore KB “Bujqësia”, përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Si pasojë, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe “Petrol Kabashi” sh.p.k, kishin lidhur Kontratën për shitjen dhe bartjen e pronave kontestuese. Parashtruesit e kërkesës kishin paraqitur padi në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe “Petrol Kabashi” sh.p.k., duke kërkuar (i) vendosjen e masës së sigurisë mbi pronat kontestuese; dhe (ii) anulimin e kontratës së lartpërmendur, me pretendimin që e njëjta është në kundërshtim me Ligjin nr.04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme aprovoi kërkesën për masë të sigurisë deri në zgjidhjen përfundimtare të rastit. Megjithatë, pas ankesës së palëve të paditura në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, kjo e fundit miratoi ankesat dhe ndryshoi vendimin e shkallës së parë sa i përket masës së sigurisë. Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme me rastin e ndryshimit të vendimit lidhur me masën e sigurisë, theksoi se si kriter për lëshimin e masës së sigurisë, ndër të tjera është edhe dëmi që mund t’i shkaktohet palës nëse masa e sigurisë nuk lëshohet. Lidhur me kriterin në fjalë, konsideroi se në rastin konkret dëmi i pretenduar tashmë ka ndodhur dhe nuk mund të evitohet, por i njëjti mund të riparohet në aspektin monetar nëse në zgjidhjen në merita të kësaj çështje kontestuese paditësit arrijnë të dalin të suksesshëm në padinë e tyre, duke vlerësuar rrjedhimisht se nuk janë plotësuar kushtet për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me pronat kontestuese.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretenduan se përmes Aktvendimit përkatës të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 (Mbrojta e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ndër të tjera, sepse vendimi i kontestuar nuk adreson pretendimet thelbësore të tyre përkitazi me ligjshmërinë e vendimit të lartcekur, përfshirë ato që ndërlidhen me nevojën për masën e sigurisë.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata (i) fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor, siç është e garantuar përmes neneve të lartcekura të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Sipas sqarimeve të shtjelluara në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata vlerësoi se Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në rastin konkret nuk kishte arritur baraspeshën e drejtë ndërmjet palëve ndërgjyqëse në këtë procedurë, për shkak se nuk ka adresuar asnjë nga pretendimet dhe argumentet thelbësore, që në rastin konkret përfshijnë (i) mundësinë që përmes refuzimit të kërkesës për masë të përkohshme, parashtruesve të kërkesës do të mund t’u shkaktohej dëm i pariparueshëm; si dhe (ii) mosdhënies së një përgjigjeje specifike lidhur me pretendimin vendimtar në kontekst të mungesës së legjitimitetit procedural të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Gjykata ritheksoi, që bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës, gjykatat e rregullta kanë diskrecionin të vlerësojnë argumentet e palëve në të cilat duhet dhënë përgjigje, megjithatë adresimi i pretendimeve thelbësore dhe vendimtare të palëve përkatëse është i detyrueshëm në kontekst të së drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor.

Gjykata në fund theksoi se Aktgjykimi i saj është nxjerrë vetëm përkitazi me procedurën për pezullimin/shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara derisa gjykatat e rregullta të vendosin lidhur me meritat e padisë. Çështja e ligjshmërisë së vendimeve të lartcekura është në shqyrtim para gjykatave të rregullta dhe Aktgjykimi i Gjykatës në këtë rast në asnjë mënyrë nuk paragjykon vendimmarrjen e tyre lidhur me meritat e padisë.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org