Ftesë për medie

13.03.2024

Ftesë për konferencën: “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive

VENDI: “Hotel Emerald” (Magjistralja Prishtinë – Ferizaj, km. i 5-të), Prishtinë
KOHA: 15 mars 2024 (e premte), nga 09:00 deri 15:45 (hapja e konferencës dhe fjalimet kryesore nga 09:30 – 10:50)

Konferenca “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive” do të mbahet në Prishtinë, më 15 mars 2024. Ngjarja do të mbledhë përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjykatat dhe prokuroritë, si dhe përfaqësues të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare, përfaqësive diplomatike dhe shoqërisë civile. Konferenca ka në fokus diskutimin rreth përmirësimit të zbatimit të Konventës së Stambollit, përmirësimin e parandalimit dhe ndjekjes penale të dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional në këtë drejtim. Konferenca organizohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Qendrën AIRE (të mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar).

Hulumtimet e fundit rreth përgjigjes gjyqësore ndaj femicidit, përkatësisht raporti rajonal mbi “Përgjigjen Gjyqësore ndaj Femicidit në Ballkanin Perëndimor”, përfshirë “Femicidin në Republikën e Kosovës: Korniza ligjore dhe praktika gjyqësore (2018-2022)”, do të prezantohen gjithashtu në këtë ngjarje. Këto raporte ofrojnë një analizë të vendimeve gjyqësore relevante dhe një pasqyrë të kornizës ligjore përkatëse, duke shpërfaqur pikat e forta dhe mangësitë në legjislacion dhe në praktikën gjyqësore. Rekomandimet e dala nga raporti rajonal, bëjnë thirrje për kriminalizim të femicidit, përmirësim të hetimeve, adaptim të protokolleve të veçanta dhe përmirësim në çështjen e mbledhjes së të dhënave, që do të mundësonin ndjekje penale më efektive në rastet e femicidit dhe formave tjera të dhunë në baza gjinore, si dhe do të sillnin drejtësi për viktimat, në linjë me Konventën e Stambollit dhe standardet ndërkombëtare përkatëse tjera.

Ju ftojmë të merrni pjesë në këtë konferencë, që do të mbahet më 15 mars 2024 në “Hotel Emerald” (salla “Beethoven”).

Hapja e ngjarjes do të bëhet nga:

Gresa Caka-Nimani, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës
Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare për mbrojtjen kundër dhunës në familje, dhunës kundër grave dhe dhunës në baza gjinore
Biljana Braithwaite, Drejtoreshë e Programit për Ballkanin Perëndimore të Qendrës AIRE
Tankut Soykan, Zëvendës Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë

Si folës kryesorë në këtë ngjarje do të jenë znj. Dunja Mijatović, Komisionere për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Evropës (përmes video-lidhjes) dhe z. Robert Spano, ish-Kryetar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kryetar i Bordit të Patronëve të Rrjetit Gjyqësor të Kampionëve të Çështjeve Gjinore.

Informata më të hollësishme rreth temave dhe pjesëmarrësve mund të gjeni në agjendën, e cila është e qasshme këtu

Për informata të mëtejme, mund të kontaktoni znj. Medina Kadriu, Menaxhere e Zyrës në Kabinetin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, në [email protected] ose [email protected] ose +383 (0) 38 60 61 62, dhe znj. Amina Hujdur, Menaxhere për Komunikim në Qendrën AIRE, në [email protected] ose +387 (0) 66 898 918.