Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj.
Pasi që e përgëzoi për emërimin dhe i uroi suksese në detyrën e re, kryetarja Caka – Nimani e informoi ambasadorin Malaj me punën e deritanishme dhe përbërjen aktuale të Gjykatës, si dhe me zhvillimet e fundit në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës.
Ajo e vlerësoi lart bashkëpunimin institucional të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, duke vënë theksin në raportet e shkëlqyera të bashkëpunimit veçanërisht me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.
Ambasadori Malaj e falënderoi kryetaren Caka – Nimani për mikpritjen dhe shprehu përkushtimin e tij për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve shtetërore të të dyja vendeve.