Studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile vizituan Gjykatën Kushtetuese në “Ditën e Gjykatës së Hapur”

08.12.2023

Në aktivitetin e radhës “Dita e Gjykatës së Hapur”, organizuar në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, të premten, më 8 dhjetor 2023, Gjykatën Kushtetuese e vizituan dhjetëra studentë të fakulteteve juridike dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” ishin në grupin e parë të vizitorëve, që në takim u pritën nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi – Peci. Gjatë prezantimit të saj, gjyqtarja Istrefi – Peci foli rreth historikut të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, organizimit punës së deritanishme dhe kompetencave kushtetuese të Gjykatës. Ndërsa, gjyqtari Hoxha bëri një elaborim të shkurtër mbi rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Gjyqtari Radomir Laban priti në takim grupin e dytë të vizitorëve, të përbërë nga studentë të Klinikës Ligjore të Qendrës për Ndihmë Juridike Falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të cilët i informoi mbi veprimtarinë e deritanishme të Gjykatës, rastet me të cilat Gjykata është marrë së fundi, përfshirë të drejtën në jetë si pasojë e dhunës në familje, si dhe mendimet mospajtuese dhe konkurruese të gjyqtarëve.

Grupi i tretë i vizitorëve në “Ditën e Gjykatës së Hapur” ishin nxënësit e institucionit arsimor për Arsimim Profesional “Hoxhë Kadri Prishtina”, të cilët në takim u pritën nga Zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese Bajram Ljatifi dhe gjyqtari Nexhmi Rexhepi. Për derisa Zëvendëskryetari Ljatifi i njoftoi nxënësit në pika të shkurta përkitazi me historikun e së drejtës kushtetuese në vend dhe të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar, gjyqtari Rexhepi bëri një prezantim mbi rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese, mandatin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutën e vendit tonë.

Aktiviteti “Dita e Gjykatës së Hapur” u përmbyllë me vizitën e studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilët në takim u pritën nga gjyqtarja Selvete Gërxhaliu – Krasniqi, e cila ndër të tjera, juristët e ardhshëm i informoi përkitazi me raportin e Gjykatës Kushtetuese me gjyqësorin e rregullt dhe mekanizmin e kontrollit incidental, me kriteret e parashtrimit të kërkesave nga qytetarët dhe palët e autorizuara për të parashtruar kërkesë, si dhe me zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.