Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 82/22

29.06.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 82/22, të parashtruar nga Valon Loxhaj, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.nr.103/2022], të 30 marsit 2022.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pune, përkatësisht largimin e parashtruesit të kërkesës nga vendi i punës si Zyrtarit Kreditor në ProCredit Bank, më 15 dhjetor 2010. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatë Komunale në Prishtinë duke kërkuar (i) kthim në vendin e mëparshëm të punës; si dhe (ii) kompensim të të ardhurave personale të papaguara së bashku me kërkesat tjera aksesore. Gjykata Komunale e kishte miratuar si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke urdhëruar (i) kthimin e parashtruesit të kërkesës në vendin e mëparshëm të punës; si dhe (ii) kompensimin e të ardhurave personale mujore të papaguara dhe kërkesat tjera aksesore.

Pas ankesës së palës së paditur ProCredit Bank, Gjykata e Apelit (i) kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Komunale sa i përket kthimit në vendin e punës; ndërsa (ii) kishte urdhëruar që çështja që ndërlidhet me kompensimin e të ardhurave personale të parashtruesit të kërkesës të kthehet në rivendosje. Në procedurën e rivendosjes, Gjykata Themelore në Prishtinë sërisht kishte miratuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e një pjese të të ardhurave personale të papaguara për periudhën 2012 deri 2016, ndërsa e kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për pjesën tjetër të të ardhurave personale që gjithashtu ndërlidheshin me të ardhurat që njëjti kishte realizuar për periudhën 1 shtator 2012 deri 30 shtator 2016, si anëtar Bordi në kompaninë regjionale “Ambienti” sh.a. Pas ankesave të parashtruesit të kërkesës dhe palës së paditur, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme duke kërkuar (i) pagesën e të ardhurave personale nga 15 dhjetori 2010 deri në 31 gusht 2012; si dhe (ii) dallimin në të ardhura personale përkitazi me periudhën nga 1 shtatori 2012 deri më 30 shtator 2016. Gjykata Supreme kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës.

Në procedurë para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës i kontestoj vendimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe duke theksuar, ndër tjerash, se (i) ProCredit Bank në mënyrë të kundërligjshme e largoi atë nga puna; dhe se (ii) gjykatat e rregullta nuk i kishin akorduar kompensim përkitazi me periudhën nga 15 dhjetori 2010 deri me 31 gusht 2012 dhe i kishin reduktuar pagesën e pagave si rezultat i të ardhurave në mënyrë të paqartë dhe të paarsyetuar duke përfshirë gjatë periudhës që kishte përfituar të hyra nga “Ambieni” sh.a. gjatë periudhës nga 1 shtatori 2012 deri më 30 shtator 2016.
Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kuadër të së drejtës për një vendim të arsyetuar, siç garantohet me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë kontekst (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar siç është e garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht vuri theks në faktin që anulimi dhe shpallja e kundërligjshme e njoftimit të të paditurës ProCredit Bank të 15 dhjetorit 2010 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës dhe kthimi i të njëjtit në vendin e mëparshëm të punës, janë çështje të gjykuara, përkatësisht res judicata, sepse përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1955/13] të 27 qershorit 2016 të Gjykatës së Apelit, ishte vërtetuar Aktgjykimi përkatës i Gjykatës Komunale, ndërsa rasti ishte kthyer në rivendosje vetëm sa i përket kompensimit të pagave të parashtruesit të kërkesës. Ndërsa, për sa i përket të drejtës për vendim të arsyetuar, Gjykata konstatoi që në rrethanat e rastit konkret, gjykatat e rregullta kishin dështuar të adresojnë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës lidhur me (i) kompensimin e të ardhurave që burojnë nga marrëdhënia e punës, ndërprerja e të cilës ishte vërtetuar si e kundërligjshme përmes vendimeve të formës së prerë, për periudhën prej 15 dhjetorit 2010 deri 31 gusht 2012; (ii) vlerësimin të kompensimit të nevojshëm të të ardhurave për periudhën prej 31 gushtit 2012 deri 30 shtator 2016 përgjatë të cilës parashtruesi i kërkesës kishte realizuar të ardhura edhe nga kompania regjionale “Ambienti” sh.a.. Gjykata, duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore, ritheksoi që përderisa nuk është detyrim i gjykatave që të adresojnë dhe arsyetojnë secilin pretendim të palëve përkatëse, ato megjithatë kanë detyrimin kushtetues që të adresojnë dhe arsyetojnë, pretendimet thelbësore të palëve. Gjykata theksoi që në rrethanat e rastit konkret, ky nuk ishte rasti.

Për pasojë, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se (i) Aktgjykimi [Ac. nr. 1955/13] i Gjykatës së Apelit i 27 janarit 2016 lidhur me anulimin e njoftimit të 15 dhjetorit 2010 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe kthimin në vendin e mëparshëm të punës, është res judicata, ndërsa (ii) Aktgjykimi [REV.nr.103/2022] i Gjykatës Supreme i 30 marsit 2022 në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 504/19] të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 1507/16] e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 22 tetorit 2018, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së një vendimi gjyqësor të arsyetuar, dhe për pasojë, shpallen të pavlefshme dhe çështja kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org