Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 67/22

10.05.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 67/22, të parashtruar nga Zeqirja Prebreza, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [CA. Nr. 1343/2021], të 29 dhjetorit 2021.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për njohjen e të drejtës në kompensim të tri pagave jubilare. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, ndërsa duke vepruar sipas ankesës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Gjykata e Apelit ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Bazuar në shkresat e lëndës përkatëse, në ankesën e paraqitur para Gjykatës së Apelit nga Korporata Energjetike e Kosovës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje në ankesë, megjithatë, Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, të njëjtën nuk e kishte shqyrtuar, për më tepër, kishte konstatuar që një e tillë nuk ishte paraqitur nga parashtruesi përkatës.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të mbrojtura me (i) paragrafët 1 dhe 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit]; (ii) paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) paragrafin 1 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në esencë, për shkak të: (i) mungesës së shqyrtimit të përgjigjes së tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare dhe si pasojë, shkeljes së parimit të “barazisë së armëve”; (ii) zbatimin e gabuar të ligjit; si dhe (iii) mungesës të konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit.

Gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata u fokusua në pretendimet që kishin të bënin me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit”, si rezultat i mos shqyrtimit nga Gjykata e Apelit të përgjigjes së parashtruesit të kërkesës ndaj ankesës së palës kundërshtare, duke elaboruar fillimisht (i) parimet e përgjithshme përkitazi me “barazinë e armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, të garantuara me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Bazuar në këto parime, Gjykata së pari sqaroi që një përgjigje në ankesë ishte paraqitur nga parashtruesi i kërkesës brenda afatit ligjor dhe vlerësoi se, Gjykata e Apelit për shkak të mos shqyrtimit të përgjigjes në ankesë përmes Aktgjykimit [CA. Nr. 1343/2021] të 29 dhjetorit 2021, ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të “barazisë se armëve” dhe “parimin e kontradiktoritetit” procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis palës kundërshtare, dhe si pasojë është privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe përmbajtjesor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga pala kundërshtare.

Si rezultat i kësaj, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit duhet të deklarohet i pavlefshëm dhe rasti të kthehet në rivendosje në Gjykatën e Apelit. Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale lidhur me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, përkatësisht mungesën e shqyrtimit të përgjigjes në ankesë nga ana e Gjykatës së Apelit dhe se, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet dhe nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org