Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për vizitë në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së

31.03.2023

Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Kryetarja e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian (GJDBE), me seli në Luksemburg, më 27-28 mars 2023.

Në ditën e parë të vizitës, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese fillimisht u prit në takim nga Zëvendëskryetari i GJDBE-së, z. Lars Bay Larsen dhe Avokati i Parë i Përgjithshëm, z. Maciej Szpunar, me të cilët, Kryetarja Caka-Nimani dhe gjyqtarët e tjerë kushtetues, bashkëbiseduan përkitazi me funksionin dhe kompetencat që ka kjo gjykatë në kuadër të strukturave të drejtësisë të Bashkimit Evropian. Kryetarja i njoftoi rreth juridiksionit, kompetencave dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, përfshirë rolin dhe rëndësinë e praktikës së GJDBE-së në veendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Takimi i përbashkët vazhdoi me pjesëmarrjen e gjyqtarëve të të dy gjykatave në tryezën e rrumbullakët me temë: “Karta e të Drejtave Themelore të BE-së”, ku në mesin e folësve kryesor ishte edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka-Nimani. Përgjatë kësaj tryeze, u diskutua gjithashtu ndërveprimi në mes të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe ndërveprimi në mes të GJDBE-së dhe GJEDNJ-së për sa i përket kësaj fushe të juridiksionit.

Në ditën e dytë të vizitës, Kryetarja Caka-Nimani u prit në takim nga Kryetari i GJDBE-së, z. Koen Lenaerts, me të cilin diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit në mes të dy gjykatave. Gjithashtu, delegacioni i Gjykatës mori pjesë në një seancë publike të Dhomës së Madhe të GJDBE-së.

Vizita e delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian u përmbyllë me diskutime të përbashkëta me Kryetarë Dhomash të Gjykatës së Drejtësisë, gjyqtarë të kësaj gjykate dhe të Gjykatës së Përgjithshme.