Punëtori me gjyqtarët dhe prokurorët e rinj

16.02.2023

Në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës u mbajt punëtoria informuese me gjyqtarë dhe prokurorë të sapoemëruar, e organizuar në kuadër të programit të trajnimit fillestar nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës.

Gjyqtarët dhe prokurorët e rinj u pritën në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani, e cila gjatë prezantimit fillimisht diskutoi përkitazi me rolin dhe juridiksionin që ka Gjykata në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, për strukturën organizative dhe përbërjen e saj, si dhe palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave.

Kryetarja Caka – Nimani në vijim foli më në detaje për kriteret e pranueshmërisë dhe trajtimin e kërkesave të parashtruara, për raportet e Gjykatës Kushtetuese me gjykatat e niveleve të tjera në vend, si dhe për mundësitë që nëpërmjet mekanizmit të kontrollit incidental gjykatat e rregullta t’i drejtohen Gjykatës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së një ligji, që mund të jetë kontestuar gjatë procedurës gjyqësore.

Gjatë bashkëbisedimit, gjyqtarët dhe prokurorët e rinj shprehën interesimin e tyre që të informohen më hollësisht lidhur me rastet kur Gjykata mund të rishikojë praktikën e saj gjyqësore, dallimin në mes të kontrollit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së akteve, si dhe për aspekte të ndryshme të procedurës së referimit të kërkesave përmes kontrollit incidental dhe kriteret mbizotëruese për të vendosur nëse kushtetutshmëria e një ligji duhet të referohet në Gjykatën Kushtetuese.