Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në shënimin e 30-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë

21.10.2022

Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare në Tiranë, më 20 – 21 tetor 2022, me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u ftua për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe në Konferencën ndërkombëtare të organizuar me këtë rast, në temën: “Roli i Gjykatave Kushtetuese në demokracitë e reja”.

Kryetarja Caka – Nimani, në cilësinë e njërës nga folëset kryesore në Konferencën ndërkombëtare, me pjesëmarrës kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese dhe supreme rajonale dhe evropiane, mbajti një prezantim në temën e jurisprudencës kushtetuese, si garanci për konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetarja Caka – Nimani dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u pritën në takim të përbashkët nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Vitore Tusha dhe gjyqtarët e tjerë të kësaj gjykate.