Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Remzie Istrefi – Peci, qëndruan për vizitë pune në Galway të Irlandës, më 1 shtator 2022, me ftesën për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temë: “Zbatimi efektiv i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në zonat evropiane në konflikt”.
Në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Irlandës, në bashkëpunim me Qendrën Irlandeze për të Drejtat e Njeriut, njëra nga panelistët pjesëmarrës ishte edhe kryetarja Caka – Nimani, e cila mbajti një prezantim në temën: “Zbatimi efektiv i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut: Perspektiva e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës“.
Gjatë qëndrimit në Galway, kryetarja Caka – Nimani dhe gjyqtarja Istrefi – Peci zhvilluan takime të ndara me akademikë dhe juristë të shquar ndërkombëtarë në fushën e të drejtave të njeriut, si dhe me gjyqtarë të gjykatave kushtetuese evropiane.