Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML.nr.219/2021 të Gjykatës Supreme, të 22 korrikut 2021, në lidhje me Aktgjykimin PAKR.nr.184/21 të 28 majit 2021 të Gjykatës së Apelit, në lidhje me Aktgjykimin PKR.nr.118/2020, të 14 dhjetorit 2020 të Gjykatës Themelore të Gjakovës – Departamenti për Krime të Rënda
Nr. të lëndës KI228/21
Parashtruesit: Bajram Guga
KI228/21, parashtruesi i kërkesës: Bajram Guga, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML.nr.219/2021 të Gjykatës Supreme, të 22 korrikut 2021, në lidhje me Aktgjykimin PAKR.nr.184/21 të 28 majit 2021 të Gjykatës së Apelit, në lidhje me Aktgjykimin PKR.nr.118/2020, të 14 dhjetorit 2020 të Gjykatës Themelore të Gjakovës – Departamenti për Krime të Rënda
KI228/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 qershorit 2022, publikuar më 26 korrik 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës është i dyshuar për kryerjen e dy veprave penale, dhe atë “veprën penale Grabitja nga neni 317 par. 1 i KPRK” , dhe “veprën penale Sulmi seksual nga neni 229 par.2 nën.2.1 i KPRK”.
Gjatë procesit gjyqësor, parashtruesi i kërkoi Gjykatës Themelore t’i caktonte një përkthyes për gjuhën gjermane, me shpjegimin se jeton prej shumë vitesh në Gjermani. Gjykata Themelore e pranoi kërkesën e parashtruesit dhe i caktoi atij një përkthyes. Pas seancës dëgjimore fillestare si dhe seancës kryesore, Gjykata Themelore e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e të dyja veprave penale dhe rrjedhimisht i shqiptoi dënimin me burg. Në procedurën ankimore në Gjykatën e Apelit, parashtruesit nuk i është caktuar përkthyesi i gjuhës gjermane, por përkundër këtij fakti, Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktgjykim me të cilin vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore. Parashtruesi ka paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme duke përmendur si argument kryesor faktin se atij si i akuzuar nuk i është caktuar përkthyesi gjatë procedurës në Gjykatën e Apelit.
Gjykata Supreme miratoi kërkesën e parashtruesit, anuloi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe urdhëroi që t’i sigurohej parashtruesit të kërkesës një përkthyes në procedurat e përsëritura, në mënyrë që ai të mund të ndiqte vetë rrjedhën e gjykimit.
Në procedurën e përsëritur, Gjykata e Apelit i caktoi parashtruesit një përkthyes të gjuhës gjermane, me ç’rast përsëri nxori aktgjykimin me të cilin konfirmoi në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës ka paraqitur sërish kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila është refuzuar nga Gjykata Supreme si e pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme, e cila vendosi të refuzojë kërkesën e tij për mbrojtjen e ligjshmërisë, paraqiti kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke përmendur shkeljen e nenit 30 [Të drejtat e të akuzuarit], që ai e ndërlidh me “sigurimin e përkthimit adekuat në procedura penale”, dhe ii) të nenit 31 [E drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, të cilin ai e ndërlidh me parimin e “barazisë së armëve”.
Duke analizuar kërkesën e parashtruesit, Gjykata konstatoi se pretendimi për shkeljen e nenit 30 në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës si dhe nenin 6 të KEDNJ-së ishin të pabazuara, për faktin se gjykatat kishin caktuar një përkthyes për gjuhën gjermane, i cili ishte i disponueshëm në çdo fazë të procesit gjyqësor për parashtruesin e kërkesës ose mbrojtësin e tij.
Gjykata e shpalli të pabazuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, të cilin ai e ndërlidh me parimin e barazisë së armëve, për arsye se ai bazoi shkeljen e parimit të “barazisë së armëve” në faktin se gjykatat e rregullta “kanë zbatuar gabimisht ose arbitrarisht dispozitat ligjore përkatëse”, pa specifikuar se për cilat dispozita ligjore bëhet fjalë dhe se si zbatimi i tyre nga gjykatat e rregullta ka sjellë deri tek shkelja e të drejtave të garantuara nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së në kuadër të parimit të “barazisë së armëve”.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, Gjykata konkludoi se të gjitha pretendimet e parashtruesit duhet të refuzohen si pretendime iii) “të pabazuara ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, Gjykata e shpalli kërkesën të papranueshme në tërësinë e saj si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bajram Guga
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale