Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Shqipërisë në punëtori për Kodin e Etikës

22.07.2022

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në krye me kryetaren e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndruan për vizitë pune në Tiranë, të premten, më 22 korrik 2022, me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Delegacioni i gjyqtarëve nga Kosova u ftua për të marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Tiranë dhe me mbështetje të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), që për qëllim kishte hartimin e Kodit të Etikës të kësaj gjykate.

Punëtoria i filloi punimet me fjalët hyrëse të kryetareve të gjykatave kushtetuese të Shqipërisë dhe Kosovës, znj. Vitore Tusha dhe znj. Gresa Caka – Nimani, ndërsa gjyqtari Nexhmi Rexhepi prezantoi këndvështrimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës përkitazi me kodin e etikës së gjyqtarëve.