Gjyqtarët dhe këshilltarët juridik të Gjykatës Kushtetuese në punëtori mbi kontestet zgjedhore

07.06.2022

Në punëtorinë e organizuar me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, me temë: “Kontestet Zgjedhore dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, gjyqtarët dhe këshilltarët juridik të Gjykatës Kushtetuese patën rastin që të njihen më për së afërmi me standardet e përcaktuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) në lidhje me kontestet zgjedhore dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në këtë fushë.

E drejta për të votuar dhe për t’u kandiduar në zgjedhje, administrimi i zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjet paszgjedhore në këndvështrimin krahasues, si dhe zbatimi praktik i nenit 3 të Protokollit 1 të KEDNJ-së në rastin e mosmarrëveshjeve zgjedhore, ishin ndër temat kryesore mbi të cilat ekspertë ndërkombëtar nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni i Venecias shprehën pikëpamjet e tyre.

Punëtoria dyditore, e mbajtur më 6 dhe 7 qershor 2022, në “Hotel Venus” në Prishtinë, ofroi gjithashtu një rast të mirë për të gjithë pjesëmarrësit që të analizojnë rastet më me rëndësi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në aspektin e kontesteve që u ngritën në faza të ndryshme të proceseve të shpeshta zgjedhore.