Përfaqësues të IKD-së dhe një grup studentësh të drejtësisë vizituan Gjykatën

07.04.2022

Një grup studentësh të drejtësisë, të shoqëruar nga menaxheri i projekteve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), z. Yll Zekaj, qëndruan për vizitë në Gjykatën Kushtetuese. Ata u pritën në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani dhe këshilltari i parë i Gjykatës, z. Jeton Bytyqi.

Gjatë takimit me studentë, kryetarja Caka – Nimani bëri një prezantim të shkurtër përkitazi me strukturën organizative të Gjykatës, palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave, procedurat e regjistrimit dhe afatet e shqyrtimit të lëndëve, si dhe procesin e përgatitjes së raporteve paraprake nga këshilltarët dhe gjyqtarët e rastit.

Juristët e ardhshëm ndërkaq u interesuan që të informohen më hollësisht përkitazi me mekanizmat e kontrollit të zbatueshmërisë së vendimeve të Gjykatës dhe afatet e përcaktuara për parashtrimin e kërkesave për kontestimin e çështjeve të ndryshme kushtetuese.