Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 11 gushtit 2021

Nr. të lëndës KI 224/21

Parashtruesit: Nexhip Aliu

Shkarko:

KI224/21, Parashtrues: Nexhip Aliu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 11 gushtit 2021

KI224/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 marsit 2022, publikuar më 5 prill 2022

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kompetencë gjyqësore, kërkesë qartazi e pabazuar, dëme të luftës 

Parashtruesi  i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Qeverisë së Republikës së Serbisë, për kompensimin e dëmit material dhe jo material që i ishte shkaktuar parashtruesit të kërkesës gjatë luftës. Gjykata Themelore ishte shpallur jokompetente për të vendosur në këtë çështje. Aktvendimi i Gjykatës Themelore, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, me ç’ rast kjo e fundit duke iu referuar dispozitave përkatëse të Ligjit për Procedurën Kontestimore, kishte arsyetuar, mes tjerash, se për rastet kur paditet një shtet i huaj në gjykatat vendore, vlejnë normat e së drejtës ndërkombëtare, për të cilat konteste gjykatat e vendit nuk janë kompetente për të vendosur, por kompetente në këto çështje juridike është gjykata në territorin e së cilës ndodhet selia e Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi se si rezultat i vendimeve të gjykatave të rregullta të cilat nuk kishin trajtuar në merita padinë e tij, atij i janë shkelur të drejtat e parapara me Kushtetutë, përkatësisht nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij, më konkretisht, ngriti tri kategori të pretendimeve, përkatësisht: (i) zbatimin e parimit “per loci” [ratione loci] që sipas tij duhej të aplikohej në rastin konkret; si dhe (ii) të drejtën e tij për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe të drejtën për qasje në drejtësi.

Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, gjeti se gjykatat e rregullta në rastin konkret kishin aplikuar dispozitat procedurale lidhur me kompetencën e gjykatave të rregullta lidhur me raste të padive të tilla. Gjykata gjeti se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve dhe interpretimeve të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës dhe atij i ishte dhënë mundësia që në të gjitha fazat e procedurës të paraqesë argumentet dhe interpretimet ligjore të cilat i konsideronte të rëndësishme për rastin e tij. Gjykata Kushtetuese, lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, po ashtu rikujtoi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku janë potencuar barrierat procedurale që imponon parimi i imunitetit sovran të shteteve, në raport me procedurat gjyqësore që mund të zhvillohen kundër një shteti në gjykatat e brendshme të një shteti tjetër, sikur në rastin konkret. Andaj, Gjykata gjeti se pretendimet e parashtruesit për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i shpalljes jokompetente të gjykatave të rregullta për të vendosur lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës, ishin qartazi të pabazuara. Gjykata, po ashtu, e konsideroi të rëndësishme të theksojë faktin se gjykatat e rregullta të Kosovës nuk kanë gjykuar mbi të drejtën e parashtruesit të kërkesës për të kërkuar kompensimin e dëmit, por vetëm lidhur me kompetencën territoriale të gjykatave të Kosovës për të zhvilluar procedurë kundër një shtetit tjetër.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, pretendimet e parashtruesit janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht shpalli kërkesën të papranueshme ashtu siç përcaktohet me nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Nexhip Aliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile