Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë dyditore në Budvë të Malit të Zi, më 1 dhe 2 prill 2022, me ftesën për të marrë pjesë në Forumin e parë të Barazisë Gjinore për Ballkanin Perëndimor.
Organizuar nga Qendra AIRE për Ballkanin Perëndimor dhe me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Forumi mundësoi shkëmbimin e diskutimeve profesionale ndërmjet kryetarëve dhe gjyqtarëve të gjykatave kushtetuese dhe supreme të vendeve të rajonit dhe atyre evropiane, mbi parimet kryesore që rrjedhin nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) përkitazi me barazinë gjinore.
Gjatë qëndrimit në Budvë, kryetarja Caka – Nimani gjithashtu zhvilloi takime të ndara me kryetarin dhe me zëvendëskryetaren e GJEDNJ – së, z. Robert Spano dhe znj. Síofra O’Leary, si dhe me gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të kësaj gjykate evropiane.