KI221/21, Parashtrues: Shpejtim Gacaferri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ. nr. 65/2021 i 21 korrikut 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë, qartazi e pabazuar
Rrethanat e këtij rasti kanë të bëjnë me inicimin e kontestit administrativ nga ana e parashtruesit të kërkesës për shkak të refuzimit të kërkesës së tij nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (në tekstin e mëtejmë: AZHB) me qëllim të marrjes së përkrahjes financiare për ndërtimin e sistemit të ujitjes për tokën bujqësore. Së pari, Komisioni i Ankesave i AZHB-së e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se kërkesa e parashtruesit nuk i plotëson kriteret e nevojshme për marrjen e mjeteve financiare në fjalë. Pas kësaj, gjykatat e rregullta kanë vërtetuar vendimin e AZHB-së, duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës nuk i ka plotësuar kushtet e përcaktuara me rregulloret pozitive për marrjen e mjeteve të kërkuara financiare.
Parashtruesi i kërkesës kontestoi në Gjykatë konkluzionet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar se kishte pasur shkelje të neneve 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së, si pasojë e mungesës së arsyetimit të vendimeve gjyqësore dhe shkeljes së barazisë para ligjit.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se në lidhje me pretendimin kryesor të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht pretendimin për mungesë të arsyetimit të vendimeve gjyqësore, përkatësisht mungesës së arsyetimit konkret lidhur me pretendimin e tij për shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse kanë qenë në ndonjë mënyrë të padrejta apo arbitrare dhe se përmes vendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, përkatësisht me aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit janë vërtetuar interpretimi dhe konkluzioni i Gjykatës së Apelit dhe i Gjykatës Themelore, prandaj, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Në vijim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të barazisë para ligjit, të garantuar me nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës. Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se ajo në vazhdimësi ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e thjeshtë e neneve të Kushtetutës nuk mjafton për të vërtetuar një pretendim të bazuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të paraqesin pretendime të vërtetuara dhe argumente bindëse. Prandaj, lidhur me këtë pretendim, kërkesa e parashtruesit duhet të deklarohet e papranueshme, si qartazi e pabazuar, pasi konsiderohet si pretendim që i përket kategorisë së pretendimeve „të pambështetura apo paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht citoi një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (1) (d) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Shpejtim Gacaferri
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative