Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 224/2020, të 8 qershorit 2021

Nr. të lëndës KI 192/21

Parashtruesit: Kurtesh Veliu

Shkarko:

KI192/21, Parashtrues: Kurtesh Veliu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 224/2020, të 8 qershorit 2021 

KI192/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 16 shkurtit 2022, publikuar më 14 mars 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kthim në gjendje të mëparshme, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për kompensim të dëmit si rezultat i një lëndimi trupor, të parashtruar në Gjykatën Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kundër të paditurve S.S dhe T.S. Në bazë të shkresave të lëndës, rezulton që seanca e shqyrtimit kryesor në Gjykatën Themelore ishte caktuar të mbahej më 8 tetor 2020, për të cilën seancë ishin njoftuar parashtruesi i kërkesës dhe përfaqësuesi i tij ligjor. Më 5 tetor 2020, përfaqësuesi i autorizuar i parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore kishte dorëzuar një parashtresë përmes të cilës i kishte komunikuar kësaj të fundit pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në seancë për shkak të përfaqësimit të tij në dy seanca tjera gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Më 9 tetor 2020, Gjykata Themelore si rezultat i mospjesëmarrjes së përfaqësuesit ligjor dhe parashtruesit të kërkesës në seancën e gjyqësore, duke u bazuar ne paragrafin 3 të nenit 423 të LPK-së kërkesëpadinë e parashtruesit e konsideroi si të tërhequr. Si rrjedhojë, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore parashtroi propozim për kthim në gjendje të mëparshme të rastit. Më 28 tetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.932/13] refuzoi propozimin e parashtruesit të kërkesës duke konstatuar se ky i fundit parashtresën e tij nuk e kishte mbështetur me ndonjë provë, e cila do të vërtetonte se me po këtë datë dhe orë është i angazhuar në seanca të tjera. Në vijim, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të 9 tetorit 2020 përmes të cilës kërkesëpadia e tij ishte e konsideruar si e tërhequr kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit refuzoi ankesën e tij si të pabazuar duke vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore, të 9 tetorit 2020. Po ashtu, Gjykata Supreme duke vendosur në lidhje me revizionin e parashtruesit të kërkesës, përmes Aktvendimit të saj të kontestuar refuzoi revizionin e tij duke vërtetuar Aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të 5 janarit 2021 dhe Aktvendimin, e 9 tetorit 2020 të Gjykatës Themelore shkelin të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës pretendoi se për mungesën e tij në seancën shqyrtuese, Gjykata Themelore ishte njoftuar me kohë.

Gjatë vlerësimit të kritereve të pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ishin pretendime “të shkallës së katërt” dhe për pasojë gjeti se arsyetimi i dhënë nga gjykatat e rregullta që ndërlidhen me vlerësimin arsyetimit të tij për mungesë në seancën shqyrtuese të 8 tetorit 2020 në Gjykatën Themelore është i qartë dhe i mjaftueshëm dhe se procedurat në gjykatat e rregullta nuk ishin të padrejta apo arbitrare. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi pretendim i parashtruesit të kërkesës është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Kurtesh Veliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile