Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi në Shkup për vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin maqedonas, kryetarja Caka – Nimani dhe homologia e saj, znj. Dobrila Kacarska, diskutuan bashkërisht me gjyqtarët e të dy gjykatave mbi modalitetet e intensifikimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit institucional në fushat me interes të ndërsjellë.
Të dyja palët u dakorduan për hapat e radhës që duhet ndërmarrë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit, me fokus të veçantë në shkëmbin e përvojave drejt avancimit të praktikave përkatëse gjyqësore.
Në vijim të vizitës, gjyqtarët e të dy gjykatave morën pjesë në punëtorinë e përbashkët të organizuar përkitazi me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, me referencë të veçantë në zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.