Kryetarja Caka – Nimani priti në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi

13.08.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.

Pasi që i shprehu mirëseardhjen, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi ambasadorin Minxhozi me punën e deritanishme të Gjykatës, me përpjekjet që po bëhen për rritjen e efikasitetit në punë dhe me zhvillimet e fundit në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës.

Ajo i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet reciproke me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe konfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit nëpërmjet projekteve të përbashkëta.

Ambasadori Minxhozi i shprehu urimet e tij znj. Caka – Nimani për marrjen e detyrës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi se do të mbetet gjithnjë i përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.