Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, CN. nr. 11/20, të 26 tetorit 2020

Nr. të lëndës KI23/21

Parashtruesit: Rabit Fazliu

Shkarko:

KI23/21, Parashtrues: Rabit Fazliu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, CN.nr.11/20, të 26 tetorit 2020

KI23/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 qershorit 2021, publikuar më 18 qershor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja e pronës, kërkesë e paafatshme

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin CN.nr.11/2020 e 26 tetorit 2020 i Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin Rev.nr.45/2020 e 9 marsit 2020 të Gjykatës Supreme.

Gjykata rikujton se esenca e rastit ka të bëjë me një Aktvendim të Gjykatës Komunale në Gjilan në bazë të cilit ishte vërtetuar se nga pasuria trashëgimore e cila kishte qenë e regjistruar në emër të E.F., babait të parashtruesit të kërkesës, pas vdekjes së tij, N.F., vëllau i parashtruesit të kërkesës dhe parashtruesi i kërkesës ishin shpallur trashëgimtarë në ½ e pjesës ideale të patundshmërisë së lartcekur. Më pas N.F. kishte paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Gjilan për vërtetimin e të drejtës së pronësisë, lidhur me lokalin afarist i cili gjendet në katin përdhesë të patundshmërisë së lartcekur. Gjykata Themelore në Gjilan, kishte aprovuar kërkesëpadinë e N.F., duke konstatuar se në bazë të trashëgimisë është pronar i lokalit afarist. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme dhe kjo e fundit kishte miratuar revizionin e parashtruesit të kërkesës dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore në Gjilan. Gjykata Themelore në Gjilan, duke vepruar në rigjykim, aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e N.F. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit kjo e fundit kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit e refuzoi revizionin si të pasafatshëm. Më pas, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Gjykatës Supreme me kërkesë për kthim në gjendje të mëparshme, dhe kjo kërkesë u hodh poshtë si e palejuar.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 dhe nenin 13 të KEDNJ-së.

Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se revizionin para Gjykatës Supreme e kishte paraqitur brenda afatit, por të njëjtin e kishte dorëzuar gabimisht përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe jo përmes Gjykatës Themelore në Gjilan, dhe sipas tij Gjykata Supreme nuk kishte marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës.

Gjykata Kushtetuese duke marrë parasysh ankesën e parashtruesit të kërkesës, fushëveprimin e obligimeve ligjore the kushtetuese të gjykatave të rregullta dhe specifikave të rastit, konsideron se “vendimi i fundit”, në rastin e parashtruesit të kërkesës, sipas kuptimit te rregullit 39 (1) (c) dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës, për rastin e parashtruesit të kërkesës, është Aktvendimi [Rev.nr.45/2020] i 9 marsit 2020 i Gjykatës Supreme. Si përfundim, në pajtim me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës kërkesa është paraqitur pas afatit kohor dhe, rrjedhimisht, e papranueshme.

Parashtruesit:

Rabit Fazliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative