KI31/21, Parashtrues: Albert Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 224/2020, të 17 shtatorit 2020
KI31/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 majit 2021, publikuar më 24 maj 2021
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, akuzë penale, pranim i fajësisë, dokument i falsifikuar, statusi i veteranit
Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur Aktakuzën [PP/II. nr. 946/2019] kundër parashtruesit të kërkesës, lidhur me veprën penale nga paragrafi 2 i nenit 403 [Legalizim i përmbajtjes së rreme] të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nr. 04/L-082. Parashtruesi i kërkesës dyshohej se më 9 shkurt 2017, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale-Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile – Zyra në Pejë, me qëllim që të përfitoj pagën e statusit të veteranit, kishte prezantuar dokumentin e falsifikuar (Vërtetimin me nr. 31982/2016, të 15 qershorit 2016), se kinse ishte veteran i UÇK-së, me ç’rast, MPMS-së i kishte shkaktuar dëm material prej 3740.00 euro. Gjykata Themelore në Pejë, pasi parashtruesi i kërkesës kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej, përmes Aktgjykimit [P. nr. 467/2019], shpalli atë fajtor, dhe i shqiptoi dënimin me burgim prej 6 (gjashtë) muajve, i cili dënim iu zëvendësua me dënim me gjobë prej 1200.00 euro, si dhe dënimin plotësues që MPMS-së t’i kompensoj shumën prej 3740.00 euro për shkak të dëmit të shkaktuar si rezultat i kryerjes së veprës penale. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [PML.nr.224/2020], që kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit për mbrojte të ligjshmërisë, si të pabazuar, shkel të drejtat e tij të garantuara me 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të tij kushtetuese, respektivisht për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, kishin të bënin me mënyrën se si gjykatat e rregullta kishin interpretuar KPRK-në dhe KPPRK-së, dhe mënyrën se si ato kanë vlerësuar provat gjatë shqyrtimit të rastit të tij, konkretisht lidhur me pretendimet se: a) gjykatat e rregullta nuk është dashur t’i shqiptojnë parashtruesit të kërkesës dënim plotësues – kthimin e shumës prej 3740.00 euro të dëmtuarës MPMS-së, por është dashur që të udhëzojnë MPMS-në në kontest civil; dhe b) vendimi i kontestuar është i pakuptimtë, kontradiktor me vetveten dhe në kundërshtim me dispozitat procedurale të KPPRK-së. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se arsyetimi i gjykatave të rregullta, duke iu referuar pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të legjislacionit penal, ishte i qartë dhe, pas shqyrtimit të të gjitha procedurave, Gjykata gjithashtu konstatoi se procedurat në gjykatat e rregullta nuk kanë qenë të padrejta apo arbitrare. Andaj, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojnë se me vendimin e kontestuar i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së. Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit për seancë dëgjimore.
Albert Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale