KI29/21, Parashtrues: “Vëllezërit Kryeziu” Sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AC.nr.4601/2020, të 2 dhjetorit 2020
KI29/21, Vendim për refuzim të kërkesës, i 5 majit 2021
Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, kërkesë e paplotësuar, vendim për refuzim
Nga shkresat e lëndës rezultoi se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një borxh të parashtruesit të kërkesës ndaj Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, borxh ky i cili ishte konstatuar përmes një varg aktvendimesh të këtij të fundit. Pas propozimit për përmbarim të parashtruar nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Përmbaruesi Privat Gj.R. kishte lejuar përmbarimin në vlerë prej 22.500 Euro kundër parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar prapësim kundër Urdhrit për lejimin e përmbarimit, të cilin Gjykata Themelore e kishte pranuar pjesërisht, duke pranuar se borxhi në vlerë prej 17.500 Euro ishte parashkruar ndërsa lidhur me borxhin në vlerë prej 5000 Euro e kishte lënë në fuqi Urdhrin Përmbarimor. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Gjykata e Apelit kishte pranuar ankesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim. Gjykata Themelore duke vepruar në rigjykim kishte refuzuar si të pabazuar prapësimin e parashtruesit të kërkesës. Pas ankesës së parashtruesit, Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën duke vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktvendimin [AC.nr.4601/2020] e 2 dhjetorit 2020 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës në lidhje me Aktvendimin [PPP.nr.55/20] e 26 gushtit 2019 të Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i ishin shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) nenin 13 (E drejta në mjete efektive juridike) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Marrë parasysh faktin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk ishte e kompletuar, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të plotësojë kërkesën e tij, duke plotësuar i) formularin e kërkesës; ii) të gjitha vendimet të cilat parashtruesi i ka përmendur në kërkesë; iii) të sqarojë para Gjykatës nëse ka përfaqësues dhe nëse po të dorëzojë autorizimin për përfaqësim.
Gjykata në bazë të fletëkthesës postare, vërejti se parashtruesi i kërkesës e ka pranuar shkresën e Gjykatës më datë 24 shkurt 2021 dhe megjithatë nuk është përgjigjur në kërkesën e Gjykatës.
Andaj, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 20 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 32 (2) (h) dhe 35 (5) të Rregullores së punës së Gjykatës, prandaj vendosi që kërkesa të refuzohet me procedurë të shkurtër.
“Vëllezërit Kryeziu” Sh.p.k
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Tjetër