Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Komisionit ad-hoc Parlamentar të Kuvendit të Republikës Kosovës për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të 15 shtatorit 2020

Nr. të lëndës KI 09/21

Parashtruesit: Sadat Lekiqi

Shkarko:

Rasti nr. KI09/21, parashtrues: Sadat Lekiqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Komisionit ad-hoc Parlamentar të Kuvendit të Republikës Kosovës për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të 15 shtatorit 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, shterja e mjeteve juridike

Nga shkresat e lëndës rezulton se më 26 maj 2020, Kuvendi i Kosovës shpalli konkurs për zgjedhjen e 7 (shtatë) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK-). Parashtruesi i kërkesës kishte aplikuar për anëtar të KPMSHCK-së sipas konkursit të lartcekur, megjithatë, ai ishte njoftuar nga Komisioni Parlamentar i Kuvendit për përzgjedhjen e anëtarëve të KPMSHCK, se nuk ishte përzgjedhur për të vazhduar procesin e intervistimit, për arsye se, ndër të tjera, nuk i përmbush kriteret e konkursit përkatës, përkatësisht nuk ka dhjetë (10) vite përvojë pune, siç është përcaktuar në nënparagrafi 3 të paragrafit 1 të nenit 9 të Ligjit për KPMSHCK-në.

Parashtruesi i kërkesës, pretendon para Gjykatës Kushtetuese se Njoftimi i Komisionit Parlamentar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës dhe nenet 13 (E drejta për zgjidhje efektive), 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe 17 (Ndalimi i shpërdorimit të të drejtave) të KEDNJ-së.

Lidhur me kërkesën e parashtruesit, Gjykata fillimisht konstatoi se parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar kërkesën në cilësinë e palës së autorizuar, duke e kontestuar një akt të autoritetit publik, përkatësisht Njoftimin e Komisionit Parlamentar të 15 shtatorit 2020. Në vijim, Gjykata vlerësoi nëse lidhur me kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës kishte shterur mjete juridike të parapara me paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.

Lidhur me këtë, Gjykata theksoi se përtej mundësisë së kontestimit të procedurave përkitazi me përzgjedhjen e anëtarëve të KPMSHCK-së brenda Kuvendit, ligjet e aplikueshme u referohen edhe mjeteve tjera juridike të përcaktuara përmes (i) Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA); dhe (ii) Ligjit nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi).

Megjithatë, Gjykata gjeti se parashtruesi i kërkesës nuk kishte shterur asnjë mjet juridik lidhur me rastin e tij para se t’i drejtohej me kërkesë Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, Gjykata gjeti se ai gjithashtu nuk kishte dëshmuar se (i) mjetet juridike të parapra në ligjet e lartcekura e të cilat ai nuk i ka shteruar nuk janë “mjaftueshëm të sigurta jo vetëm në teori, por edhe në praktikë” sepse nuk mund “të ofrojnë zgjidhje përkitazi me pretendimet e një parashtruesi” dhe “të ofrojnë një mundësi të arsyeshme për sukses”; (ii) të njëjtat nuk janë në “dispozicion, të qasshme dhe efektive”; (iii) “ka bërë gjithçka që mund të pritet në mënyrë të arsyeshme nga ata që të shterojë mjetet juridike”; dhe (iv) pretendimet e tij rreth joefikasitetit të mjeteve juridik, nuk janë të bazuara në “dyshime e thjeshta” e të cilat, nuk vlejnë si arsye për ta liruar një parashtrues nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike.

Gjykata rikujtoi se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar. Andaj, Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstatoi se kërkesa e parashtruesit nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë pasi ai që nuk ka shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, dhe si e tillë, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme.

Gjykata gjithashtu, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe pikën (a) të paragrafit (4) të rregullit 57 (Vendimi për masë të përkohshme) të Rregullores së punës,  vendosi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme duhet të refuzohet, sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt shqyrtimi, pasi kërkesa të deklarohet e papranueshme.

Parashtruesit:

Sadat Lekiqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative