KI172/20, Parashtrues: Xhevdet Metaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr. 44/2020, të 11 shkurtit 2020
KI172/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 prillit 2021, publikuar më 29 prill 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta e parablerjes, aplikim qartazi i gabuar i ligjit, mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes, shkallë e katërt, kërkesë qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me të drejtën e pretenduar të parashtruesit të kërkesës për parablerjen e një ngastre e cila ndodhet në Bellopojë, në fqinjësi me një pjesë të saj me ngastrën e parashtruesit të kërkesës, dhe të cilën pronari përkatës ia kishte shitur një personi të tretë në vitin 2014. Parashtruesi i kërkesës, përgjatë gjykatave të rregullta kishte pretenduar se ai ka të drejtën e parablerjes së pronës. Gjykata Themelore, fillimisht kishte vërtetuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për parablerjen e ngastrës kontestuese, duke e anuluar Kontratën e shitblerjes së vitit 2014, bazuar kështu në Ligjin mbi Qarkullimin e Pasurisë së Paluajtshme të vitit 1988. Pas ankesës së personit të tretë, Gjykata e Apelit, dhe më pas Gjykata Supreme kishin ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore, dhe përmes Aktgjykimeve përkatëse kishin arsyetuar se në kontestin që kishte lindur në vitin 2014, i aplikueshëm ishte Ligji për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore i vitit 2009 dhe jo Ligji mbi Qarkullimin e Pasurisë së Paluajtshme i vitit 1988, dhe se për dallim nga ky i fundit, i pari nuk përmban dispozita përmes të cilave garantohet e drejta e parablerjes së paluajtshmërisë së fqinjit, përpos nëse një e drejtë e tillë buron nga një kontratë e shkruar në mes palëve përkatëse. Këto Aktgjykime parashtruesi i kërkesës i kontestoi para Gjykatës, duke pretenduar në esencë, shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të aplikimit dhe interpretimit qartazi të gabuar dhe arbitrar të ligjit, përkatësisht (i) zbatimit të ligjit të gabuar në rrethanat e rastit e tij; dhe (ii) shkeljes së dispozitave ligjore, përkatësisht atyre të përcaktuara përmes Ligjit mbi Qarkullimin e Pasurisë së Paluajtshme, të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore dhe të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.
Gjykata fillimisht shqyrtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me pretendimin e tij për aplikimin e ligjit të gabuar në rrethanat e kontestit përkatës, përkatësisht Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore të vitit 2009 dhe jo Ligjit mbi Qarkullimin e Pasurisë së Paluajtshme të vitit 1988, siç kishte vepruar Gjykata Themelore fillimisht. Në këtë kontekst, Gjykata së pari shtjelloj parimet e përgjithshme të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me aplikimin dhe interpretimin në mënyrë qartazi të gabuar apo arbitrar të ligjit dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstatoi se Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, respektivisht, në fakt kanë aplikuar ligjin e saktë në rrethanat e këtij rasti, përkatësisht Ligjin për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore të vitit 2009 dhe se rrjedhimisht, gjykatat e rregullta nuk kanë aplikuar e interpretuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar apo arbitrare.
Ndërsa, sa i përket pretendimeve rreth interpretimit të gabuar të dispozitave të ligjit të aplikueshëm, përkatësisht Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore dhe Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, Gjykata theksoi se gjykatat e rregullta kishin adresuar këto pretendime dhe kishin theksuar se bazuar në ligjet e aplikueshme, e parablerjes të parashtruesit të kërkesës do të mund të fitohej në bazë të kontratës, e cila për të qenë e vlefshme ndaj personave të tretë, duhet të ketë qenë e regjistruar në Regjistrin e të drejtave në paluajtshmëri, e që nuk është rasti në rrethanat e rastit konkret.
Gjykata, për pasojë, konstatoi se pretendimet rreth (i) aplikimit të ligjit të gabuar, përkatësisht Ligjit mbi Qarkullimin e Pasurisë së Paluajtshme të vitit 1988 në vend të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore të vitit 2009, janë qartazi të pabazuara në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; ndërsa (ii) interpretimit të gabuar të dispozitave të ligjit të aplikueshëm, janë gjithashtu qartazi të pabazuara në baza kushtetuese si pretendime të “shkallës së katërt”. Prandaj dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Xhevdet Metaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri