KI48/20 Parashtrues: N.N.P “Kristal”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës CML.nr.14/2019 të 18 nëntorit 2019
KI48/20, Aktvendim për papranueshmëri i 29 marsit 2021, i publikuar më 7 maj 2021
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, gjykim i drejtë dhe i paanshëm, procedura përmbaruese, procedura kontestimore, seancë dëgjimore, kërkesë e papranueshme
Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës dhe debitori “Dukagjini Invest” kishin pasur mosmarrëveshje lidhur me punët shtesë që pretendohet se janë të papaguara nga debitori. Parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Zyrës së Përmbaruesit Privat me qëllim të lejimit të procedurës së përmbarimit bazuar në dokumentin e besueshëm. Pas ankesës së debitorit, çështja kontestuese ishte gjykuar nga gjykatat e rregullta, të cilat kishin miratuar ankesën e debitorit dhe refuzuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për lejimin e urdhrit të përmbarimit.
Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatë duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ). Pretendimi qendror i parashtruesit të kërkesës ishte zbatimi i gabuar i ligjit nga gjykatat e rregullta ngase sipas tij, gjykatat e rregullta është dashur ta zbatonin ligjin për procedurën kontestimore dhe jo ligjin për procedurën përmbarimore. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi që në pajtim me rregullin 42 [E drejta në dëgjim dhe heqja dorë] të Rregullores së punës të mbahet seancë dëgjimore.
Gjykata vlerësoi nuk vëren zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, Gjykata vlerësoi: (i) parashtruesi i kërkesës me vullnetin dhe bindjen e tij të lirë kishte iniciuar procedurën përmbarimore duke iu drejtuar përmbaruesit privat, me qëllimit të lejimit të procedurës së përmbarimit bazuar në “dokumentin e besueshëm”; (ii) gjykatat e rregullta kanë shpjeguar përse faturat “nr.1/2018” dhe “nr.2/2018” nuk janë dokument i përshtatshëm për përmbarim duke shpjeguar kushtet që duhet të plotësohen sipas ligjit në mënyrë që një dokument të cilësohet i përmbarueshëm; (iii) kanë shpjeguar e interpretuar qëllimin e procedurës përmbarimore çka është çështje e ligjshmërisë dhe rrjedhimisht brenda fushëveprimit të tyre; dhe, (iv) kanë interpretuar dhe shpjeguar qëllimin e nenit 29.1.3 të LPP-së dhe nenit 71.1.3 të LPP-së lidhur me ndalimin e përmbarimit të detyrimeve që janë paguar po nga të cilat është hequr dorë; çka po ashtu, është çështje e ligjshmërisë dhe rrjedhimisht brenda fushëveprimit të tyre.
Gjykata konstatoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme, siç përcaktohet me nenin 113.7 dhe nenin 21.4 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës. Gjykata po ashtu refuzoi kërkesën për shqyrtim verbal në pajtim me nenin 20 të Ligjit.
N.N.P “Kristal”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër