Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, CA.nr.2093/2017, të 29 janarit 2018

Nr. të lëndës KI 86/18

Parashtruesit: Slavica Đordević

Shkarko:

KI86/18, Parashtruese: Slavica Đordević, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, CA.nr.2093/2017, të 29 janarit 2018

KI86/18, Aktgjykim, i 3 shkurtit 2021, publikuar më 11 mars 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja e pronës, e drejta për mjete juridike, kërkesë e pranueshme, shkelje e të drejtave kushtetuese 

Nga shkresat e rastit rezulton se në vitin 1997 parashtruesja e kërkesës kishte filluar ndërtimin e një objekti banimi në parcelën ndërtimore nr. 65 C, pjesë e ngastrës kadastrale nr. 7140/1, në Prizren, të cilat punime më vonë ishin ndërprerë si rezultat i luftës në Kosovë. Pas vitit 1999, parcela në fjalë ishte uzurpuar nga B.M. Ky i fundit kishte ndërtuar edhe dy kate të tjera mbi konstruksionin ekzistues të objektit të banimit në ndërtim e sipër që parashtruesja e kërkesës e kishte filluar, por që nuk kishte arritur ta mbaronte.

Pas këtyre zhvillimeve, parashtruesja e kërkesës në cilësi të pronares kishte paraqitur kërkesë në Komisionin për Çështje Pronësore Banesore për kthimin e pronës kontestuese në posedim të saj.

Përmes Vendimit të Komisionit për Çështje Pronësore Banesore, ishte vërtetuar se parashtruesja e kërkesës: (i) gëzon të drejtën e shfrytëzimit të pronës që është objekt kryesor kontesti në këtë rast; dhe se (ii) prona në fjalë duhet t’i kthehet asaj në posedim në një afat prej 30 ditësh nga plotfuqishmëria e Vendimit të Komisionin për Çështje Pronësore Banesore.

Duke qenë se prona në fjalë nuk ishte liruar nga personi që e kishte uzurpuar atë, parashtruesja e kërkesës iu kishte drejtuar Gjykatës Komunale në Prizren me kërkesë që prona lëndore t’i kthehet në riposedim. Gjykata Komunale në Prizren, përmes Aktgjykimit [C.nr.462/10] kishte aprovuar kërkesën, Aktgjykim ky i cili ishte vërtetuar nga Gjykata e Qarkut dhe Gjykata Supreme.

Pas përfundimit të procedurave të lartcekura për vërtetim pronësie para gjykatave të rregullta, parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur kërkesë për përmbarim të Aktgjykimit [C.nr.462/10] të Gjykatës Komunale, të 21 dhjetorit 2011, kërkesë kjo që ishte aprovuar nga Gjykata Themelore dhe nga Gjykata e Apelit. Lidhur me përmbarimin e Aktgjykimit të Gjykatës Komunale ishte caktuar një kompani ndërtimore, e cila kishte caktuar një shumë prej 19.495,42 euro për rrënimin e kateve që B.M. kishte ndërtuar në pronën e parashtrueses së kërkesës, pasi që të njëjtën e kishte uzurpuar në vitin 1999.

Parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar që të lirohet nga pagesa e shpenzimeve të përmbarimit duke u thirrur në gjendje të rëndë financiare dhe në pamundësi të pagesës së shumës prej 19.495,42 euro. Kërkesën e tillë, Gjykata Themelore në Prizren e kishte refuzuar me arsyetimin se meqë pala debitore, B.M., nuk e kishte deponuar shumën e domosdoshme të kërkuar për ekzekutimin e punimeve lidhur me rrënimin e objektit, me arsyetimin se është rregull që paraprakisht si paradhënie ato shpenzime t’i paguajë kreditori, respektivisht parashtruesja e kërkesës në rrethana të rastit konkret. Gjykata Themelore kishte kërkuar dhënien e mendimit ligjor nga Gjykata Supreme se si duhet të veprohej në situatën kur debitori nuk paguan shpenzimet, ndërkaq që kreditori nuk ka mundësi financiare t’i paguaj ato. Gjykata Supreme, duke u thirrur në nenin 13 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, kishte theksuar se shpenzimet e procedurës lidhur me caktimin dhe kryerjen e përmbarimit paraprakisht paguan kreditori, respektivisht parashtruesja e kërkesës në rastin konkret. Krejt në fund, Gjykata Themelore duke u bazuar kryesisht në mendimin juridik të Gjykatës Supreme obligon parashtruesen e kërkesës që të paguajë paraprakisht shpenzimet përmbarimore, duke theksuar se nëse e njëjta nuk i paguan atëherë Gjykata Themelore do t’a pezullojë procedurën në këtë rast. Ky Vendim i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar dhe  konsideruar i drejtë edhe nga Gjykata e Apelit.

Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës i konteston dy vendimet e fundit, përkatësisht vendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit që kanë rezultuar me pezullimin e procedurës përmbarimore.

Parashtruesja e kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e saj  kushtetuese të garantuara me nenin 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare]; nenin 24 [ Barazia para Ligjit]; nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]; nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike]; nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe me nenet përkatëse të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nenin 6 paragrafi 1  [E drejta për gjykim të drejtë]; neni 13 [E drejta për mjete efektive juridike]; nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ [Mbrojtja e pronës]; nenin 14 [Ndalimi i diskriminimit], si dhe me nenet përkatëse të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, respektivisht neni 2, neni 8,  neni 10 dhe neni 17. Parashtruesja e kërkesës kërkoi që identiteti i saj të mos zbulohet, pa dhënë ndonjë arsye specifike për këtë kërkesës.

Parashtruesja e kërkesës në thelb pretendon se në këtë çështje ekziston një vendim përfundimtar, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren P.nr.462/10, i 21 dhjetorit 2011, i cili ishte bërë përfundimtar më 19 maj 2012, dhe i cili ende nuk është përmbaruar përkundër përpjekjeve të saj të vazhdueshme.

Lidhur  me nenin 46 të Kushtetutës, pretendoi se deri të braktisja e pronës së saj ka ardhur për shkak të forcës madhore (vis major), e jo me veprimet e saj me vetë dëshirë. Prej atij momenti ajo ka qenë objektivisht e penguar ta shfrytëzojë pasurinë e saj, dhe pas kalimit të më shumë se 19 vjetëve i është pamundësuar qasje në pasurinë lëndore. Sipas saj, për shkak të punës joefektive dhe joefikase së pari të Komisionit për Çështje Pronësore Banesore, e më pas edhe të gjykatave të rregullta janë krijuar pasojat e dëmshme të cilat ankuesja si pronare e pronës po i vuan. Me këtë, mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e të drejtës së pacenueshme të pronës, të garantuar me kornizën ekzistuese të legjislacionit, janë të pafuqishëm që t’ia mundësojnë qasjen në pronë dhe mbrojtje të gëzimit të qetë të pronës.

Gjykata në këtë rast konstatoi se ekzistojnë dy vendime të formës së prerë, respektivisht Vendimi i Komisionit për Çështje Pronësore Banesore, i 30 prillit  2005, sa i përket të drejtës së shfrytëzimit të pronës që është objekt kontesti si dhe Aktgjykimi P. br.462/10 i Gjykatës Komunale, i 21 dhjetorit 2011, e i cili është bërë i plotfuqishëm më 19 maj 2012 përmes së cilit e urdhëroi të paditurin B.M. që ta lirojë pronën e uzurpuar dhe të njëjtën ta kthejë në gjendje të mëparshme, duke i larguar të gjitha punimet të cilat i ka kryer në pronën në fjalë.

Gjykata konstatoi se mospërmbarimi i Vendimit të Komisionit për Çështje Pronësore Banesore i 30 prillit 2005 dhe Aktgjykimit P. br.462/10 i Gjykatës Komunale, i 21 dhjetorit 2011, si dhe pezullimi i këtij të fundit në procedurë përmbarimore nga ana e Gjykatës Themelore në Prizren duke e mbyllur procedurën përmbarimore, në rastin e parashtrueses së kërkesës, përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së.

Gjykata gjithashtu konstatoi se pamundësia për të ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore për përmbarimin e Vendimit të Komisionit për Çështje Pronësore Banesore të 30 prillit 2005 dhe Aktgjykimit P. br.462/10 të Gjykatës Komunale, të 21 dhjetorit 2011, paraqet gjithashtu shkelje të neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe të nenit 13 të KEDNJ-së.

Përveç kësaj, Gjykata konstaton se si rezultat i mospërmbarimit të vendimit të formës së prerë dhe të detyrueshëm, parashtruesja e kërkesës është privuar pa të drejtë nga prona e saj. Në këtë mënyrë është shkelur edhe e drejta e parashtrueses së kërkesës për të gëzuar në mënyrë paqësore pronën e saj, siç garantohet me nenin 46 të Kushtetutës, dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Në fund, Gjykata konsideron se nuk duhet të merret më tej me pretendimet për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së, sepse pretendimet dhe kërkesat e tilla janë konsumuar nga konstatimet e Gjykatës për shkelje të neneve 31, 32, 54 dhe 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Gjykata e refuzoi kërkesën e parashtrueses  për moszbulim të identitetit, pasi që

Parashtruesit:

Slavica Đordević

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile