Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-13-0181-A0008, të 29 gushtit 2019

Nr. të lëndës KI160/19, KI161/19,KI162/19, KI164/19, KI165/19, KI166/19,KI167/19, KI168/19, KI169/19, KI170/19,KI171/19, KI172/19, KI173/19 dhe KI178/19

Parashtruesit: Muhamet Këndusi dhe të tjerët

Shkarko:

KI160/19, KI161/19,KI162/19, KI164/19, KI165/19, KI166/19,KI167/19, KI168/19, KI169/19, KI170/19,KI171/19, KI172/19, KI173/19 dhe KI178/19, Parashtrues të kërkesës: Muhamet Këndusi dhe të tjerët Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-13-0181-A0008, të 29 gushtit 2019

KI160/19, KI161/19,KI162/19, KI164/19, KI165/19, KI166/19,KI167/19, KI168/19, KI169/19, KI170/19,KI171/19, KI172/19, KI173/19 dhe KI178/19,  Aktgjykim i miratuar më 27 janar 2021, publikuar më 15 shkurt 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për t’u dëgjuar, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

Në rrethanat e rastit konkret,  parashtruesit e kërkesës u ankuan në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kundër vendimit të AKP-së përkatësisht për shkak të mos përfshirjes së tyre në listën përfundimtare të punëtorëve të NSH “Agimi” Gjakovë. Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme vendosi që parashtruesit e kërkesës të përfshihen në listën përfundimtare të punëtorëve me të drejtë legjitime për të marrë pjesë nga të ardhurat e 20% nga privatizimi i NSH “Agimi” Gjakovë.  Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme, pas ankesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pa mbajtur seancë dëgjimore, ndryshoi vendimin e Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme dhe refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit e kërkesës të përfshihen në listën përfundimtare të punëtorëve me të drejtë legjitime për të marrë pjesë nga të ardhurat e 20% nga privatizimi i NSH “Agimi” Gjakovë. Parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën e tyre në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar, mes tjerash, shkelje të nenit 31 të Kushtetutës  së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), për shkak të mos mbajtjes së seancës dëgjimore.

Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesve te kërkesës, përkitazi me mungesën e seancës dëgjimore në rrethanat e rastit të tyre, si një ndër garancitë e përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenit 6 të KEDNJ-së, duke mbështetur këtë vlerësim në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë:GJEDNJ).

Në këtë aspekt, Gjykata fillimisht ka shtjelluar parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika e saj gjyqësore dhe ajo e GJEDNJ-së, përkitazi me të drejtën në një seancë dëgjimore, duke i sqaruar rrethanat në të cilat një e tillë është e domosdoshme, bazuar mes tjerash, në Aktgjykimin e Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë. Gjykata ka sqaruar, mes tjerash, se (i) mungesa e kërkesës së një pale për seancë dëgjimore jo detyrimisht nënkupton heqjen dorë nga një e drejtë të tillë dhe nëse mungesa e një kërkese të tillë nënkupton heqjen dorë të një pale nga kjo e drejtë, varet nga specifikat e ligjit dhe rrethanat e veçanta të një rasti; dhe (ii) në parim, palët kanë të drejtë në një seancë dëgjimore në të paktën një nivel të juridiksionit, përpos nëse “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, e të cilat bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në parim ndërlidhen me raste në të cilat shqyrtohen “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”.

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se (i) fakti që parashtruesit e kërkesës nuk kanë kërkuar seancë dëgjimore para Kolegjit të Apelit, nuk nënkupton heqjen dorë të tyre nga kjo e drejtë dhe as nuk e liron Kolegjin e Apelit nga detyrimi që të trajtojë me nismën e tij domosdoshmërinë e mbajtjes së një seancë dëgjimore; (ii) parashtruesve të kërkesës iu është mohuar e drejta e seancës dëgjimore në të dy nivelet e DHPGJS-së; (iii) Kolegji i Apelit, nuk kishte trajtuar “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike” dhe rrjedhimisht nuk “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”; (iv) Kolegji i Apelit kishte shqyrtuar çështje “fakti dhe ligji” për më tepër që, kishte ndryshuar Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar në dëm të parashtruesve të kërkesës; dhe (v) Kolegji i Apelit, nuk kishte arsyetuar “heqjen dorë nga seanca gojore”. Duke marrë parasysh këto rrethana dhe arsyetimet e tjera të dhëna në këtë Aktgjykim, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [AC-I-13-0181-A0008] i 29 gushtit 2019, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me të drejtën për një seancë dëgjimore.

Gjykata gjithashtu theksoi se (i) bazuar në ligjin e aplikueshëm për DHPGJS-në, Kolegji i Apelit ka kompetencë të plotë për vlerësimin e vendimeve të Kolegjit të Specializuar dhe rrjedhimisht, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, ka mundësinë e korrigjimit të mungesës së seancës dëgjimore në nivelin e gjykatës më të ulët, përkatësisht, Kolegjit të Specializuar; dhe (ii) nuk është e nevojshme të trajtohen pretendimet e tjera të parashtruesve të kërkesës sepse të njëjtat duhet të shqyrtohen nga Kolegji i Apelit në përputhshmëri me konstatimet e këtij Aktgjykimi; dhe (iii) konstatimi i shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale për një seancë dëgjimore dhe në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet, si dhe nuk e paragjykon rezultatin e meritave të rastit.

Gjykata po ashtu konstatoi se kërkesa nr. KI178/19 e dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës Jakup Abaz Agaj duhet të refuzohet e papranueshme qartazi e pabazuar siç specifikohet me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, për shkak se nuk ka ofruar ndonjë provë që do ta lironte atë nga obligimi për mos respektim të afatit ligjor për paraqitje të ankesës në DHPGJS.

Parashtruesit:

Muhamet Këndusi dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile