Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ.UZVP.nr. 94/2019, të 1 gushtit 2019

Nr. të lëndës KI 227/19

Parashtruesit: N.T. “Spahia Petrol”

Shkarko:

KI227/19, Parashtrues: N.T. “Spahia Petrol”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ.UZVP.nr. 94/2019, të 1 gushtit 2019

KI227/19, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, publikuar më 29 dhjetor 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë administrative, rivlerësim i tatimit, vendim i paarsyetuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një biznes, të cilit në vitin 2014, si rezultat i hetimeve penale, i ishte sekuestruar dokumentacioni financiar nga Policia e Kosovës. Më pas, kishte pasuar një kontroll nga Administrata Tatimore e Kosovës, e cila përmes Njoftimit për Rivlerësimet, në mes tjerash, kishte përcaktuar tatimin shtesë dhe atij në vlerë të shtuar për periudhat përkatëse. Parashtruesi i kërkesës e kishte kontestuar këtë Njoftim për Rivlerësim në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe kjo e fundit e kishte vlerësuar ankesën e parashtruesit të kërkesës si pjesërisht të bazuar. Pjesa refuzuese e Vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës, kryesisht ndërlidhej me transaksionet të cilat parashtruesi i kërkesës i kishte realizuar më kompaninë “S”, dhe të cilat nuk kishte arritur që t’i dëshmojë. Parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë me kërkesë për kthimin e dokumentacionit financiar, në mënyrë që të kishte mundësi t’i dëshmonte transaksionet e tij në procedurën e ankesës në Administratën Tatimore dhe në gjykata të rregullta. Bazuar në shkresat e lëndës, i njëjti nuk kishte marrë ndonjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë. Në ndërkohë, procedurat para gjykatave të rregullta kishin rezultuar në refuzimin e padisë, ankesës dhe kërkesës për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vendimi gjyqësor të parashtruesit të kërkesës të dorëzuar në Gjykatën Themelore, atë të Apelit dhe Supreme, respektivisht. Para të njëjtave, parashtruesi i kërkesës në mënyrë të vazhdueshme, kishte theksuar, ndër të tjerash, se mungesa e dokumentacionit financiar i ka pamundësuar të provuarit e transaksioneve kontestuese, duke pretenduar shkelje të (i) nenit 9 (Parimi i Publicitetit) të Ligjit nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative, sipas të cilit, ndër tjerash, organi publik duhet të garantojë të drejtën e palës për qasje në dosjen dhe dokumentet e tij; (ii) paragrafit 6 të nenit 14 (Qasja në libra, regjistrime, kompjuterë dhe pajisje të tjera për ruajtjen e regjistrave) të Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore, sipas të cilit, ndër tjerash, Drejtori i Përgjithshëm ose zyrtari i autorizuar i cili merr dhe mban regjistrat sipas këtij neni do të bëjë një kopje të regjistrit dhe do të kthejë origjinalin në kohën më të shkurtër nga ana praktike; dhe (iii) shkelje të së drejtës së tij në gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe të së drejtës për mjet juridik efektiv, të garantuara përmes neneve 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta në Mjete Juridike] të Kushtetutës, respektivisht.

Gjykata Supreme, duke vendosur si instancë më e lartë gjyqësore lidhur me këtë rast, përmes Aktgjykimit të kontestuar, kishte refuzuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke konfirmuar Aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit. Gjykata Supreme kishte arsyetuar qëndrimin e saj, duke u bazuar (i) në nenin 22 (Transaksionet mbi Pesëqind Euro) të Udhëzimit Administrativ nr. 15/2010 për Zbatimin e Ligjit nr. 03/L-222 mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat, sipas të cilit, “të gjithë personat, të cilët kryejnë transaksione, gjatë aktivitetit të tyre ekonomik në lidhje me furnizimin e mallrave apo shërbimeve, në mes të personave, më të larta se 500 (pesëqind) euro pagesa e transaksionit duhet të bëhet përmes llogarisë bankare”, duke theksuar rrjedhimisht së të gjitha dëshmitë e nevojshme do të mund të siguroheshin përmes bankës përkatëse nga parashtruesi i kërkesës; dhe (ii) në nenin 23 (Anulimi i Dokumenteve Tatimore) të Ligjit për Administratën Tatimore dhe nenet 13 (De-aktivizimi i një Biznesi), 14 (Anulimi i Dokumenteve Përfshirë Numrin Fiskal) dhe 16 (Publikimi i Emrave dhe Numrave të Tatimpaguesëve) të Udhëzimit Administrativ nr. 15/2010.

Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës kontestoi konstatimet e Gjykatës Supreme, duke ngritur pretendime që ndërlidhen me (i) nenin 31 të Kushtetutës, në kuptim të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe cenimit të parimit të barazisë së armëve; dhe (ii) nenit 32 të Kushtetutës, në kuptim të pamundësisë së ushtrimit të së drejtës së tij në mjet juridik efektiv, sepse në mungesë të dokumentacionit financiar, parashtruesi i kërkesës nuk ka mundur në mënyrë efektive të kontestojë as Vendimin e Administratës Tatimore, dhe më pas, as vendimet e gjykatave të rregullta. Gjykata fillimisht shqyrtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor, shqyrtim ky në të cilin, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme; dhe me pas, (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Përgjatë këtij vlerësimi, Gjykata konstatoi që Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, përkatësisht Aktgjykimi [ARJ.UZVP.nr. 94/2019] i 1 gushtit 2019, ishte nxjerrë në shkelje të së drejtës së parashtruesit të kërkesës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse Gjykata Supreme kishte dështuar të adresojë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës përkitazi me (i) shkeljen e ligjit të aplikueshëm, përkatësisht nenit 9 të Ligjit për Procedurën Administrative dhe paragrafit 6 të nenit 14 të Ligjit për Administratën Tatimore; dhe (ii) shkeljen e Kushtetutës, përkatësisht neneve 31 dhe 32 të saj, si pasojë e cenimit të pretenduar për barazi të armëve në procedurë dhe pamundësisë së ushtrimin efektiv të mjeteve juridike në dispozicion. Për më tepër që Gjykata Supreme konstatimin e saj përfundimtarë, lidhur me shpalljen e pabazuar të kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e kishte bazuar në dispozita të Ligjit për Administratën Tatimore dhe të Udhëzimit Administrativ nr. 15/2010, dhe të cilat, nuk ndërlidheshin në asnjë mënyrë me rrethanat e rastit konkret.

Në këtë kontekst, Gjykata gjithashtu sqaroi, se përkundër faktit që kur gjykatat me juridiksion apeli, konfirmojnë vendimet e gjykatave më të ulëta, nuk janë të detyruara të arsyetojnë secilin argument, ato megjithatë janë të detyruara që të tregojnë konsideratë të mjaftueshme në shqyrtimin e vendimit të shkallës më të ulët, edhe në dritën e pretendimeve të ngritura para saj. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, bazuar në të gjitha sqarimet e dhëna në këtë Aktgjykim, konsideroi se ky nuk është rasti, sepse, jo vetëm që Gjykata Supreme nuk kishte adresuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, po gjithashtu kishte bazuar konstatimin e saj përfundimtarë në dispozita, e të cilat nuk kishin asnjë ndërlidhje me rrethanat e rastit konkret duke i bartur të njëjtat nga vendimet e gjykatave më të ulta, pa shqyrtim dhe konsideratë të mjaftueshme në çështjen që ishte para saj.

Për pasojë, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës Supreme, nuk është në përputhshmëri me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, dhe rrjedhimisht duhet të shpallet i pavlefshëm, dhe të kthehet në rivendosje në Gjykatën Supreme. Gjykata gjithashtu vuri theksin në faktin se konstatimi i saj për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet ekskluzivisht me mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor, dhe në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me dhe as nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.

 

Parashtruesit:

N.T. “Spahia Petrol”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative