Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML.nr.137/2020, të 15 qershorit 2020

Nr. të lëndës KI 128/20

Parashtruesit: Ramadan Sopaj

Shkarko:

KI128/20, Parashtrues: Ramadan Sopaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML.nr.137/2020, të 15 qershorit 2020

KI128/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 nëntorit 2020, publikuar më 29 dhjetor 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, akuzë penale, përbërja e trupit gjykues, vlerësimi i provave,  kërkesë qartazi e pabazuar

Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për të Mitur (në tekstin e mëtejmë Gjykata Themelore), përmes Aktgjykimit [PKR.nr.3/2019], shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për vepër penale nga paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 i nenit 235 [Keqpërdorimi seksual i personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç] të Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 04/L-082 (në tekstin e mëtejmë: KPRK-së), sepse më 29 nëntor 2018, në Qendrën e Mjekësisë Familjarë në Malishevë (në tekstin e mëtejmë: QMF) kishte bërë keqpërdorim seksual me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç, gjate vizitës së të miturës F.H. në QMF. Aktgjykimi Gjykatës Themelore ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [PML.nr. 137/2020], lidhur me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [PAKR.nr.25/2020], dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [PKR.nr.3/2019], shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi nga Gjykata që të vendos masën e përkohshme, konkretisht, të shtyjë ekzekutimin e vendimit për dënimin.

Gjykata theksoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës kanë të bëjnë me mënyrën se si gjykatat e rregullta kanë interpretuar KPRK-në, Kodin e Drejtësisë për të Mitur, dhe mënyrën se si ato kanë vlerësuar provat gjatë shqyrtimit të rastin të tij, konkretisht lidhur me: a) përbërjen e trupit gjykues; b) deklaratat kontradiktore të të dëmtuarës dhe ekspertëve lidhur me fajësinë e parashtruesit të kërkesës; si dhe, c) mosplotësimin e elementin “subjektiv” të veprës penale.

Gjykata Kushtetuese, pasi vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur pretendimet e tij për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe të drejtën për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, gjatë procedurës me të cilën ai është shpallur fajtor për veprën penale – keqpërdorimi seksual i personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç. Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme. Andaj, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 27 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës Gjykata shpalli kërkesën e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuar.

Parashtruesit:

Ramadan Sopaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale