Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Pml. nr. 48/2020, të 27 majit 2020

Nr. të lëndës KI 111/20

Parashtruesit: Elez Elezi

Shkarko:

KI111/20, Parashtruesi i kërkesës: Elez Elezi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 48/2020] të 27 majit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës,  në lidhje me Aktgjykimin [PAKR. nr. 144/2019] e 9 korrikut 2019 të Gjykatës së Apelit të Kosovës dhe Aktgjykimin [PKR. nr. 111/2016] e 21 shkurtit 2019 të Gjykatës Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda

KI111/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 25 nëntor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar në bazë kushtetuese,  kërkesë për masë të përkohshme, kërkesë për moszbulim të identitetit, kërkesë e papranueshme.

 

  1. Më 21 shkurt 2019, Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda në procedurën pas rikthimit të rastit në rigjykim për herë të dytë, përmes Aktgjykimit [PKR. 111/2016] të 21 shkurtit 2019, parashtruesin e kërkesës e shpalli fajtor për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit “ nga neni 343, paragrafi 1 i KPPK-së dhe e dënoi atë me burgim në kohëzgjatje prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditëve dhe i shqiptoi dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të profesionit-veprimtarisë ose detyrës zyrtare në afat prej një (1) viti”, dënim i cili do të zbatohej nga dita kur Aktgjykimi merr formën e prerë. Gjykata po ashtu vendosi që koha e kaluar në arrest shtëpiak do t’i llogaritej në dënimin e shqiptuar me burgim. Si rezultat i ankesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit, përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 144/2019] të 9 korrikut 2019 aprovoi pjesërisht ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin duke vendosur që parashtruesit të kërkesës për kryerjen e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor të dënohet me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) muajve, më të cilin dënim do t’i njihej edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 22 maji 2012 deri më 7 qershor 2012. Si rezultat i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 48/2020] të 27 majit 2020 refuzoi si të pabazuar kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë. Tutje, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesat për aprovimin e kërkesës “për  ndalimin e fillimit të ekzekutimit të denimit të shqiptuar me aktgivkimin e gjvkates se shkalles se 1- rë gjerë në vendosjen e kësaj cështje nga ana e kesaj gjykate” si dhe moszbulimin e identitetit të tij në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, respektivisht.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës në lidhje me konstatimet e lartcekura të gjykatave të rregullta pretendoi se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) si rezultat i shkeljeve të nenit 24o, paragrafi 5 të Kodit të Përkohshme të Procedurës Penale të Kosovës; nenit 384, paragrafit 1, nënparagrafit 1.12; nenit 365, paragrafit 1; dhe nenit 384, paragrafit 2, nënparagrafit 2.1 dhe 2.2. të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Parashtreusi i kërkesës, në thelb pretendoi shkelje të dispozitave të lartcekura ligjore për shkak se (i) provat në procedurë janë siguruar në mënyrë të paligjshme; (ii) vendimet janë të paqarta dhe nuk përmbajnë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare; dhe (iii) nuk ka prova të mjaftueshme se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale për të cilën është dënuar.

 

  1. Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se si Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale, respektivisht dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Në vijim, Gjykata po ashtu vendosi që të refuzojë kërkesën e tij për masë të përkohshme, përkatësisht kërkesën e tij për pezullimin e Aktgjykimit të formës së prerë për fillimin e ekzekutimit të dënimit me burg, si dhe refuzoi edhe kërkesën e tij për moszbulim të identitetit.

 

Parashtruesit:

Elez Elezi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale