KI43/20, Parashtruese: Fitore Sadikaj, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit KPK nr. 697/2019 të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të 12 nëntorit 2019 dhe Vendimit KPK nr. 796/2019 të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të 23 dhjetorit 2019
KI43/20, aktvendim për papranueshmëri i 29 korrikut 2020, publikuar më 31 gusht 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për mjet juridik, aktvendim për papranueshmëri
Në bazë të shkresave të lëndës, rrjedh se parashtruesja e kërkesës kishte aplikuar për pozitës e Kryeprokurorit të Shtetit të Prokurorisë Komunale, por si kandidate ajo nuk kishte fituar numër të mjaftueshëm të pikave nga Paneli Vlerësues, dhe u diskualifikua në raundin e parë të intervistave.
Në lidhje me këtë, parashtruesja parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, në të cilën ajo kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke konsideruar se ajo nuk duhet të vazhdojë me procedurën e shterimit të mjeteve juridike, sepse rasti i saj është i ngjashëm me rastet me të cilat Gjykata Kushtetuese tashmë ishte marrë në praktikën e saj të mëparshme gjyqësore, me ç’rast kishte liruar disa parashtrues nga detyrimi për të shteruar mjetet juridike.
Parashtruesja e kërkesës konsideroi se me vendimet e Këshillit Prokurorial ishin shkelur të drejtat dhe liritë e saj të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 110.3 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe nenin 14 ( Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata gjatë analizës së pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, si dhe shkresave të lëndës vëren se çështja e parashtrueses së kërkesës ndryshon në raport me çështjet të cilave u referohet parashtruesja e kërkesës, së pari sipas pozitës në të cilën ka aplikuar parashtruesja e kërkesës, “specificitetin e procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe domosdoshmërinë që kjo të bëhet në kohën e duhur”, (shih paragrafin 50 në rastet KI99/14 dhe KI100/14 parashtrues Shyqyri Syla dhe Laura Pula, të 3 korrikut 2014).
Prandaj Gjykata konstatoi se praktika gjyqësore në të cilën thirret parashtruesja e kërkesës ishte joadekuate dhe nuk mund të zbatohej në rastin konkret për arsyen e lartpërmendur.
Gjykata, më tutje, thekson se parashtruesja e kërkesës në këtë rast është një person e cila ka mjete të rregullta juridike në dispozicion para gjykatave të rregullta dhe e cila u përket radhëve të personave të autorizuar sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe se për atë vlejnë kushtet nga neni 113.7 i Kushtetutës, neni 47 i Ligjit dhe rregulli 39 (1) (b) i Rregullores së punës (shih rastin e Gjykatës KI130/16, Aktvendim për papranueshmëri, parashtrues, Hamdi Ibrahimi kundër vendimit të KGJK-së, i 7 korrikut 2017, paragrafët 29-33).
Prandaj, Gjykata deklaroi kërkesën e parashtrueses të papranueshme sepse parashtruesja e kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike të rregullta në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Fitore Sadikaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile